Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mosmarrëveshjet për nënkryetarët ndërpresin sërish seancën konstituive

Për të dytën herë të premten është ndërprerë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. Vazhdimi i saj është caktuar për të dielën në orën 10:00. Herën e dytë seanca është ndërprerë pasi që LDK-ja e ka lëshuar sallën pasi ka vlerësuar se s’mund të vazhdohet seanca pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së, që është partia e dytë. Ndërkohë që ndërprerja e parë është bërë pasi që PDK-ja e lëshoi sallën pasi VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare, pavarësisht se PDK-ja e votoi Ardian Golën e VV-së. Kryetari i PDK-së Bedri Hamza ka thënë se nuk do të marrin pjesë më në punimet e Kuvendit. Të gjitha zhvillimet rreth seancës konstituive do të mund t’i lexoni në këtë tekst

Kurti: Kemi nevojë për takim sqarues me Hamzën, PDK-ja të vijë të dielën në seancë

1 muaj më parë / 11 sht 2026 17:02
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kanë nevojë për takim sqarues me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në mënyrë që të diskutohet se cili kandidat i PDK-së mund të propozohet për nënkryetar të Kuvendit. 

Gjatë ditës së sotme, vazhdimi i seancës konstituive u ndërpre dy herë. Herën e parë u ndërpre pasi PDK-ja lëshoi sallën meqë VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitaku për nënkryetare, anise PDK-ja e votoi Ardian Golën e VV-së. Hamza më pas deklaroi se nuk kanë më arsye të marrin pjesë në asnjë seancë dhe paralajmëroi se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Por pasi doli nga Kuvendi, Kurti ka thënë se emri i Çitakut nuk mund të votohet pasi ka dalë kundër çdo propozimi të VV-së. 

“Ju e dini që vitin e kaluar Çitaku pat kërkuar që Albulena Haxhiu të tërhiqet, sivjet që Feride Rushiti të tërhiqet, pardje e bojkotoi votimin e Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe njëkohësisht ka paralajmëruar bojkotin edhe për presidentin. Kjo është që ne medoemos një deputet të PDK do ta votojmë për nënkryetar, dhe të LDK-së, mirëpo ju i dini aktgjykimet, nuk është e thënë që të jetë emri unik. Uroj që të jenë konstruktiv siç kemi qenë ne vitin e kaluar. Në një takim timin me Hamzën do ta sqaronim se cili deputet do të mund të votohej”, ka thënë Kurti, transmeton KP.

Kurti u shpreh se ky takim është në interesin e Hamzës, meqë sipas tij, është PDK-ja ajo që ka nevojë për votat e LVV-së për zgjedhjen e kandidatit të saj nënkryetar kuvendi, derisa partisë se tij edhe vota kundër i kryen punë për zgjedhjen e presidentit.

“Besoj që PDK-ja nuk është dashur ta braktis procesin e konstituimit të Kuvendit, shpresoj që të vjen të dielën, në mënyrë që të bëjmë edhe këtë katër nënkryetarët e tjerë dhe të procedojmë me qeveri e zgjedhje të presidentit. Ritheksoj se duhet të evitojmë zgjedhjet e reja, që janë të panevojshme, të përsëritura e të kushtueshme dhe për këtë na nevojitet marrëveshja politike. Më vjen keq që kryetari i PDK-së nuk është përgjigjur për takim, këtë e ka bërë publikisht, por unë mendoj që kemi nevojë për takim. PDK-ja për ta zgjedhur nënkryetarin i nevojiten votat e VV. VV-së për të zgjedhur presidentin i nevojitet mungesa e bojkotit apo madje edhe vota kundër e PDK-së. Atyre ju nevojitet vota jonë për, neve na kryen punë edhe ajo kundër”, deklaroi Kurti.

Ani se doli gati i fundit nga ndërtesa e Kuvendit, Kurti nuk u përgjigj nëse do të marrë pjesë në marshin e të shtunës para vendimit final në Hagë. Pyetjes së njëjtë iu shmang edhe në mëngjes duke premtuar do të përgjigjej dikur më vonë gjatë ditës.

