Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova dizajnon thirrjen për paqe nëpërmjet 100 posterëve

Poster Fest

E thjeshtë në dukje, aktuale po se po, domethënëse dhe e domosdoshme në kohë si këto. “Thirrje për paqe”, është tema e edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Posterit në Prishtinë. Janë 100 posterë nga më shumë se 30 vende të botës që do t’i bashkohen kësaj thirrjeje nga një vend që 27 vjet më parë ka dalë nga lufta. “Kur bota është kaq e trazuar, Kosova del me një mesazh paqeje”, ka thënë Rrezeart Galica, themelues dhe drejtor i Festivalit

Në botën e trazuar e të mbërthyer prej luftërave, Kosova del me mesazh paqeje. Kësaj radhe këtë do ta bëjë nëpërmjet posterëve. Janë 100 posterë nga më shumë se 30 vende të botës që do të bashkohen në Prishtinë me Festivalin Ndërkombëtar të Posterit, një ngjarje unike jo vetëm në Kosovë, por edhe në skenën ndërkombëtare. Tema e edicionit të sivjetmë ka qenë gati e determinuar. E thjeshtë në dukje, aktuale po se po, domethënëse dhe e domosdoshme në kohë si këto: “Thirrje për paqe”. Festivali përherë ka qenë në kohë me tema e përjashtim nuk bën as me edicionin e gjashtë. Kaq vjet i kanë mjaftuar që të fuqizohet edhe në rang ndërkombëtar, sjellja e emrave të mëdhenj të kësaj fushe nuk është më problem, por mbi të gjitha edhe ta ndryshojë perceptimin për artin e posterit në vend që kishte qenë synim prej se u themelua kjo ngjarje. Festivali hapet të enjten e kësaj jave në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. 

Rrezeart Galica, themeltar e drejtorit i Festivalit, sivjet mban edhe barrën e kuratorit. Tri ditë para hapjes solemne ai ka zbardhur disa prej detajeve të edicionit të sivjetmë. 

“Në bisedën tonë me komunitetin organizativ të Festivalit i kemi propozuar disa tema, por marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendet sot bota, thirrja për paqe nga një vend sikur Kosova, kemi menduar se do të jetë një temë provokuese edhe për të tjerët, por njëkohësisht edhe atraktive për dizajnerë artistë që të marrin pjesë dhe vështrimin e tyre për këtë temë ta japin përmes posterit”, ka thënë Galica të enjten, i ftuar në emisionin “Express” në Kohavision. Tema ka provokuar përherë e më shumë harta e vendeve prej nga vijnë artistët zgjerohet njësoj sikurse edhe interesimi për pjesëmarrje. 

“Është shumë me rëndësi ta përmend që dizajnerë nga diku rreth 43 vende kanë aplikuar me rreth 319 posterë, mirëpo duke pasur parasysh që ne i kemi disa kritere ku kemi vendosur një parajuri dhe pastaj jurinë kryesore, kemi arritur që këtë numër ta reduktojmë në 100 më të mirët. Por kjo nuk do të thotë se pjesa tjetër e posterëve nuk janë të mirë, mirëpo këtyre u është dhënë rasti për t’u ekspozuar, sepse edhe po t’i pranonim të gjithë posterët do të ishte problem për t’i prezantuar në një vend”, ka thënë ai duke shtuar se në mesin e 100 posterëve që do të ekspozohen, 90 janë realizuar nga profesionistë dhe të tjerët nga studentët pjesëmarrës.

Temën e sivjetme, tek e ka cilësuar si ngacmim, ka thënë se nëpër botë është marrë me pozitivitet dhe është trajtuar edhe nga ato vende në të cilat ka luftë si, Ukraina, Irani, apo Palestina e Izraeli. 

“Kjo është shumë e veçantë sepse ata po e përjetojnë luftën në barrën e tyre dhe në të njëjtën kohë po janë të gatshëm të reflektojnë për këtë temë në këtë edicion të Festivalit. Do të jetë shumë më atraktive edhe ekspozita me punime të larmishme nga mbarë bota dhe besoj se mesazhin do ta përçojnë përmes këtij edicioni, i cili është shumë i qartë për gjithë botën, se paqja është e vetmja zgjidhje që krijon harmoni te njerëzit dhe që e shpie botën përpara”, ka thënë ai. 

