Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti kërkon takim me Hamzën e Abdixhikun për nënkryetarët e Kuvendit

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit konstituimin e Kuvendit, duke mos i mbështetur propozimet e tyre për nënkryetarë. E Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim liderët e PDK-së dhe LDK-së, me synimin për të arritur një dakordim për këtë çështje.

Pajtueshmërinë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, që nuk e patëm në vazhdimin e seancës konstituive, Lëvizja Vetëvendosje synon ta arrijë në një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, e atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Për këtë, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se i ka ftuar në takim dy liderët e këtyre partive.

Ai u ka bërë thirrje për qasje konstruktive në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.

“Unë jam në kontakt përveç se me kryetarin e LDK-së, i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve. Meqenëse nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitiv e konstruktiv dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituar, shpejt qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, ka theksuar Kurti.

Duke folur për situatën rreth propozimit të Listës Serbe për nënkryetarë të Kuvendit, Kurti ka thënë se deklarata e përfaqësuesit të kësaj partie ishte, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.

Ndërsa Shefja e G. P. të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk do ta votojnë propozimin e Listës Serbe pa u tërhequr deklarata e Simiqit, ndërsa nuk kanë votë as për propozimet e PDK-së dhe LDK-së.

“Deklarata e Simiqit është e papranueshme dhe bie ndesh me Kushtetutën. Kërkova ta tërheqë fjalën, pati deputetë që nuk e konsideruan problematike. E çështja e dytë është se propozimet e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku përkatësisht Kujtim Shala, që të gjithë jemi dëshmitarë që të dy deputetët ndërkohë kërkojnë votë për veten e tyre, të njëjtit deputetë thonë se nuk do të marrin pjesë në votimin e presidentit dhe po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar Nagavci.

Por drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kanë faturuar Lëvizjes Vetëvendosje dështimin e konstituimit të Kuvendit.

Deputetët e këtyre dy partive thanë se kjo çka ndodhi ishte vetëm arsyetim i Vetëvendosjes për të zvarritur përmbylljen e seancës konstituive.

Por drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kanë faturuar Lëvizjes Vetëvendosje dështimin e konstituimit të Kuvendit.

Deputetët e këtyre dy partive thanë se kjo çka ka ndodhur ishte vetëm arsyetim i Vetëvendosjes për të zvarritur përmbylljen e seancës konstituive.

“PDK-ja voton nënkryetarë të Kuvendit çfarëdo forme qoftë… nga një, nga dy, nga tre… nga pesë. Me votë të fshehtë, me votë të hapur, qysh do qoftë PDK-ja do t’i votonte, nëse VV-ja do të siguronte se do ta konstituonte Kuvendin. Pra, nëse VV-ja i garanton popullit të Kosovës se do ta konstituonte Kuvendin sot, PDK-ja voton çdo formë, çdo procedurë, sepse është një moment historik, është ngjarje e 16 shtatorit. Qëllimi është të mos konstituohet kuvendi, nuk po duan dhe për atë arsye po krijojnë pengesa”, ka thënë deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

Kritike ndaj LVV-së është shprehur edhe deputetja nga radhët e LDK-së, Jehona Lushtaku.

“Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga VV-ja për propozimet që i kanë bërë partitë e tjera për nënkryetar. Në emër të LDK-së shprehim indinjatën tonë. Ne kemi për obligim që t’i japim propozimet tona më të mira”, ka thënë ajo.

Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në vazhdimin e 9 shtatorit.

Deputetët kanë zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, por ngërçi tash u krijua te votimi i nënkryetarëve.