Gazetarja Fatjon Mejdini nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar, ka thënë se i akuzuari për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Ergys Agasi, me të cilin tanimë ish-shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, dyshohet se ka pasur një lidhje dhe i ka përcjell sekrete shtetërore, është njeri i afërt me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Hyseni të martën është shkarkuar nga pozita drejtuese në SHISH-it nga kryeministri Rama, pasi që Gjykata e Posaçme aprovoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme ajo të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak, nën dyshime për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Mejdini në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se Hyseni dyshohet se ka pasur lidhje intime me Agasin.
Ajo ka thënë se Prokuroria pretendon se Agasi ishte një person që kishte autoritet shumë të madh mes institucioneve dhe ishte një lloj ndërlidhësi në mes të pjesës institucionale dhe pjesës së krimit të organizuar
“Ai ishte një person që qarkullonte lirisht në mes të asaj që është bota legale dhe asaj që është bota ilegale dhe sigurisht mendohet se ai mbante lidhje edhe me krimin e organizuar. Zyrtarisht ai është një biznesmen por Prokuroria dyshon se ai ka lidhje me krimin e organizuar. Akuzat zyrtare për të cilat ai akuzohet janë manipulim i tenderëve dhe për një grup të organizuar kriminal në kuptim të manipulimit të rezultateve të tenderëve shtetërorë”, ka thënë Mejdini.
Ajo ka thënë se Agasi ishte si një këshilltar në hije i kryeministrit Rama.
“Ergus Agasi ka qenë pjesë e administratës në Shqipëri, e ka nisur me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës dhe pastaj është pozicionuar dukshëm me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Opozita dhe unë mendoj edhe logjika e thotë që ia ka qenë një njeri shumë i afërt me kryeministrin Rama, ka shumë diskutime se nga i buronte Agasit gjithë kjo fuqi për të pasur këtë lloj ndikimi në institucionet shtetërore dhe duket se kjo fuqi vinte nga vetë kryeministri Edi Rama. Ai është konsideruar nga ish-bashkëpunëtorë të kryeministrit po kështu edhe nga opozita si një këshilltar në hije i kryeministrit Rama”, ka thënë Mejdini.
Hyseni e kishte marrë detyrën e shefes së SHISH-it në prill të vitit 2023, dy vjet pasi kishte punuar si këshilltare për çështje të sigurisë te kryeministri Edi Rama.
Para këtyre emërimeve, ka pasur karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.
Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga shkurti i vitit 2019. Ndërkaq, në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës është vënë që nga dhjetori i vitit 2020 kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prillin e vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajet. Ajo ishte shkarkuar nga posti i zëvendësdrejtoreshës në qershorin e vitit 2021 nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët asnjëherë nuk kanë dhanë sqarime për arsyet e këtij vendimi.