Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e Abidxhiku ende pa propozim për president

Albin Kurti - Lumir Abdixhiku

Diskutimet e brendshme për presidentin, që kanë paralajmëruar javën e shkuar kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk kanë ndodhur ende. Në LVV kanë paralajmëruar vazhdimin e takimeve për çështjen e presidentit, por njohësit e zhvillimeve politike janë skeptikë se këto diskutime mund të sjellin shpejt një marrëveshje

As në Lëvizjen Vetëvendosje e as në Lidhjen Demokratike nuk kanë treguar nëse krijimi i institucioneve do të marrë epilog javën që vjen.

Të martën e javës së kaluar, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, u takua me atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit. Pas takimit, të dy thanë se diskutimin do ta bartin edhe brenda subjekteve që udhëheqin. Megjithatë, gjatë javës së kaluar nuk pati mbledhje të organeve partiake, as në partinë e parë e as në të tretën.

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila mori pjesë në takimin e së martës, paralajmëroi takime të tjera. 

“Në përgjithësi, takimi i fundit ka shkuar mirë dhe nuk kemi ndonjë shenjë apo arsye për të menduar se ndërkohë diçka ka shkuar keq. Diskutimet kanë qenë konstruktive dhe presim që edhe takimet në vazhdim të vijojnë me sukses. Shpresojmë që përmes këtyre diskutimeve të arrihet një dakordim dhe të krijohen kushtet për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve”, ka deklaruar Nagavci. 

Kurti dhe Abdixhiku kanë deklaruar se në takimin e ardhshëm do të diskutojnë për emra konkretë, pasi në atë të së martës thanë se kanë diskutuar për kriteret që duhet t’i plotësojë presidenti i ri. 

Edhe Orët e fundit për presidentin, partitë ende pa marrëveshje Arbëri Orët e fundit për presidentin, partitë ende pa marrëveshje

Njëri nga këto kritere është që të jetë jopartiak. Kjo vjen pasi LDK-ja hoqi dorë nga kërkesa për ta marrë këtë pozitë, por edhe nga mundësia për bashkëqeverisje me LVV-në.

KOHA ka kërkuar qëndrim edhe nga zyrtarë të LDK-së, por gjatë së dielës nuk ka marrë përgjigje.
Por sipas gazetarit Fitim Gashi, edhe ky raund diskutimesh mes liderëve vështirë se do të prodhojë rezultat. Ai vlerëson se paralajmërimet për diskutime të brendshme mund të shërbejnë për të fituar kohë.  

“Duket se qëllimi kryesor ose qëllimi primar duket të jetë edhe shkuarja në zgjedhje të reja, pasi veç deri më tani nuk kemi parë një vullnet kështu për kompromis dhe për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë, për shkak edhe të urgjencës që ekziston aktualisht, pasi është një kohë e gjatë pa institucione të reja dhe rrezikojmë të mbesim edhe pa postin e presidentit, se veç ka mungesë dakordimi sa i përket emrit”, ka thënë Gashi.  

Sipas Gashit, LDK-ja nuk përfiton nga kjo zvarritje dhe duhet të insistojë që çështja të marrë epilog sa më shpejt. 

“Po, qëllimin e LDK-së, pra ishte që ose kishte një frikë për të shkuar në zgjedhje të reja, prandaj hoqi dorë nga insistimi për ta marrë postin e presidentit siç bëri në fillim, dhe kjo nuk do të duhej të ishte tashmë arsye për të që të shtyhet sa më shumë. LDK-ja, meqë i ka ofruar votat, le të themi, blanko kështu, pa kurrfarë kompensimi ose pa hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë do të duhej të insistonte që Lëvizja Vetëvendosje sa më shpejt t'i nxjerrë këta emra dhe ata të dilnin në Kuvend, pra emrat për postin e presidentit dhe të votoheshin, në mënyrë që të mos ketë zvarritje të tilla”, ka shtuar Gashi. 

Albin Kurti e Lumir Abdixhiku për herë të fundit janë takuar më 18 gusht. Të dy liderët janë shprehur se ka gatishmëri për të krijuar stabilitet institucional. 

“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pash vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim. Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa u përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, ka thënë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas takimit të 18 gushtit. 

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë e njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të shkohet me emra konkretë për presidentin a presidenten e Republikës së Kosovës. 

Edhe Kurti synon 60 për qind, Osmani i prin LDK-së Arbëri Kurti synon 60 për qind, Osmani i prin LDK-së

“Nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive... E di që fokusi është për emra specifikë, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme, por në fund të ketë një emër”, ka thënë Abdixhiku.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hequr dorë nga mundësia e drejtimit të Kuvendit apo nga pjesëmarrja në Qeveri. Ky subjekt ka vendosur të qëndrojë në opozitë, por ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në formimin e institucioneve të reja, përshirë edhe zgjedhjen e presidentit/es.  

Ndërkohë dy partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, kanë refuzuar të gjitha ftesat për takim të Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy subjekte insistojnë vetëm në konsituimin e Kuvendit, ndërsa nuk deklarohen nëse do të votojnë për presidentin e ri. 

LVV-ja në zgjedhjet e qershorit fitoi 53 vende në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Partia fituese bashkë me votat e komuniteteve joshumicë ka mundësi ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë. Por, për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit, vendi shkon në zgjedhje të reja edhe ato duhet të mbahen brenda 45 ditësh. 

Skenarin që çon në zgjedhje të reja e vlerësojnë të dëmshëm përfaqësitë e huaja diplomatike dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.  

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të paktën dy herë që nga mbajtja e zgjedhjeve u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka thënë për REL-in një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tre ditë më parë.

Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë më herët thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën institucionale. BE-ja ka paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.

Edhe Rexhaj: Ende nuk e dimë çfarë kërkon LDK-ja, emri i Osmanit s’është përmendur asnjëherë Arbëri Rexhaj: Ende nuk e dimë çfarë kërkon LDK-ja, emri i Osmanit s’është përmendur asnjëherë

Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës u janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, ndërsa pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave.

Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë përmbushës ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.