Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi i thotë hapur JD Vancet që ta zhvendosë fokusin nga Irani te lufta kundër “korrupsionit dhe krimit”

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi të enjten zëvendëspresidentit JD Vance që ta zhvendosë vëmendjen nga lufta me Iranin dhe, në vend të kësaj, t’i përkushtohet luftës kundër asaj që presidenti e cilëson si korrupsion dhe krim në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët në SHBA, raporton agjencia “AP”. 

Vance, i cili kishte shërbyer si negociatori kryesor për një armëpushim jetëshkurtër në luftën tetëmujore, ka qenë i drejtpërdrejtë në fajësimin e luftës dhe pasojave të saj ekonomike për humbjet e thella të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit të mbajtura javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara.
Por, të enjten, Trump i kërkoi në mënyrë të prerë atij, përmes një postimi në rrjetet sociale, që ta largojë vëmendjen nga lufta me Iranin dhe ta përqendrojë te një çështje që ai e konsideron më urgjente dhe ndoshta më të rëndësishme politikisht, pas humbjes së thellë të republikanëve në zgjedhje.

“Ne nuk kemi nevojë për një marrëveshje me Iranin”, shkroi Trump. “Ato ditë kanë kaluar prej kohësh. Ne i kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe kemi Ngushticën e tyre!”

Në fillim të kësaj jave, Trump deklaroi se besonte që lufta “nga pikëpamja ushtarake, praktikisht ka përfunduar”. Ai duket se e përforcoi këtë qëndrim duke i kërkuar në mënyrë të qartë Vancet që ta përqendrojë “tërë vëmendjen e tij” te fushata kundër mashtrimeve.

Demokratët kanë premtuar mbikëqyrje të rreptë ndaj aktiviteteve të biznesit të Trumpit dhe çështjeve të tjera, kur ta marrin kontrollin e Kongresit në janar. Kjo vjen pasi votuesit e renditën korrupsionin ndër shqetësimet e tyre kryesore. Postimi i Trumpit për Vancen dhe luftën me Iranin ishte, pjesërisht, reagim ndaj një sërë raportimesh për planet e demokratëve.

Por postimi erdhi gjithashtu pas raportimit të gazetës “The Wall Street Journal” të mërkurën në mbrëmje se Vance po shqyrtonte mundësinë e përfshirjes në një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta me një zyrtar të lartë iranian.

Zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Zyra për media e Shtëpisë së Bardhë, në një përgjigje me email, theksoi se Trump e kishte bërë të qartë në postimin e tij se nuk sheh nevojë për negociata me Iranin.

Vance, i cili për një kohë të gjatë kishte mbështetur përmbajtjen në ndërhyrjet ushtarake amerikane jashtë vendit, nuk ishte shumë entuziast në mbrojtjen e konfliktit me Iranin pasi Trump e nisi atë. Ai u bë gjithashtu figura kryesore e një përpjekjeje të pasuksesshme për t'i dhënë fund luftimeve, kur udhëhoqi negociatat gjatë verës.

Pas humbjeve të 3 nëntorit, Vance publikoi një shkrim të gjatë në platformën X, në të cilin foli hapur për ndikimin politik të konfliktit.

“Nëse dëshironi të argumentoni se ia vlejti, se ia vlejti humbja e Senatit për gjashtë vjetët e ardhshme, atëherë bëjeni këtë”, shkroi Vance. “Argumentoni se ishte një çmim që ia vlente të paguhej. Pajtoheni apo jo, të paktën kjo është e ndershme”.

Ai po shqyrton mundësinë e kandidimit për president në zgjedhjet e vitit 2028. Pakënaqësia e votuesve me mënyrën se si Trump e ka menaxhuar luftën mund të ndikojë negativisht në ambiciet e tij.

Presidenti ende nuk e ka mbështetur publikisht ndonjë pasardhës të mundshëm për garën presidenciale të vitit 2028. Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS-it, të transmetuar të dielën, presidenti tha se “mund të përfshihet ose jo” në mbështetjen e një kandidati.