Vazhdimi i seancës konstituive është thirr për të dielën në orën 10:00. 

Nagavci: I japim 53 votat për deputetët e LDK-së që e përkrahin marrëveshjen me VV-në

1 muaj më parë / 11 sht 2026 16:04
Arbërie Nagavci

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia e saj do t’i japë 53 votat për njërin nga deputetët e LDK-së që propozohet për nënkryetar të Kuvendit, nëse ai e përkrah marrëveshjen mes dy partive.

LDK-ja e ka propozuar Kujtim Shalën. Megjithatë, Shala është shprehur kundër çdo marrëveshje me VV-në. 

“Deputetët që janë pro marrëveshjes LVV-LDK, natyrisht që e kanë edhe mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes”, ka thënë Nagavci.

Ajo iu ka bërë thirrje deputetëve të PDK-së dhe LDK-së që të dielën të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.

“Edhe një herë shfrytëzojmë këtë mundësi që të bëjmë thirrje që ditën e diel, në ora 10:00, ashtu siç e ftojë vazhdimin e seancës kryetarja e Kuvendit, të jenë të pranishëm në sallë dhe të bëjnë propozimet e tyre, gjegjësisht LDK-ja të marrë pjesë në votimin e kandidatit të tyre për nënkryetar”, tha Nagavci.

Lushaku: Procedura është thyer, do të kërkojmë edhe interpretime kushtetuese

1 muaj më parë / 11 sht 2026 16:01
Jehona Lushtaku-Sadriu

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushtaku-Sadriu, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku ishte paraparë votimi i nënkryetarëve të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Lushaku-Sadriu tha se seanca u ndërpre pasi, sipas saj, kryetarja e Kuvendit imponoi një mënyrë votimi që nuk ishte në përputhje me procedurën.

Ajo tha se LDK-ja kishte kërkuar respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Punës dhe praktikës parlamentare.

“U imponua nga kryetari një votim dhe një kalim për votimin e nënkryetarëve duke kaluar dhe duke prishur procedurën. Në fakt, ne kërkuam që të respektohet procedura në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të Rregullores së Punës edhe praktikës parlamentare. Tri grupet më të mëdha parlamentare u takon nga një nënkryetar dhe me radhë duhet të votohen. Kishte një tendencë që të kalohej nga një grup tek tjetri, prandaj ne s’u dakorduam që të ketë një kalim të tillë, për aq kohë sa nuk ka propozim edhe nga grupi i dytë parlamentar”, deklaroi Lushtaku.

Sipas saj, situata e krijuar është edhe rezultat i mungesës së konsensusit politik nga Lëvizja Vetëvendosje për mënyrën e votimit të nënkryetarëve.

“Kjo vjen edhe si rezultat i mosgatishmërisë së Vetëvendosjes për të bërë një konsensus në kuptimin e gjetjes së një modaliteti të votimit në pako, edhe si rezultat i imponimit të një votimi të tillë ne erdhëm tek kjo situatë. Kjo në fakt flet shumë për gatishmërinë, për vullnetin politik të vetë grupit më të madh, i cili tenton që grupeve të tjera t’u imponojë kandidatët. Kjo është rezultati përfundimtar. Është një ushtrim shumë i pështirë, shumë elementar i demokracisë, të cilën Vetëvendosja s’mundet me e tejkaluar veten. Por në emër të konstituimit të institucioneve, është dashur që kësaj here të bëjë një tejkalim të vullnetit politik dhe t’u njohë të drejtën grupeve parlamentare për të propozuar të zgjedhurit e tyre”, tha deputetja e LDK-së.

Lushaku-Sadriu theksoi se LDK-ja, sipas saj, ia ka njohur Vetëvendosjes të drejtën për të propozuar kandidaten e saj për nënkryetare, duke përmendur Arbërie Nagavcin.

“Ne si LDK ua njohëm Vetëvendosjes që Arbërie Nagavcin ta ketë nënkryetare, por kjo nuk u zbatua nga ata për kandidatët e tjerë dhe, si rrjedhojë, nuk jemi të konstituuar. Kjo është vërtet për keqardhje”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e ardhshme, Lushaku tha se çështja tash lidhet me vullnetin politik për të tejkaluar situatën, por nënvizoi se procedura tashmë është shkelur.

