Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në vazhdimin e 9 shtatorit. Deputetët kanë zgjedhur Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ngërçi tash u krijua te votimi i nënkryetarëve.
Vazhdimi i seancës u shty për 11 shtator, në orën 11.
Pas propozimeve, Haxhiu kërkoi pauzë për t’u konsultuar për mënyrën e votimit, në pako të plotë apo jo. Ndërkaq pas saj, ajo u përplas me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, për mënyrën e propozimit duke i kërkuar ta tërheqë fjalimin. Simiq qe shprehur se propozimin e bën “në emër të popullit serb”.
VIDEO:
Haxhiu po ashtu bëri të ditur se as propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike për nënkryetarë, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, nuk kanë mbështetjen për t’u zgjedhur. Detaje për këtë qëndrim dha deputetja Arbërie Nagavci që e lidhi me deklarimet e Çitakut dhe Shalës për të mos marrë pjesë në votimin e presidentit. Ajo i akuzoi të dy se “po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”.
Ndërkaq partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë akuzuar VV-në për bllokadë të qëllimshme. Përparim Gruda i PDK-së ka thënë se partia e tij ka votë për cilindo nënkryetar, ndërsa Jehona Lushaku e LDK-së mbrojti kandidaturën duke thënë se “përvoja e tij i jep nder Kuvendit”.
VIDEO:
“Pengesë” e re në formimin e institucioneve
Çështja e nënkryetarëve të rinj të Kuvendit të Kosovës është kthyer në “pengesën” e re për formimin e institucioneve. Pas më shumë se 60 ditë qëkur u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, Kuvendi të mërkurën zgjodhi Albulena Haxhiun kryetare e seanca u shty për shkak të “pengesës së re”. Haxhiu e shty për të premten seancën me arsyetimin se duhet dakordim për nënkryetarët e Kuvendit.
Në Kuvend, PDK-ja e propozoi Vlora Çitakun për nënkryetare, ndërsa LDK-ja Kujtim Shalën. Nga VV-ja, deputetja Arbërie Nagavci tha se s’kanë votë për emrat që refuzojnë të votojnë për presidentin.
E pas kësaj, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi negocim me kryetarët e Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike për nënkryetarët.
“Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së, që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për përzgjedhjen e nënkryetarëve meqenëse nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre”, tha ai.
Pos emrave të PDK-së dhe të LDK-së, në seancën konstituive të mërkurën pati përplasje edhe për mënyrën se si u prezantua kandidatura për nënkryetar e Sllavko Simiqit të Listës Serbe. Deputeti Igor Simiq e propozoi Simiqin tjetër “në emër të popullit serb”. Kjo u vlerësua në shpërputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Në anën tjetër, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë akuzuar Vetëvendosjen për bllokadë të re. Përparim Gruda i PDK-së ka thënë se partia e tij ka votë për cilindo nënkryetar, ndërsa Jehona Lushaku e LDK-së mbrojti kandidaturën duke thënë se “përvoja e tij i jep nder Kuvendit”.
VIDEO:
Para çështjes së nënkryetarëve të Kuvendit, konstituimi u shty me kërkesë të VV-së “për t’u dhënë kohë negociatave për marrëveshje për presidentin”. Sipas deklaratave të Kurtit që nga zgjedhjet e 7 qershorit, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje për presidentin nuk shmangin zgjedhje të reja.
Kurti arriti marrëveshje me Lumir Abdixhikun e LDK-së për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por në LDK gjashtë deputetë dolën kundër duke e bërë të pasigurt numrin prej 80 deputetësh, aq sa është kuorumi për dy rundet e para të votimit.
Kosova tash e dy vjet përballet me cikle të zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, Kuvendi nuk arriti fillimisht të konstituohej e më pas të formonte Qeverinë.
Në dhjetor pati zgjedhje të jashtëzakonshme. Pas tyre u konstituua Kuvendi e u formua Qeveria. Ngërçi kaloi te fundi i mandatit të Vjosa Osmanit si presidente.
