Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Emërohet pasuesja e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shqipërisë

Shërbimi Informativ i Shtetit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar të enjten Esmeralda Hasanin në detyrën e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), me propozim të kryeministrit Edi Rama.  

Hasani është juriste dhe ka një karrierë të lidhur me administratën shtetërore, akademinë dhe menaxhimin e projekteve ndërkombëtare. Ajo ka drejtuar institucione kërkimore, ka qenë këshilltare dhe shefe kabineti pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën, si dhe konsulente pranë Kryeministrisë. Para emërimit në krye të SHISH-it, Hasani kishte mbajtur edhe pozitën e shefes së Departamentit Mbështetës në këtë institucion. 

Esmeralda HASANI | Faculty Member | Doctor of Philosophy | Marin Barleti  University, Tirana | Research profile
Esmeralda Hasani

Ajo merr drejtimin e SHISH-it pas shkarkimit të Vlora Hysenit, e cila u largua nga detyra në shtator, pasi Gjykata e Posaçme caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës publike. Hyseni është nën hetim nga SPAK-u për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, pasi u zbuluan komunikimet me Ergys Agasin. 

Hetimi lidhet me dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ndërsa Hyseni ka mohuar akuzat për dhënien e informacionit sekret. Më 30 tetor SPAK-u regjistroi ndaj saj edhe një procedim të ri për dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.