Ka dështuar edhe përpjekja e së mërkurës për një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për formimin e institucioneve të reja. Takimi Kurti-Abdixhiku i zhvilluar pa paralajmërim në Kuvend, nuk i ka dhënë zgjidhje postit të presidentit, të cilin LDK-ja e kërkon për vete.
Nuk ka prodhuar marrëveshje as takimi i tretë i realizuar ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Ndryshe nga dy takimet paraprake, ky i së mërkurës është zhvilluar në ndërtesën e Kuvendit, pa paralajmërim paraprak.
Kurti, që ka fituar zgjedhjet e 7 qershorit, nuk ka shprehur disponim për të dhënë detaje nga takimi, por ka konfirmuar mungesën e arritjes së marrëveshjes.
“Nuk kemi lajme, përderisa s’kemi marrëveshje. Po, kur ta realizojmë marrëveshjen, do të mund t’ju njoftojmë”, tha Kurti pas takimit.
E, Abdixhiku nuk është deklaruar dhe ka shmangur gazetarët, duke dalë nga dera e pasme e Kuvendit.
Edhe
Dështimi i tretë
Paraprakisht ai ka qenë në mbledhjen e parë të deputetëve të zgjedhur të partisë që drejton, e të cilët kanë shprehur qëndrimin se nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje, në rast se ajo nuk ia garanton LDK-së postin e presidentit.
Pas kësaj mbledhjeje, Abdixhiku ka refuzuar të japë informacione mbi detajet e negociatave me Kurtin.
Ndryshe nga takimi i së mërkurës dhe ai i së martës, Kurti e Abdixhiku patën shprehur optimizëm për marrëveshje kur shtrënguan për herë të parë duart, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.
Pas atij takimi kryetari i LDK-së nuk pati përmendur postin e kreut të shtetit, kurse Kurti ka insistuar se bartësi i këtij posti duhet të jetë apartiak.
Analisti politik, Artan Alija, ka shprehur bindjen se nëse nuk do të ketë koalicion mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme.
Edhe
Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë, shumë larg marrëveshjes eventuale
“Mbetet të shihet nëse LVV dhe z. Kurti janë të gatshëm të ia japin pozitën e presidentit të shtetit LDK-së, dhe nëse po, atëherë çdo gjë tjetër mund të tejkalohet. Pra nëse ka një pajtueshmëri të tillë atëherë konstituimi i institucioneve mund të bëhet shpejt, në të kundërtën sipas të gjitha gjasave nëse nuk ka një marrëveshje LVV-LDK vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje”, tha Alija.
Mbështetur në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme nëse brenda 60 ditësh pas konstituimit të Kuvendit nuk zgjidhet presidenti.