Ndryshimi i qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e formimit të institucioneve nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, edhe kur janë bërë katër orë prej deklaratës së LDK-së.
“Partneri i vetëm potencial” i VV-së pas zgjedhjeve të 7 qershorit njoftoi se ka hequr dorë nga të gjitha kërkesat për përfshirje në institucione – Qeveri, Kuvend a Presidencë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja kërkon vetëm që presidenti të jetë konsensual dhe jopartiak. Tërheqjen nga kërkesat ai e proklamoi me “nevojën për të shmangur krizën” dhe “pasigurinë juridike në të cilën është futur Kosova”.
Të pyetur për këto zhvillime, në zyrën për informim në Vetëvendosje nuk kanë kthyer përgjigje.
LDK-ja ishte e vetmja me të cilën negocioi Vetëvendosje për formim të institucioneve. Dy partitë tjera parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, refuzuan takimet me Albin Kurtin.
LDK-ja në vazhdimësi ka bërë thirrje që të ketë “balancë pushtetesh” duke kërkuar postin e presidentit. Por Kurti e pati vlerësuar kërkesën si “diskrepancë të madhe” me rezultatin zgjedhor të LDK-së më 7 qershor. Partia e Abdixhikut i ka siguruar 18 ulëse në Kuvend, pasi sërish doli parti e tretë. Vetëvendosje ka fituar 53 ulëse.
Tani LDK-ja ka bërë thirrje që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet sa më shpejtë e që Kurti ta formojë i vetëm Qeverinë. Kërkesa e njëjtë është shtruar tash e sa ditë edhe prej PDK-së e Aleancës.
Edhe
Zemaj: Menduam se ndryshimi sjell sukses, por shumica mendoi ndryshe
Të premten e shkuar ka qenë afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese, brenda të cilit duhej të konstituohej legjislatura e njëmbëdhjetë. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.
Deputetët e LVV-së, bashkë me ata të komuniteteve e pa përfshirë ligjvënësit e Listës Serbe, janë më shumë se 61, numër i mjaftueshëm për konstituimin e Kuvendit dhe për votimin e Qeverisë. Ndërkaq, për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit.