Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti ka vendosur që të heqë dorë nga kërkesa për president apo marrëveshje politike për udhëheqje të institucioneve me Vetëvendosjen. “Le t’i ketë të gjitha LVV-ja”, ka thënë ai në një konferencë për media të enjten pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së. Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja do të ofrojë bashkëpunimin e saj për të zgjedhur një president jopartiak. Heqjen dorë nga kërkesat, Abdixhiku e ka proklamuar me “nevojën për të shmangur krizën”.
Abdixhiku ka thënë se oferta e Vetëvendosjes për LDK-në ka qenë që kjo parti “të bëhet dekor”. Sipas tij, VV-ja ia ka ofruar tri ministri LDK-së, duke i kërkuar postet tjera për vete.
Tek ka thënë se LDK-ja nuk pranon nënshtrim, Abdixhiku ka shtuar se për të shmangur futjen në një krizë më të thellë, kjo parti ka vendosur që të tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita, por që të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale.
“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri. Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit”, ka thënë Abdixhiku. “Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për LDK-në si partnere s’do ta ketë as si dekor. Në rrethana të tilla, do të qëndrojmë në opozitë, ku qytetarët na kanë vendosur dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, LDK-ja s’do ta shndërrojë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”.
Ai ka thënë se LDK-ja ka kritere për presidentin e ardhshëm. Sipas tij, kjo është që të ketë president që mbron Republikën dhe Kushtetutën.
Edhe
Vendi drejt zgjedhjeve, s’ka marrëveshje LVV-LDK për presidentin
“LVV-ja le ta formojë qeverinë me 61 deputetët e saj. Le ta ketë gjithë ekzekutivin. LDK-ja s’do t’i marrë pushtetin që ajo dëshiron ta mbajë, por as s’do ta ndajë përgjegjësinë për një pushtet ku nuk lejohet të ketë rol të denjë. Nga ky moment, zgjedhja është e qartë. LVV-ja mund ta zgjedhë stabilitetin institucional përmes një presidenti që e zgjedhim të gjithë bashkërisht, ne dhe ata. Dhe të qeverisë me shumicën e vet, ose ta çojë vendin drejt një krize shumë më të rëndë, përplasje më të rëndë, vetëm se nuk pranon as kufirin më të vogël të kompromisit demokratik”, ka shtuar ai.
“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak dhe jo president karate”, ka thënë ai duke shtuar se “propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”.
LDK-ja ishte partia e vetme që negocioi me Vetëvendosjen. Dy partitë tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca refuzuan takimet me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.
LDK-ja në vazhdimësi ka bërë thirrje që të ketë “balancë pushtetesh” duke kërkuar postin e presidentit. Por Kurti e pati vlerësuar kërkesën si “diskrepancë të madhe” me rezultatin zgjedhor të LDK-së më 7 qershor. Partia e Abdixhikut i ka siguruar 18 ulëse në Kuvend, pasi sërish doli parti e tretë.
E Vetëvendosja e Kurtit i ka 53 deputetë në Kuvend. Vetëm me votat e minoriteteve ajo mund ta formojë shumicën për Qeverinë dhe Kuvendin. Por për postin e presidentit në dy rundet e para të votimit duhet të qëndrojnë në sallë të paktën 80 deputetë.
Kurti në dy raste e ka shtyrë seancën konstituive duke kërkuar “kohë shtesë për negociata”. Ai ka thënë se pa zgjidhje për postin e presidentit, edhe me formim të Qeverisë apo konstituim të Kuvendit “pashmangshëm shkohet në zgjedhje të reja”. Afati prej 30 ditësh, sipas Kushtetutës, për konstituim të legjislaturës së re pas certifikimit të zgjedhjeve, tashmë ka kaluar të premten e shkuar.
Edhe
LDK-ja do “marrëveshje të madhe” me LVV-në
PDK-ja e Aleanca kanë protestuar qe dy ditë në Kuvend duke kërkuar me urgjencë mbajtjen e seancës konstituive.
Në një vit e gjysmë, Kosova i ka mbajtur tri palë zgjedhje. Në të fundit, të shkaktuara si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, numri një në listën e LDK-së ishte ish-presidentja, Vjosa Osmani.