Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shtyhet sërish seanca konstituive, s’ka dakordim për votimin e nënkryetarëve

Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në vazhdimin e 9 shtatorit. Deputetët kanë zgjedhur Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ngërçi tash u krijua te votimi i nënkryetarëve.

Vazhdimi i seancës u shty për 11 shtator, në orën 11.

Pas propozimeve, Haxhiu kërkoi pauzë për t’u konsultuar për mënyrën e votimit, në pako të plotë apo jo. Ndërkaq pas saj, ajo u përplas me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, për mënyrën e propozimit duke i kërkuar ta tërheqë fjalimin. Simiq qe shprehur se propozimin e bën “në emër të popullit serb”.

VIDEO:

Haxhiu po ashtu bëri të ditur se as propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike për nënkryetarë, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, nuk kanë mbështetjen për t’u zgjedhur. Detaje për këtë qëndrim dha deputetja Arbërie Nagavci që e lidhi me deklarimet e Çitakut dhe Shalës për të mos marrë pjesë në votimin e presidentit. Ajo i akuzoi të dy se “po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”.

Ndërkaq partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë akuzuar VV-në për bllokadë të qëllimshme. Përparim Gruda i PDK-së ka thënë se partia e tij ka votë për cilindo nënkryetar, ndërsa Jehona Lushaku e LDK-së mbrojti kandidaturën duke thënë se “përvoja e tij i jep nder Kuvendit”.

VIDEO:

Çka ndodhi në seancën e fundit për konstituim të Kuvendit?

1 muaj më parë / 9 sht 2026 09:16
Time Kadrijaj

Photo: Driton Paçarada

Seanca e fundit për konstituim të legjislaturës së njëmbëdhjetë, e mbajtur më 8 gusht, u ndërpre mes tensioneve pas kërkesës së përsëritur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që t’i jepet kohë për t’u arritur një marrëveshje për presidentin. Sot kjo seancë pritet të vazhdojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, çka do ta finalizonte konstituimin. 

Seanca qe ndërprerë fillimisht më 6 gusht. Pas betimit të deputetëve, Kurti doli në foltore dhe kërkoi kohë për një marrëveshje për presidentin para se të vazhdohej me konstituimin e Kuvendit. Të njëjtën gjë e bëri edhe dy ditë më pas, në seancën që u mbajt 12 orë pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituim të Kuvendit brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve. 

Pasi Kurti për herë të dytë kërkoi kohë, situata pati eskaluar në sallën e Kuvendit.

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kishte hedhur vezë në drejtim të Kurtit dhe u pasua edhe me shtyrje fizike mes ligjvënësve.

Me këshillën e ushtrueses së detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Feride Podvoricës, kryesuesi i seancës si deputeti më i vjetër, Avni Dehari, e pati mbyllur seancën. 

Që atëherë, pavarësisht aktgjykimit të Kushtetueses se vazhdimi i seancës duhet thirrur më së largu 48 orë nga mbyllja e saj, VV-ja nuk e ftoi deri sot. Opozita vazhdimisht është ankuar në shkeljen e afateve kushtetuese. Aleanca ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen në Kushtetuese, teksa PDK-ja ka thënë se për këtë do të vendosë pas 16 shtatorit, ditën kur pritet të jepet vendimi për ish-krerët e UÇK-së. 

Ndërkohë, numrat për presidentin ende duken larg. 

Seanca konstituive u shty për marrëveshje për presidentin, u ftua pa qenë të sigurta votat

1 muaj më parë / 9 sht 2026 09:04
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Ndonëse arsyetimi për shtyrjen e seancës konstituive qe se pa një marrëveshje për presidentin, është i kotë konstituimi i Kuvendit, vazhdimi u caktua edhe pse votat s’janë të sigurta.