“Tani po, kemi krizë të vullnetit politik për të tejkaluar edhe do të shohim me radhë se si do të shkojë, por procedura është thyer dhe kjo është e pakthyeshme”, u shpreh Lushaku-Sadriu.

Ajo mohoi se pjesëmarrja e LDK-së në seancat e ardhshme lidhet me pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen e PDK-së, duke thënë se çështja kryesore është respektimi i procedurës parlamentare.

“Faktikisht hiç nuk është e rëndësishme se cili grup edhe qysh e ka emrin. Procedura e Kuvendit të Kosovës flet për tri grupet më të mëdha parlamentare, të cilat me radhë duhet t’i prezantojnë nënkryetarët edhe tash nuk ka kurrfarë lidhje. Ne e kemi bërë votimin e kandidatit të Vetëvendosjes për nënkryetar, domethënë e bëmë se ua njohëm të drejtën e propozimit. S’ka lidhje, LDK-ja i ka qëndrimet e veta dhe parimet bazë për të cilat beson që pushteti duhet me u mbështet për me pasur demokraci. Është shumë elementare, është parim shumë elementar, po ja që grupi më i madh nuk po e njeh”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu u pyet edhe nëse LDK-ja do ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Ajo tha se çështjet e tilla mund të kërkojnë interpretime ligjore dhe kushtetuese.

“Absolutisht, të gjitha këto janë subjekte edhe që kërkojnë interpretime ligjore dhe kushtetuese, absolutisht”, tha Lushtaku.

Ndërsa, e pyetur nëse LDK-ja do ta ndërmarrë konkretisht një hap të tillë, ajo tha se partia e saj do të jetë në ballë të kërkesës për interpretime kushtetuese, duke argumentuar se ka paqartësi lidhur me procedurën.

“Ne do të jemi në ballë të kërkesës për interpretime kushtetuese për aq kohë sa ka kaq shumë paqartësi. Me thënë të drejtën, këto procedura janë shumica të sqaruara në shumë vendime, edhe me Kushtetutë, edhe janë në praktika parlamentare“, tha tutje ajo.

LDK-ja lëshon sallën, kërkon që fillimisht të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja

1 muaj më parë / 11 sht 2026 15:02
LDK

Photo: Driton Paçarada

Deputetët e LDK-së e kanë lëshuar sallën në vazhdimin e seancës konstituive sot pasi kanë kërkuar që fillimisht të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja. 

Sipas deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, është e padrejtë që të hidhet në votim kandidati i partisë së tretë pa u zgjidhur ai i partisë së dytë. 

“Bëjmë thirrje që të shterohen të gjitha mundësitë për diskutim (me PDK-në). Nuk kemi të drejtë ta vazhdojmë seancën përderisa nënkryetari i partisë së dytë nuk është zgjidhur. Duhet të respektohet procedura. Kalimi te grupi i tretë nuk kemi të drejtë. Nuk marrim pjesë në votim as nuk iu rekomandojmë ta hidhni në votim”, ka thënë ajo, duke shtuar se konsiderojë se partia e parë nuk i ka shteruar të gjitha mundësitë për diskutim. 

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu këmbënguli që të vazhdohet me propozimin e LDK-së, duke konsideruar se me mospjesëmarrjen e saj, PDK-ja po heq dorë nga e drejta kushtetuese për propozimin e nënkryetarit të Kuvendit.

Në seancën e mëhershme sot, PDK-ja e lëshoi sallën pasi VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare, pavarësisht se PDK-ja e votoi Ardian Golën e VV-së. 

Haxhiu konsideron se PDK-ja s'po do ta ushtrojë të drejtën për propozim të nënkryetarit të Kuvendit

1 muaj më parë / 11 sht 2026 14:50
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka konsideruar se PDK-ja nuk po do ta ushtrojë të drejtën për propozim të nënkryetarit të Kuvendit pasi deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës konstituive që u thirr për në ora 14:00.. 