Moszgjedhja e një presidenti të ri, çoi në zgjedhjet e 7 qershorit.
VIDEO:
Gjini: Dështimi i konstituimit maskaradë për të blerë kohë, synohet 27 dhjetori për zgjedhje
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se dështimi i së mërkurës për ta konstituuar ka ndodhur me qëllimin që ky proces të përfundojë pas datës 13 shtator, në mënyrë që, sipas tij, të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme më 27 dhjetor.
Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën pas seancës konstituive e cila pritet të vazhdojë të premten, Gjini ka thënë se ajo që ka ndodhur sot është “maskaradë për të blerë kohë”.
Duke përmendur afatet rrjedhëse nëpër të cilat duhet kaluar me moszgjidhjen e çështjes së presidentit, Gjini thënë se me apo pa koordinim me Listën Serbe, Albin Kurti e ka zhvilluar agjendën e tij siç i konvenon.
“Kushedi për të satën herë me apo pa koordinim Lista Srpska ndihmon që Albin Kurti të zhvillojë agjendën e vet ashtu siç i konvenon. Kjo që ka ndodhur sot është maskaradë për të blerë kohë, të zvarritet krijimi i institucioneve të Kosovës. Sot të gjithë qytetarët e kuptojnë drejtë pse Aleanca nuk ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj maskarade. I ftoj dy partitë tjera në opozitë të refuzojnë të bëhen pjesë e kësaj maskarade. Duhet mbërritur së paku datën 13 shtator në mënyrë që kur kalkulohet 60-ditëshi i afatit për zgjedhje të presidentit dhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara, ta mbërrijë datën 27 dhjetor”, ka thënë ai.
Gjini ka shtuar se kjo datë shihet si e favorshme për partinë e Kurtit për shkak të votimit më të lartë të mërgimtarëve.
“Pyetja tjetër është pse datën 27 dhjetor. Për shkak se këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë, e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Për shkak se jeta e qytetarëve është rënduar. Sot me pagat e veta blejnë më pak ushqim. Mezi i paguajnë faturat e rrymës. Rrugët janë të shkatërruara. Shëndetësia është e shkatërruar, arsimi është i shkatërruar. Qytetarët e Kosovës që jetojnë në Kosovë e kanë parë me çfarë lloj të regjimit jetojnë në Kosovë. Tani për ta kompensuar humbjen reale në Kosovë, duhet pritur atë pjesën e diasporës që vjen me entuziazëm të pashpjegueshëm ta votojnë shkatërruesin e Kosovës”, është shprehur ai.
Gjini më tej ka thënë se nuk do të marrin pjesë as në seancën e së premtes.
“Në seancën e të premtes nuk do të marrim pjesë. Nuk mund të marrim pjesë sepse është e jashtëligjshme, jashtëkushtetuese. Është farsë. Nuk ka për qëllim themelimin e institucioneve. Qëllimi është të mbërrihet 13 shtatori për t’ia dhënë vetes kohën për të shkuar në zgjedhje më 27 dhjetor”, ka deklaruar ai.
Kurti kërkon takim me Hamzën e Abdixhikun për nënkryetarët e Kuvendit
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se i ka ftuar në takim kryetarët e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun që të arrijnë dakordim për përzgjedhjen e nënkryetarëve.
Tutje ka bërë thirrje për qasje konstruktive në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.
Kurti ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit duhet të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë. Meqenëse na nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituuar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për situatën rreth propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Kurti ka thënë se deklarata e përfaqësuesit të kësaj partie ishte, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.
Ai ka theksuar se propozimi i dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa mënyra se si u deklarua në Kuvend ishte, sipas tij, “në shpërputhje flagrante”.
“Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë, kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiq, e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante”, ka thënë Kurti.
Kurti ka përmendur edhe reagimet brenda grupit parlamentar lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe, duke thënë se ishte ngritur mundësia që ajo të ishte ndikuar nga “euforia” pas varrimit të Ratko Mlladiqit.
