Përditësim - Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka parë vullnetin nga LDK-ja që "vendit t'ia sjellë një president".
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim. Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha Kurti pas takimit.
Kurti ritheksoi se ka vullnet për marrëveshje për presidentin, duke shtuar se ky vullnet "duhet të na bëjë optimistë".
“Vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president duhet të na bëjë optimistë... kemi vullnet për interes dhe përgjegjësi shtetërore e demokratike për kreun e shtetit”, tha Kurti.
I pyetur për diskutimin e emrave për presidentë, Kurti u është përgjigjur gazetarëve se “nuk është ky vendi ku mund të flas për emra” duke shtuar se partitë duhet të konsultohen për çështje të tillë.
“Diskutuam hollësisht, thellësisht për kriteret që duhet ti ketë figura presidenciale, vëzhguar edhe aspektin e viteve dhe dekadave të historisë sonë më të re, shikuam sektorët e ndryshëm të shoqërisë dhe profesioneve, por meqë është proces shumë i ndjeshëm, pa shkuar në konsultime te subjektet tona, në këtë fazë nuk mund të them më shumë se kaq. Nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”.
Ishte takimi i katërt mes LVV-së dhe LDK-së në tentim për arritje të një marrëveshjeje.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit.
Para takimit, Kurti tha se synimi është që me mirëbesim dhe në një atmosferë pozitive të diskutohet për mënyrën se si mund të ecet përpara drejt konstituimit të institucioneve.
“Do të takohem me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun kryetar dhe do të shohim si mund të ecim përpara që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive si gjithmonë”, deklaroi Kurti.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë me deputetët Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri po ashtu kanë mbërritur në Kuvend për takim me Kurtin, raporton Ekonomia Online.
Hoti për Kurtin: Vetëm dikush kundër ekzistencës së shtetit, e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje
Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i gjithë procesi i themelimit të institucioneve që duhet të dalin nga zgjedhjet “është në terren jokushtetues”. Ai ka dhënë tri arsye për këtë.
Hoti ka thënë se Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve, andaj sipas tij, “kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet”.
Së dyti, ka thënë Hoti, funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues pasi kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë, dhe sipas ligjit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione në qeveri. Hoti ka deklaruar se vendimet e kësaj qeverie janë “qartësisht të kontestueshme” dhe se për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme.
Ndërsa të tretën si jokushtetuese Hoti ka renditur si arsye ushtrimin e detyrës së presidentes. Ai ka thënë se nga betimi si deputete, ish-kryetarja e Kuvendit nuk mund të ushtrojë detyrën e presidentes.
“Ajo nuk është më Kryetare e Kuvendit, pasi ajo legjislaturë është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të ri”, ka shkruar ai.
“Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë. Vetëm dikush që kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie”, ka deklaruar Hoti.
Të martën u takuan kryetarët e LVV-së, Albin Kurti, me të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas takimit nga të dy u tha se ka vullnet që të gjendet zgjidhje për presidentin, ndërsa u la e hapur rruga për takime të tjera rreth emrave konkretë.
Pas takimit ka reaguar edhe deputeti tjetër i LDK-së, Arben Gashi.
“Shumë zhurmë, shumë premtime, shumë pritje e në fund, asgja. Kjo asht ajo që ndodh kur propaganda e zëvendëson punën, e pushteti madhështinë e premtimeve”, ka shkruar ai në Facebook.
Po ashtu ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
“Albin Kurti duke kërkuar një president me vlera, kontribute dhe merita!!!! Qysh po i bie kjo tash, derisa vendi po mbahet pa institucione funksionale dhe në mospërputhje me Kushtetutën. Një president i tillë, në fakt, nuk do ta lejonte një Albin të tillë. Mbetet të shihet, ndoshta ‘ndryshon’”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Abdixhiku: U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë e njëherit edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të shkohet me emra konkretë për presidentin a presidenten e Republikës së Kosovës.
Për këtë çështje, Abdixhiku ka deklaruar se kanë kërkuar kohë për ta diskutuar e konsultuar edhe brenda subjekteve një emër specifik.
“Nuk duam një president të parëndësishëm por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrë e vet para se të vijmë me emra konkret në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifik, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkret në takimet e ardhshmë por në fund të ketë një emër”, ka thënë Abdixhiku.
Njësoj si Kurti edhe Abdixhiku deklaroi se në këtë takim nuk është diskutuar për emra por për profile. Mundësinë e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje, Abdixhiku e ka quajtur çështje të mbyllur.
VIDEO:
“Në këtë takim diskutuam me vullnet të mitë për kriteret dhe profilin potencial të presidentit apo presidentes së ardhshme të Republikës së Kosovës. Ka vullnet të dyanshëm rreth këtij profili se si duhet të duket. Këto kritere janë të qarta; një president që e do Republikën, e mbron Republikën, e ushtron demokracinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi vonë shumë, çështja e presidentit duhet ta lirojë Kosovën. Nuk kemi folur për emra”, ka thënë Abdixhiku pas takimit me Kurtin.
Lidhja Demokratike e Kosovës së fundmi ka hequr dorë nga kërkesat për marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve. Kjo parti ka kërkuar që presidentit të jetë konsensual dhe jopartiak.
Ndërkohë dy partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, kanë refuzuar të gjitha ftesat për takim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe po kërkojnë konstiutimin e Kuvendit të Kosovës. Një gjë të tillë e ka refuzuar LVV-ja “derisa të ketë një marrëveshje politike”, për siç ka thënë – shmangien nga zgjedhjet.