Haxhiu bëri të ditur se ka pasur tentativa për një takim me përfaqësuesit e PDK-së, por kanë refuzuar të vijnë në takim. 

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas ndërprerjes së seancës më herët, deklaroi se nuk kanë arsye të marrin më pjesë në asnjë seancë. Ky vendim erdhi pasi VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit, pavarësisht se PDK-ja ia votoi Ardian Golen e VV-së. 

Kalojnë më shumë se gjysmë ore, ende s’rifillon seanca

1 muaj më parë / 11 sht 2026 14:35
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Kanë kaluar më shumë se gjysmë ore nga planifikimi i vazhdimit të seancës konstituive që u thirr prej orës 14:00. Megjithatë, ajo ende s’ka rifilluar.

Në sallë aktualisht janë të pranishëm disa deputetë të VV-së dhe deputetë të LDK-së. 

Ndërkohë, PDK-ja ka thënë se nuk do të marrë pjesë më në asnjë seancë.

Vazhdimi i seancës thirret për orën 14:00

1 muaj më parë / 11 sht 2026 12:49
seanca -11 shtator

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca konsitutive do të vazhdojë sot në orën 14:00. 

Në rend dite në njoftimin e dërguar është pika “zgjedhja e nënkryetarëve”. 

Vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë edhe të premten pasi që deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën e Kuvendit. 

Kjo pasi që Vetëvendosja nuk e ka përkrahur kandidaten e tyre për nënkryetare, Vlora Çitaku, duke abstenuar në votim. 

Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, e ka ftuar PDK-në që ta bëjë sërish një propozim por ata nuk e kanë bërë.

Pas ndërprerjes së seancës kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ata nuk do të marrin më pjesë në asnjë seancë të Kuvendit dhe paralajmëroi se do ta referojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Bajrami kërkon kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës

1 muaj më parë / 11 sht 2026 12:37
hykmete bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismën së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) që shkelja e Kushtetutës të kriminalizohet. 

Në një status në Facebook pas ndërprerjes së seancës konstituive ajo ka shkruar se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar Bajrami. 

Ajo e ka quajtur mashtrues kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe ka thënë se ai po do ta rrënojë shtetin. 

“Sepse ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka shkruar Bajrami. 

Lushaku: Presim që pas konsultimeve, ta vazhdojmë konstituimin

1 muaj më parë / 11 sht 2026 12:12
Jehona Lushaku-Sadriu

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se presin që pas konsultimeve që do t’i mbajnë, të kthehen në sallë dhe ta vazhdojnë procesin e konstituimit. 

“Besojmë që propozimi i kandidatëve për nënkryetar i takon partisë. E njohim këtë parim duke e zbatuar edhe për partitë e tjera. Ne i përkrahëm të gjitha propozimet e partive. Pres që gjithsesi pas konsultimeve, të kthehemi në seancë dhe ta vazhdojmë konstituimin. Konstituimi është tepër i rëndësishëm”, ka thënë ajo, duke shtuar se ishte VV-ja ajo që pati mospajtim për votimin e nënkryetarëve të partive të tjera. 

Vazhdimi i seancës konstituive u ndërpre sërish, pasi VV-ja nuk ia votoi propozimin e PDK-së për nënkryetar të Kuvendit. 

Ndërpritet sërish seanca konstituive

1 muaj më parë / 11 sht 2026 12:08
seanca - 11 shtator

Photo: Driton Paçarada

Vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë pasi që deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, pasi që Vetëvendosja nuk e ka përkrahur kandidaten e tyre për nënkryetare, Vlora Çitaku. 

Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, e ka ftuar PDK-në që ta bëjë sërish një propozim por ata nuk e kanë bërë dhe Haxhiu e ka ndërprerë seancën duke thënë se për vazhdimin do të njoftojnë pastaj. 

Paraprakisht me 101 vota për Ardian Gola i VV-së është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e VV-së.

