Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim shtetasit gjerman që u kap duke kontrabanduar armë

arme

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special i ka caktuar një muaj paraburgim shtetasit të Gjermanisë i cili u zu një ditë më parë me 43 armë të gjata automatike në rajonin e Gjilanit.

Siç thuhet në njoftim, Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate për të dyshuarin në këtë rast pikërisht pasi është shtetas i Gjermanisë dhe mund të bëhet i paarritshëm për organet e drejtësisë.

“...po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që ka rrezik real dhe të arsyeshëm të përsëritjes së veprës penale, duke u mbështetur veçanarisht në mënyrën e dyshuar të kryerjes së tyre, sasinë dhe llojin e armëve të sekuestruara, përgatitjen paraprake të mjetit të transportit, si dhe rrethanat konkrete në të cilat është zbuluar armatimi”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë ai u arrestua pas ndalimit në rajonin e Gjilanit, ku pasi automjeti i të dyshuarit u dërgua për kontroll dhe skanim të mëtejshëm, u zbuluan dhe sekuestruan 43 armë automatike.

Ai dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.