“Sido që të jetë, nuk mund të votohet në Kuvendin e Republikës ai lloj propozimi që u deklarua. Vetëm ai propozimi i cili është dërguar me shkrim është në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar ai.
Hamza: Lista Serbe dhe LVV-ja po i bëjnë dëm vendit, PDK nuk përjashton veprimet ligjore
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pas dështimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, ka akuzuar subjektet politike për thellimin e vakuumit institucional, duke thënë se veprimet e tyre janë në dëm të shtetit dhe qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Hamza kritikoi veçmas Listën Serbe dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se veprimet e tyre po e dëmtojnë perspektivën e vendit dhe qytetarët e Kosovës.
“Vendi vazhdon me pas vakuum institucional dhe unë jam i bindur që të gjitha këto veprime që janë duke i bërë, janë në dëm vendit. Kushdo qoftë. Qoftë Lista Srpska, qoftë ndonjë parti tjetër politike, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, janë duke i bë dëm vendit. Janë duke dëmtuar perspektivën e vendit. Janë duke i dëmtuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Dhe mendoj që lojërat e tillë, as nga Lëvizja Vetëvendosje as Lista Serbe nuk janë në dobi dhe në interes të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Kryetari i PDK-së tha se janë plotësuar kushtet ligjore që çështja të dërgohet edhe në organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
“Të gjitha kushtet legale, ligjore janë të plotësuara që rasti të referohet edhe në organet e drejtësisë, kjo përfshin edhe Gjykatën Kushtetuese dhe jam i bindur që dihet përgjigja, dihet përgjigja, po Partia Demokratike e Kosovës nuk e përjashton edhe veprimet ligjore dhe kushtetuese dhe politike brenda rregullave ligjore e demokratike”, tha ai.
Hoti për VV-në: Po synojnë zgjedhje në një datë që u konvenon
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit konstituimin e Kuvendit për ta dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në një datë që i konvenon kësaj partie.
Pas seancës që u mbajt të mërkurën, Hoti ka thënë se partia në pushtet nuk është e interesuar për konsolidim të shtetit e të rendit kushtetues.
Ai ka shtuar se veprimet e sotme kanë qenë të pritshme.
“Besoj se loja e tyre që ka qenë e pritur nuk ka shpjegim tjetër, kështu siç e kanë vonuar edhe vitin e kaluar, edhe sivjet u bë një muaj e sa, nuk pritet gjë tjetër prej tyre. Është propozim i yni, na takon me Kushtetutë si propozim. Për zvarritje – besoj se për të çuar zgjedhjet në datën që atyre u konvenon dhe mbi të gjitha kanë qenë gjithmonë kundër çdo konsolidimi të shtetit të Kosovës, të rendit kushtetues dhe të problemeve që i kanë krijuar”, ka thënë ai.
VV-ja s’ka votë as për nënkryetarët e propozuar nga PDK-ja e LDK-ja
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se përveç që nuk kanë votë për nënkryetarin e Kuvendit të propozuar nga Lista Serbe pa tërhequr deklaratën Igor Simiqi, votë nuk kanë as për propozimin e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku e as për propozimin e LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala.
Sipas Nagavcit, Çitaku e Shala publikisht kanë deklaruar se nuk do ta votojnë presidentin kësisoj nuk kanë pse i kërkojnë votat e VV-së për nënkryetar.
“Ishin dy çështje pse u shty seanca e sotme. E para ka të bëjë me kushtetutshmërinë, dhe e dyta ka të bëjë me propozimet e PDK-së e LDK-së. Deklarata e Simiqit është e papranueshme dhe bie ndesh me Kushtetutën. Kërkova ta tërheq fjalën, pat deputet që nuk e konsideruan problematike. E çështja e dytë është se propozimet e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku përkatësisht Kujtim Shala, që të gjithë jemi dëshmitarë që të dy deputetët ndërkohë kërkojnë votë për veten e tyre, të njëjtit deputetë thonë se nuk do të marrin pjesë në votimin e presidentit dhe po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja. Për VV-në është shumë e rëndësishme edhe të kemi konstituimin e Kuvendit, edhe formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit sa më shpejt”, ka thënë ajo.