Hamza: S’marrim më pjesë në asnjë seancë, do ta dërgojmë rastin në Kushtetuese

1 muaj më parë / 11 sht 2026 12:07
Bedri Hamza

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ata nuk do të marrin më pjesë në asnjë seancë të Kuvendit dhe paralajmëroi se do ta referojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Vazhdimi i seancës konstituive u ndërpre sërish sot pasi VV-ja nuk e votoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit, pavarësisht se PDK-ja ia votoi propozimin e VV-së, Ardian Golën. 

“Me veprimet e tyre të papërgjegjshme, joshtetërore, jo në dobi të qytetarëve, VV-ja po prodhon drama, po shpik situata të panjohura që të vazhdohet me bllokada. Prej sot, PDK-ja nuk ka asnjë arsye me marrë pjesë në punimet e Kuvendit dhe do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt se afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht”, ka thënë Hamza. 

VIDEO: Momenti i votimit

PDK-ja lëshon sallën pasi VV-ja nuk ia votoi propozimin për nënkryetar

1 muaj më parë / 11 sht 2026 11:58
PDK

Photo: Driton Paçarada

Deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën pasi Vetëvendosje nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit. 

Çitaku pati 44 vota për, 56 abstenime dhe një kundër. 

Paraprakisht, PDK-ja e votoi Ardian Golen e VV-së.

VIDEO: Momenti i votimit

Nënkryetarët e Kuvendit do të votohen veç e veç

1 muaj më parë / 11 sht 2026 11:37
Albulena Haxhiu

Deputetët e Kuvendit kanë aprovuar propozimin për votimin veç e veç të nënkryetarëve. 

Propozimet për nënkryetar janë: Ardian Gola nga VV-ja, Vlora Çitaku nga PDK-ja e Kujtim Shala nga LDK-ja. Emilja Rexhepi dhe Sllavko Simiq janë nga komunitetet joshumicë.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë dakord me cilëndo mënyrë të votimit, edhe veç e veç, edhe në paketë. 

E deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se nëse modeli i votimit të nënkryetarëve po bëhet si mjet për bllokim, atëherë partia e tij nuk do ta votojë. E nëse ka garanci se Kuvendi do të konstituohet, Gruda ka thënë se do të votojnë çdo mënyrë. 

Nga LDK-ja kanë thënë se do t'i përkrahin të gjitha kandidaturat. 

Musliu: Kurti s’mund t’ia diktojë PDK-së se kë e propozon për nënkryetar

1 muaj më parë / 11 sht 2026 11:12
Ganimete Musliu

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se kryetari i VV-së Albin Kurti nuk mund t’ia diktojë PDK-së se kë e propozon për nënkryetar të Kuvendit. 

“Albin Kurti s’ka (…) të na diktojë se kë propozon PDK-ja për nënkryetare të Kuvendit. PDK-ja nuk do të shndërrohet kurrë në patericë politike, as për Albinin, as për askënd”, ka shkruar Musliu në Facebook, ku ka bashkëngjitur një fotografi me deputeten Vlora Çitaku, të cilën PDK-ja e ka propozuar për nënkryetare. 

VV-ja në seancën e kaluar është deklaruar kund Çitakut dhe të propozuarit të LDK-së Kujtim Shala për nënkryetar, duke thënë se nuk ka vota për ta.

Megjithatë, emrat e nominuar nuk u hodhën në votim, përmes të cilit do të mund të verifikohej nëse kishin apo jo mbështetjen e deputetëve.

Zemaj: Logjika e VV-së për t’i nënshtruar të tjerët nuk kalon të LDK-ja

1 muaj më parë / 11 sht 2026 10:51
Armend Zemaj

Foto: Arkiv

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka akuzuar Vetëvendosjen për tendenca për nënshtrim të LDK-së, tek ka folur për kërkesën e LVV-së që LDK-ja të ndryshojë kandidatin për nënkryetar, pasi partia e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit është deklaruar se nuk ka vota për deputetin Kujtim Shala.

Por sipas tij kjo logjikë nuk kalon të LDK-ja. 

