Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Paraburgim tre të dyshuarve për mashtrime kompjuterike

Gjykata Themelore Prishtine

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve për mashtrime kompjuterike. 

M.P., I.H. dhe F.Z. u arrestuan të hënën në kuadër të një aksioni ndërkombëtar në disa shtete. 
Me urdhër të Prokurorisë Speciale operacioni është zhvilluar në pesë lokacione në tri qytete të ndryshme: Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në Kosovë, janë sekuestruar vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Prokuroria ka njoftuar se operacioni në Kosovë është realizuar në koordinim me autoritetet gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë.

M.P., I.H. dhe F.Z. dyshohen se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi”, “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “Mashtrimi kompjuterik”. 

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin. Në vlerësimin e Gjykatës janë marrë parasysh rrethanat që lidhen me rrezikun e ikjes, rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe në prova, si dhe rrezikun e përsëritjes veprave penale apo kryerjes së veprave tjera penale. Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se, në këtë fazë të procedurës, masat më të buta nuk janë të mjaftueshme për neutralizimin e këtyre rreziqeve dhe për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës penale, andaj gjykata konstatoi se masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e papenguar të procedurës penale në këtë çështje penale”, thuhet nga Gjykata Themelore e Prishtinës. 

Hetimi sipas njoftimit, ka nisur në vitin 2022, pas një ankese të një çifti gjerman, i cili ka investuar kursimet përmes një platforme online, por nuk ka arritur t'i tërheqë fitimet.

EUROPOL-i ka dërguar gjithashtu ekspertë në Kosovë dhe Shqipëri për të mbështetur hetimet digjitale dhe analizimin e provave të sekuestruara.

Sipas EUROPOL-it, skema funksiononte përmes platformave online që paraqiteshin si të ligjshme dhe premtonin fitime të mëdha nga tregtimi i kriptomonedhave, valutave të huaja dhe aksioneve.