Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama për rastin e Vlora Hysenit: Masë ekstreme, por çdo akuzë duhet që të çohet deri në fund

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sot për zhvillimet e fundit pas arrestimit të ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni duke e cilësuar situatën si një çështje që kërkon adresim të menjëhershëm.

“Vendosa që të drejtohem në këtë konferencë, sepse zhvillimet e fundit të arrestit të ish-drejtueses së SHISH do duhet të kishin një shpjegim. Ishte një masë ekstreme, por nuk kam të drejtë të vlerësoj se pse Prokuroria ka kërkuar arrestin. Nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj, që të ndërhyj në çështjet e drejtësisë. Çdo akuzë duhet që të çohet deri në fund”, tha Rama.

Ai tha se respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje, konkretisht në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale ka dhe një parim shtetëror që nuk mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur, raporton Top Channel.

“Nuk është hera e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i padehrur, por e para që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh mediatike për shkak të mosmarrjes së atyre masave që shtetet marrin. Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë.

Mbrojtja e SHISH dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e gjithë shtetit. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet si ndarje nga mbikëqyrja shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Besoj se Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale”, tha kryeministri Rama.

Hysenit të enjten iu vazhdua masa e arrestit shtëpiak.  Hyseni u shkarkua të martën nga detyra e drejtueses së shërbimit sekret të vendit, pasi gjykata urdhëroi vendosjen e saj në arrest shtëpiak, nën dyshimin se ka nxjerrë të dhëna të klasifikuara në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion.

Ajo kishte drejtuar SHISH-in që nga viti 2023.

Më parë, ajo kishte shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Hyseni u shkarkua nga ky post në vitin 2021 nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës nuk dha hollësi për arsyet e shkarkimit. Në komunikatën e atëhershme thuhej se vendimi ishte mbështetur në Ligjin për AKI-në. Në të njëjtën komunikatë përmendej se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara” përbënte vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.

Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni u bë këshilltare për sigurinë kombëtare e kryeministrit Edi Rama në shtator të vitit 2021.

Në vitin 2023, ajo u emërua drejtuese e SHISH-it në Shqipëri. Para dekretimit të saj, opozita shqiptare i kishte kërkuar presidentit Bajram Begaj të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga AKI-ja.