Gruda: S’mund të mos kemi Kuvend më 16 shtator, VV-ja po bllokon me qëllim
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, po e bllokon konstituimin e Kuvendit në çfarëdo forme.
Sipas tij, Kuvendi duhet të konstituohet deri më 16 shtator kur pritet edhe aktgjykimi i Gjykatë Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka shtuar se partia të cilës i takon i voton nënkryetarët në çfarëdo forme, po që se VV-ja siguron konstituimin e Kuvendit.
“Po vazhdo bllokada në Kuvend, ka ardhur sot partia që ka fituar zgjedhjet për lojën e radhës. PDK-ja voton për nënkryetarët e kuvendit në çfarëdo forme të qoftë, nëse VV-ja siguron që e konstituon Kuvendin. Nuk mund të mos kemi Kuvend më 16 shtator. Edhe ajo që u tha për mënyrën e propozimit, paska propozuar njësoj më parë. Nëse VV-ja siguron konstituimin, ne votojmë në çfarëdo forme. Qëllimi është të mos konstituohet kuvendi, nuk po duan dhe për atë arsye po krijojnë pengesa”, ka thënë ai.
VIDEO: Deklarata e plotë
Lushaku-Sadriu: E paprecedentë që VV-ja të mos i përkrahë propozimet e partive për nënkryetarë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se është e paprecedentë që partia më e madhe të mos u ofrojë përkrahje propozimeve të partive tjera për nënkryetar të Kuvendit.
Ajo ka thënë se partia që ajo përfaqëson ka dhënë emrin për të cilin mendojnë se i bëjnë nder Kuvendit.
“Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga VV-ja për propozimet që i kanë bërë partitë tjera për nënkryetar. Në emër të LDK-së shprehim indinjatën tonë. Ne kemi për obligim që t’i japim, propozimet tona më të mira. E propozuam Shalën sepse mendojmë se përvoja e tij i jep nder Kuvendit të Kosovës. Është praktikë krejt e paprecedentë. VV-ja po harron që jemi jashtë afateve kushtetuese”, ka thënë ajo pas seancës.
VIDEO: Deklarata e plotë
Shtyhet sërish konstituimi
Kuvendi e ka shtyrë për të premten vazhdimin e seancës konstituive, pas mosdakordimit për të votuar për nënkryetarët. Pas kthimit nga pauza, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu u përplas me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, duke i kërkuar ta tërheqë fjalimin e propozimit paraprak për nënkryetar. Pas kësaj, Haxhiu tha se nuk ka dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit dhe si rrjedhojë “duhet dakordim”.
Haxhiu e lexoi deklaratën e Simiqit që u shpreh se propozimin për nënkryetar e bën në emër të “popullit serb”.

Ajo tha se kjo deklaratë bie ndesh me Kushtetutën dhe i kërkoi ta tërheqë fjalimin, por Simiq refuzoi. Ai në përgjigje tha se “e kupton lojën”.
Sipas tij, propozimi është dërguar me shkrim më 6 gusht.
Haxhiu ia ndërpreu fjalën dhe pasoi një tjetër përplasje me kërkesën për tërheqje të fjalimit të Simiqit, e që ai sërish refuzoi.
Pas kësaj, Haxhiu tha se edhe në takim me anëtarë të partive të tjera “nuk pati dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit”.
“Nga ai takim siç e kuptova ishte e qartë se as propozimi i subjektit politik PDK që ishte Vlora Citaku, e as propozimi i LDK-së, që ishte edhe Kujtim Shala, sikurse dhe zonja Nagavci ngriti shqetësimet e njëjta me deklaratat e Simiqit, që janë jokushtetuese është e qartë që nuk ka vota për propozimet e tyre për t’u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit. Prandaj konsideroj se duhet dakordim dhe si rrjedhojë seanca i vazhdon punimet të premten në orën 11”, ka thënë Haxhiu.
