Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hyseni drejt gjykatës, i drejtohet gazetares: Si kalon në takimet me agjentët serbë

Vlora Hyseni

Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, ka mbërritur të enjten në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të njihet me masën e sigurisë dhe akuzat ndaj saj.

Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa “arrest në shtëpi”, është shprehur shkurtimisht para gazetarëve gjatë hyrjes në objektin e gjykatës.

“Si kalon ti në takimet me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”, ka thënë ajo, duke iu drejtuar gazetares Klodiana Lala, raportojnë mediat në Shqipëri.

Seanca ndaj Hysenit do të zhvillohet me dyer të mbyllura. 

SPAK e ka vendosur Hysenin nën hetim në kuadër të një procedimi penal që lidhet edhe me persona të tjerë. Sipas njoftimit të GJKKO-së, ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi” dhe pezullimi i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik. 

Hyseni dyshohet se kishte lidhje intime dhe i jepte informacion Ergys Agasit, biznesmenit që u arrestua në fund të gushtit. Mbi Agasin rëndojnë disa vepra penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe grupin e strukturuar kriminal.

Para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, Vlora Hyseni kishte punuar për vite në strukturat e sigurisë në Kosovë. Ajo u emërua zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në shkurt të vitit 2019, me mandat pesëvjeçar.

Edhe Vlora Hyseni u dorëzohet autoriteteve shqiptare në Vërmicë Arbëri Vlora Hyseni u dorëzohet autoriteteve shqiptare në Vërmicë

Në dhjetor të vitit 2020, pas shkarkimit të drejtorit të atëhershëm të AKI-së, Kreshnik Gashi, Hyseni mori drejtimin e institucionit në detyrë. Ajo qëndroi në këtë pozitë deri në prill të vitit 2021, kur Petrit Ajeti u emërua drejtor i AKI-së.

Më 30 qershor 2021, presidentja e atëhershme Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti morën vendim për shkarkimin e Hysenit nga posti i zëvendësdrejtoreshës së AKI-së. Në njoftimin zyrtar të asaj kohe nuk u bënë të ditura arsyet e shkarkimit.

Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni kaloi në Shqipëri, ku fillimisht punoi si këshilltare për çështje të sigurisë e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në prill të vitit 2023 u emërua drejtoreshë e SHISH-it.