Vitin e kaluar, në edicionin e pestë, “Demokracia” ka qenë tema. Nuk ishte cilësuar vetëm si një ekspozitë, por një hartë e mendimit global mbi lirinë, konfliktin, pjesëmarrjen dhe frikën që shpesh e shoqëron të vërtetën publike. Posterët do të sillnin fragmente të një bote që lëviz në ritme të ndryshme. Liria e shprehjes paraqitej si megafon i gjymtuar, e në një tjetër kufijtë e brishtë mes së drejtës dhe kontrollit vizualizoheshin me kontraste të forta. Në një tjetër poster, një hartë e Kosovës mbante të shtrënguar simbolin e paqes. Pikërisht atë që e thërret sivjet. 

“Posteri nuk ka vetëm një mundësi të afirmimit të një çështjeje ose një kauze, por posteri ka për qëllim edhe edukimin e gjeneratave, ka mundësi të tjera siç është informimi më i drejtë, mesazhi i duhur siç është rasti i këtij edicioni, kur bota është kaq e trazuar, Kosova del me një mesazh paqeje që mua ma kanë thënë edhe profesionistë të tjerë që vijnë nga vende më të mëdha, të cilët ia kanë zili organizimit e këtij festivali kaq prestigjioz, sepse po vjen nga një vend i vogël”, ka thënë ai. “Zilia” është përkthyer në dëshirë për pjesëmarrje e emri i Festivalit Ndërkombëtar të Posterit në Prishtinë tashmë nuk është i panjohur. Këtë e konfirmon edhe përbërja e jurisë. 

“Juria dhe kriteret janë shumë të ndërlidhura me njerëzit që janë në juri. Sot të kontaktosh dhe ta kesh në juri një kalibër sikur David Carson, që është njëri prej emrave më të njohur në historinë e dizajnit të Amerikës, i cili edhe sot punon dhe ka arritur të krijojë brend me emrin e tij, do të thotë është një risi që në festivalet e tjera dhe ekspozitat, deri tash nuk e kemi parë këtë emër. Kjo na gëzon shumë sepse nesër edhe mund ta kemi mes nesh si mysafir, i cili do të takojë profesionistët, të cilët janë rritur me emrin e tij dhe njëkohësisht edhe studentët do të njohin njeriun për të cilin kanë mësuar në histori si personazh dhe do ta kemi në mesin tonë”, ka thënë Galica. 

Anash edicionit të sivjetmë, kur qe themeluar, Festivali Ndërkombëtar i Posterëve nuk ishte konceptuar thjesht si një ngjarje që bashkon posterë nga të katër anët e botës. Kishte pasur edhe një mision. 

“Në Kosovë sa i përket posterit ka qenë një mentalitet pezhorativ, sepse posteri është përdorur më së shumti në politikë. Festivali ka pasur për qëllim ta zhbëjë këtë mentalitet, do të thotë në njëfarë forme të sjellë krejt ato mundësi që i ka posteri”, ka thënë themeluesi. 

Në edicionin e kaluar, Festivali pas Prishtinës qe zhvendosur edhe në Tiranë e në Shkup. Tash aspiratat shkojnë edhe më tej. 

“Zakonisht e bartim ekspozitën e festivalit në vende të ndryshe, e kemi bartur në Tiranë, në Shkup dhe këtë radhë po mëtojmë ta dërgojmë edhe në Spanjë dhe në New York. Do të shohim mundësitë për këtë, ne jemi tashmë në negociata me galeri të ndryshme dhe kjo mundësi pastaj sigurisht se do të tërheqë edhe në edicionin e ardhshëm edhe më shumë pjesëmarrës”, ka thënë ai. Për ta bërë këtë, rruga është më e lehtë. 

“Kemi arritur që të jemi pikë reference dhe kjo është shumë me rëndësi. Ky edicion e vulos faktin se jemi pikë reference, përderisa kemi aq shumë shtete që kanë filluar të marrin pjesë, gjë që na hap shumë mundësi të tjera që ekspozita e këtij festivali të mund të bartet edhe në ndonjërin prej shteteve që nuk na kanë pranuar, gjë që do të ishte një sukses i madh për ne”, ka thënë Rrezeart Galica. 

Pavarësisht nëse kjo ngjan shpejt, një gjë është e sigurt: thirrjen për paqe bota do ta dëgjojë sivjet nëpërmjet artit të posterit. Kosova e ka “dizajnuar” tashmë nëpërmjet 100 posterëve që presin të ekspozohen.