“Takimet dhe komunikimi imi si kryeministër në detyrë dhe kryetar i subjektit fitues Lëvizja Vetëvendosje me kryetarët e partive të tjera parlamentare kanë vazhduar. Marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja iu lus për kohë shtesë”, pati thënë kryetari i VV-së, Albin Kurti, në seancën e 8 gushtit.

Ai pati thënë se pa një marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk shmangin zgjedhjet e reja.

Marrëveshja u arrit, por votat nuk janë të sigurta.

Vazhdimi i seancës konstituive u ftua për sot, një muaj përtej afatit kushtetues që përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh prej certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Në arsyetimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, u tha se seanca u ftua pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për emrin e Bekim Sejdiut për president. Megjithatë, votat për të nuk janë të sigurta pasi gjashtë deputetë të LDK-së haptas kanë dalë kundër duke e bërë të pasigurt praninë e të paktën 80 deputetëve në seancë siç kërkohet për dy rundet e para të votimit të presidentit.

Pa këto 6 vota, me 12 deputetët e tjerë të LDK-së dhe 53 të VV-së, por edhe nëntë nga minoritetet numri shkon në 74.

PDK-ja e LDK-ja marrin pjesë në seancën konstituive, Aleanca e bojkoton

1 muaj më parë / 9 sht 2026 08:48
Kuvendi - Buxhet

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Edhe pse e kanë cilësuar vazhdimisht si përtej afateve kushtetuese, vetëm Aleanca nga partitë opozitare ka vendosur për të bojkotuar vazhdimin e seancës konstituive, të ftuar për sot.

Dy partitë më të mëdha opozitare, që kanë edhe të drejtën e propozimit të nënkryetarëve të Kuvendit, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë, ndonëse afati kushtetues për konstituim ka skaduar prej më shumë se 30 ditësh.

PDK-ja e ka ndërlidhur seancën me 16 shtatorin, ditën e shpalljes së aktgjykimit në Hagë. Në PDK kanë thënë se kur të shpallet vendimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kosova duhet të ketë të paktën Kuvend të konstituuar.

E në LDK kanë dhënë arsye të tjera, duke thënë se konstituimi i hap rrugë edhe funksionalizimit të institucioneve, por edhe mundësisë për qartësim juridik të situatës. Megjithatë, në këtë parti ka pasur zëra për bojkot.

Për dallim nga këto dy parti, Aleanca ka njoftuar se do të bojkotojë vazhdimin me arsyetimin se “nuk duan ta legjitimojnë shkeljen e Kushtetutës”.

Por Aleanca me 7 deputetë nuk ka të drejtën e postit të nënkryetarit. Kuvendi për t’u konstituuar duhet të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarë. Tre nënkryetarë u takojnë tri grupeve më të mëdha parlamentare dhe dy nga radhët e komuniteteve.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar më 7 gusht, ndërsa seanca e fundit është mbajtur një ditë më vonë.

Sot vazhdimi i seancës konstituive

1 muaj më parë / 9 sht 2026 08:31
Kuvendi i Kosovës

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Me fillim nga ora 11:00 është ftuar vazhdimi i seancës konstituive për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Në rendin e ditës të dërguar nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit janë dy pika, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit ka kaluar afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituim që prej ditës së certifikimit. Partitë opozitare kanë kritikuar në vazhdimësi kryesuesin e seancës Avni Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, për mosftesën e seancës.

Në dy raste, deputetët u mblodhën për konstituim, por kryetari i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për të negociuar për çështjen e presidentit.

Sipas tij, pa marrëveshje për presidentin zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme. Seancat në fjalë ishin mbajtur përtej afatit 30 ditor, e tashmë kanë kaluar edhe 30 ditë të tjera.

Dehari e ka ftuar për 9 shtator vazhdimin e seancës, pas marrëveshjes VV-LDK për presidentin, sado që 6 deputetë të LDK-së kanë dalë kundër dhe numrat aktualisht nuk mjaftojnë për votim në dy rundet e para.