Platforma Netflix ka njoftuar se të premten (nesër) do të publikojë një dokumentari të ri për komedianin britanik Russell Brand, vetëm pak ditë pasi ai u dënua me 10 vjet e 6 muaj burg për përdhunim dhe sulme seksuale, ka shkruar FemaleFirst.
Video e shkurtë paraljmëruese e Netflixit:
Dokumentari, i titulluar “Russell Brand: Open Secret”, do të trajtojë ngritjen e tij drejt famës dhe rënien pas skandaleve dhe akuzave që tronditën karrierën e tij.
Për këtë projekt, Netflix është bashkuar me studion “72 Films”, pjesë e kompanisë “Fremantle”, e cila ka realizuar edhe dokumentarin “Jimmy Savile: A British Horror Story”. Filmi do të përmbajë dëshmi nga persona që kanë qenë pranë Brand dhe pamje nga arkiva. Publikimi në platformë është caktuar për 13 nëntor (nesër).
Ndërkohë, Netflix ka konfirmuar se nuk ka në plan të heqë nga platforma spektaklin e tij të humorit të vitit 2018, “Russell Brand: Re: Birth”, pavarësisht dënimit.
Edhe
Meta mbyll llogarinë e Russell Brand në Instagram pas dënimit për përdhunim
Megjithatë, spektakli nuk do t’u rekomandohet më në mënyrë aktive abonentëve dhe nuk do të promovohet nga platforma, por do të mbetet i disponueshëm për ata që dëshirojnë ta shikojnë.
“Ne u japim përparësi zgjedhjes dhe kontrollit të abonentëve tanë: lirisë për të parë çfarë dëshirojnë, në mënyrën dhe kohën që zgjedhin, duke pasur në dispozicion rekomandime dhe vlerësime që i ndihmojnë në vendimet e tyre”, ka deklaruar një përfaqësues i Netflixit.
Brand, 51 vjeç, u dënua të hënën, më 9 nëntor, pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje dhe sulme seksuale ndaj tri të tjerave, gjatë periudhës 2004-2009.
Pas vendimit, policia e ka cilësuar atë si një person të rrezikshëm, ndërsa vlerësoi guximin e grave që dolën publikisht me akuzat e tyre.
Andy Furphy, drejtues i hetimeve në Policinë e Londrës, ka deklaruar se hetimi nuk ishte përqendruar te fama apo statusi i komedianit, por te gratë që kishin raportuar rastet.
“Që nga fillimi, hetimi ynë nuk kishte të bënte me famën, statusin apo figurën publike të Russell Brand. Fokusi ynë ka qenë gjithmonë te gratë që raportuan këto vepra dhe te zhvillimi i një hetimi të plotë dhe të paanshëm”, u shpreh ai.
Edhe
Russell Brand dënohet me 10 vjet e gjysmë burgim për përdhunim dhe sulme seksuale
Ai ka shtuar se ekipi hetimor kishte punuar pa u lodhur për të mbledhur prova dhe për të mbështetur viktimat gjatë gjithë procesit.
“Jam jashtëzakonisht krenar për ekipin e hetimit, i cili arriti të ndërtojë një çështje që përfundimisht çoi para drejtësisë një person të rrezikshëm”, ka përfunduar Furphy.