Kërçeli: Shala s’do bashkëpunim me ne, kërkon votën tonë për nënkryetar
Deputeti i LVV-së, ilir Kërçeli, ka thënë se deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, i cili u propozua si nënkryetar, ka deklaruar se është votuar për të mos bashkëpunuar me Albin Kurtin.
Sipas tij, ai tash po i kërkon votat e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u bërë nënkryetar.
“Prej kujt po kërkon votë tash?! Ai që nuk ka votë madje as kundër Presidentit e as nuk rri në sallë?!”, ka thënë ai.
Kujtim Shala në një deklaratë për media pati thënë se është “gjithmonë kundër bashkëpunimit me Albin Kurtin”, duke shtuar se për këtë është votuar nga populli.
VV-ja ankohet në mënyrën e propozimit të Simiqit për nënkryetar: S’ka popull serb në Kosovë, por komunitet
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë ankuar për mënyrën se si Igor Simiq e propozoi Sllavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit.
Simiq iu referua propozimit “në emër të popullit serb”. Deputetët e VV-së janë përgjigjur duke thënë se “nuk ka popull serb në Kosovë, veç komunitet serb”.
“Populli serb zgjedhjet i ka në Serbi, më 25 tetor”, ka shkruar Donika Gërvalla.
Këtë postim ajo e ka bërë pasi Igor Simiq e propozoi Slavko Simiqin duke deklaruar se propozimi vjen në emër të popullit serb.
“Në emër të popullit serb dhe me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që e bëjnë shumicën e deputetëve serbë e propozojmë Slavko Simiqin për nënkryetar”, ka thënë Igor Simiq.
Ndërkaq Vigan Qorrolli ka thënë se Kushtetuta nuk njeh kategori institucionale si “populli serb”.
“Ajo njeh komunitetet që u përkasin komuniteteve joshumicë, ndërsa përfaqësimi i tyre institucional ndërtohet mbi të drejta të komuniteteve dhe jo mbi pretendimin për një mandat ekskluziv në emër të një “populli”. Prandaj, askush nuk mund ta shndërrojë një kategori kushtetuese -- komunitetin joshumicë serb -- në një kategori tjetër që Kushtetuta nuk e njeh “popullin serb” dhe pastaj të ndërtojë mbi këtë pretendim një të drejtë ekskluzive për një pozitë kushtetuese. Kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për kandidaturën për nënkryetar të Kuvendit”, ka shkruar ai.
E deputeti tjetër, Ilir Kërçeli, i ka bërë thirrje prokurorisë që të merret me deklaratën e Simiqit.
“Nuk ka votë për Simiqin. Për të ka vetëm thirrje për Prokurorinë, lidhur me deklaratën e bërë gjatë propozimit të tij”, ka shkruar ai.
Seanca konstituive ka shkuar në pauzë prej 30 minutash. Kryeparlamentarja e sapozgjedhur, Albulena Haxhiu, ka thënë se me partitë nuk është arritur dakordimi për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.
Haxhiu ka thënë se ka propozime që të gjithë të votohen në një pako e se ka rezerva nga të tjerë për këtë formë. Ajo po ashtu ka kërkuar nga Lista Serbe që emrin e nënkryetarit ta propozojë me shkrim.
Deputeti i LVV-së, Arton Konushevci ka kërkuar sanksionim nga autoritetet kompetente për mënyrën se si Simiq e propozoi emrin për nënkryetar të Kuvendit.
Sipas tij, në Republikën e Kosovës propozimet institucionale kanë rregulla të qarta kushtetuese, derisa shkeljen e Simiqit e ka quajtur të qëllimshme.