“Logjika e Vetëvendosjes për t’i nënshtruar të tjerët te LDK-ja nuk kalon. Tendenca për ta nënshtruar një subjekt politik, në kuptimin edhe të partneriteti por edhe te emrave që janë kategori kushtetuese që ju takojnë partive politike në bazë fuqisë politike”, ka thënë ai në një deklarim para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive. 

Zemaj është në mesin e 6 deputetëve të LDK-së që e kanë kundërshtuar propozimin e përbashkët të LDK-së e VV-së për president, Bekim Sjediu. 

Abrashi i VV-së: Besoj që Simiqi s’do ta përsërisë më atë gabim

1 muaj më parë / 11 sht 2026 10:21
Artan Abrashi

Deputeti i Vetëvendosjes Artan Abrashi, duke iu referuar deklaratës së deputetit të Listës Serbe Igor Simiq, i cili të mërkurën në seancën konstituive kur e propozoi kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga ky subjekt përdori termin “populli serb”, ka thënë se beson që deputeti i Listës Serbe “nuk do ta përsëris më atë gabim”.

“Ne e kemi dhënë qëndrimin sa i përket deklaratës së Simiqit edhe besoj që nuk e përsërit më atë gabim, ta shohim”, është shprehur Abrashi në një deklarim para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive. 

Kryetarja e re e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në vazhdimin e seancës konstituive që është mbajtur të mërkurën, e ka cilësuar si propozimin e Listës Serbe jokushtetues, për shkak të përdorimit të termit “populli serb”.

“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92% janë shqiptarë, 4% serbë dhe 4% nga komunitetet e tjera”, ka thënë ajo.

Sot vazhdimi i seancës konstituive, në rend dite zgjedhja e nënkryetarëve

1 muaj më parë / 11 sht 2026 07:53
seanca konstituive

Photo: Driton Paçarada

Sot nga ora 11:00 pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në rend dite është zgjedhje e pesë nënkryetarëve të Kuvendit, që dështoi të bëhej në vazhdimin e seacnës që është mbajtur të mërkurën. 

Ndërkohë që atë ditë kryetare e Kuvendit është zgjedhur deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu.

Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se pajtueshmërinë për zgjedhjen e nënkryetarëve synojnë ta arrijë në një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, e atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

Ai tha se i ka ftuar në takim dy liderët e këtyre partive dhe bëri thirrje për qasje konstruktive në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.

Por nga ajo ditë nuk është raportuar për një takim në mes të tyre. 

Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.

Për përfundimin e këtij procesi, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 25 qershorit 2025, deputetët kanë pasur kohë deri më 7 gusht.

Por, sikurse vazhdimet e mëhershme ashtu edhe ai i sotshmi janë ftuar përtej afatit kushtetues. Në dy raste paraprake, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për të negociuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, pa zgjidhje për presidentin, nuk shmangin zgjedhjet e reja.

Kurti dhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku më parë janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por, as kjo marrëveshje nuk e garanton kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër.

Në vazhdimin e seancës konstituive që është mbajtur të mërkurën, kryetarja e re e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka përdorur dy arsyetime për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit.

Por, të dyja janë kundërthënëse. 

E para lidhet me, siç ka thënë ajo, propozimin jokushtetues për nënkryetar të Kuvendit nga Lista Serbe, për shkak të përdorimit të termit “populli serb”.

“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92% janë shqiptarë, 4% serbë dhe 4% nga komunitetet e tjera”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë nominimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar, ka thënë se ai propozohet “në emër të popullit serb”.

I vetmi institucion në Kosovë që mund të japë interpretim për kushtetutshmërinë e një çështjeje është Gjykata Kushtetuese.

Gjithashtu term i njëjtë ishte përdorur nga Lista Serbe edhe në konstituimin e Legjislaturës VIII, më 22 mars 2021. Atë kohë Vetëvendosja e pati votuar propozimin.

Arsyetimi i dytë i kryeparlamentares ishte se nuk ka vota për kandidatët për nënkryetarë të propozuar nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike.

Megjithatë, emrat e nominuar nuk u hodhën në votim, përmes të cilit do të mund të verifikohej nëse kishin apo jo mbështetjen e deputetëve.