“Në Republikën e Kosovës, propozimet institucionale kanë rregulla të qarta kushtetuese, andaj kjo shkelje e qëllimshme nga deputeti serb, Simiq, i cili propozoi nënkryetarin e Kuvendit në emër të popullit serb, duhet të sanksionohet nga autoritetet kompetente”, ka shkruar ai.
Kuvendi në pauzë, s’ka dakordim për formën e votimit të nënkryetarëve
Seanca konstituive ka shkuar në pauzë prej 30 minutash. Kryeparlamentarja e sapozgjedhur, Albulena Haxhiu, ka thënë se me partitë nuk është arritur dakordimi për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.
Haxhiu ka thënë se ka propozime që të gjithë të votohen në një pako e se ka rezerva nga të tjerë për këtë formë. Haxhiu po ashtu ka kërkuar nga administrata që të njoftojë “me formën e propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, nëse është në linjë me Kushtetutën apo jo”.
Paraprakisht, partitë propozuan emrat e tyre për nënkryetarë. Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Ardian Golën, PDK-ja Vlora Çitakun, LDK-ja Kujtim Shalën, ndërsa nga komunitetet Sllavko Simiq nga serbët dhe Emilija Rexhepi nga komunitetet tjera.
Pa zgjedhjen e nënkryetarëve Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar.
Albulena Haxhiu rizgjidhet kryetare e Kuvendit
Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit.
Në seancën konstituive, ajo mori 62 vota për, 16 ishin kundër dhe 13 abstenuan. Abstenimet erdhën nga LDK-ja e votat kundër nga PDK-ja.
Ajo do ta udhëheqë legjislaturën e 11-të të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Haxhiu qe kryetare e Kuvendit edhe në legjislaturën e shkuar.
Ajo është edhe ushtruese detyre e presidentes.
Vetëvendosja propozon Albulena Haxhiun për kryeparlamentare
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares.
Për t’u zgjedhur duhen 61 vota.
Haxhiu ka qenë kryeparlamentare edhe në legjislaturën e shkuar. Ajo është edhe ushtruese detyre e presidentes që prej largimit të Vjosa Osmanit nga ky post.
Kurti sërish: Konstituimi nuk i shmang zgjedhjet
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit, se marrëveshja politike e arritur më herët (me LDK-në) duhet të sigurojë edhe votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka thënë se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re nuk do t’i shmangnin zgjedhjet e reja nëse nuk arrihet të zgjedhet edhe presidenti i vendit.
“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja, nëse nuk e zgjedhim edhe Presidentin. E për ta zgjedhur presidentin, ose presidenten, neve na duhet që t’i kemi dy të tretat, që kuorumi të jetë i pranishëm në Kuvend, tash Kuvendi i konstituuar kur të bëhet legjislatura në dhjetë, por marrëveshja politike duket që s’ka qenë e mjaftueshme, andaj ne e kemi të domosdoshme që t’i kemi aty të gjithë deputetët e marrëveshjes, për kandidatin tonë të përbashkët, profesor Bekim Sejdiun, ose të kemi edhe deputetë shtesë. Pra, kjo është shumë e rëndësishme, por meqenëse kemi marrëveshje politike dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar Avni Dehari e ka thirrur seancën konstituive, ne i përgjigjemi pozitivisht asaj”, tha Kurti.
Pavarësisht marrëveshjes, gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president. Tani votat nuk janë të sigurt pasi pa votat e tyre, nuk garantohet qëndrimi i 80 deputetëve në sallë siç kërkohet për dy rundet e para të votimit të presidentit.
“UÇK na bashkon” në foltoren e Kuvendit për seancën konstituive
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë vendosur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në foltoren e Kuvendit në prag të seancës konstituive.
“UÇK na bashkon” shkruhet nën të.
Kjo parti ka ndërlidhur konstituimin me vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se për Kosovën është me rëndësi që të ketë Kuvend në kohën kur Specialja merr vendim për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Murati pret reflektim nga opozita për presidentin: Është afër të gjendet zgjidhja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se pret reflektim nga deputetët e opozitës për votimin e presidentit. Sipas tij, zgjidhja është afër.
“E keni pa, herën e fundit e konstituam Kuvendin dhe formuam Qeverinë në afat rekord. Por pastaj çështja e presidentit na çoi në zgjedhje. Shpresojmë që do të ketë reflektim nga deputetët e opozitës. Tash kandidatin për president e kemi, është afër të gjendet zgjidhja, shpresoj që të reflektojnë deputetët e opozitës”, ka thënë ai para vazhdimit të seancës konstituive për legjislaturën e 11-të.
Hamza: Kosova të mos mbetet pa kuvend, 16 shtatori datë tepër e rëndësishme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sërish ka ndërlidhur datën e vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, 16 shtator nuk duhet ta gjejë Kosovën pa Kuvend.
“Ne si Parti Demokratike kemi konkluduar se kuvendi është dashur të konstituohet brenda afatit kushtetues. Sidoqoftë, Kosova duhet të ketë kuvend të konstituar. Unë dua të besoj, duhet të besoj që nuk ka kalkulime të mëtejshme politike që Kosova të vazhdojë të mbetet pa kuvend dhe për neve si Partia Demokratike e Kosovës është tepër e rëndësishme data 16 tetor. Ne presim vendim lirues për udhëheqësit e UÇK-së dhe çlirimtarët e Kosovës. Lufta e UÇK-së dhe e popullit të Kosovës ka qenë luftë e drejtë, luftë për liri, për pavarësi, për dinjitet dhe mbi bazën e asaj që është zhvilluar, është e papranueshme që të ketë asnjë mundësi dhe asnjë arsye tjetër që vendimi të jetë ndryshe përveç vendimit lirues dhe i presim çlirimtarët tanë që të jenë në Kosovë, te familjet e tyre, shtëpitë e tyre dhe territoret e tjera”, ka thënë ai para hyrjes në seancën konstituive.
Protestë para Kuvendit, deputetët “bien klluq”
Me protestë janë pritur deputetët para Kuvendit të Kosovës, në vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të.
Agim Pllashniku ka hedhur kashtë, si dhe ka vendosur vezë dhe një pulë para hyrjes së Kuvendit.
Sipas tij, deputetët “kanë rënë zyrtarisht klluq” tash e dy mandate, duke bllokuar institucionet.
Sot deputetët janë mbledhur për të konstituuar legjislaturën e dalë nga 7 qershori.
VIDEO:
Zemaj: Nuk do të votojmë pro zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga VV-ja
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit.
Zemaj ka thënë se ky është vendim i grupit parlamentar të LDK-së dhe se të gjithë deputetët do të votojnë kundër, përveç nëse ndonjëri vendos personalisht ta ndryshojë qëndrimin.
“Nuk do të votojmë pro zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga VV-ja. Të gjithë. Ky është vendim. Veç nëse dikush personalisht ka ndryshuar, është në vullnetin e tij”, ka thënë Zemaj para vazhdimit të seancës konstituive.
Ai paralajmëroi se, bazuar në zhvillimet e fundit politike, konstituimi i Kuvendit mund të zgjatet edhe më tej.
“Si sjellje politike që i kemi parë kohët e fundit, mund të ketë stërzgjatje të konstituimit të Kuvendit. Tash jemi në situatë ku ka besim se ka shkelje të Kushtetutës për shkak të afateve, por vullneti politik i partive që t’i japin Kosovës institucione ka qenë si vullnet i mirëbesimit”, tha ai.
Sipas Zemajt, në seancën e sotme mund të ketë edhe përpjekje politike që, sipas tij, janë në dëm të interesave të qytetarëve.
“Ajo që shihet qartë, kurthet politike në dëm të interesave të qytetarëve nga VV-ja dhe Kurti mund të jenë të pritshme edhe në seancën e sotme”, deklaroi Zemaj.