Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama e liron nga detyra shefen e SHISH-it, Vlora Hyseni

Vlora Hyseni &  Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se e ka liruar nga detyra shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, disa orë pasi u bë publik lajmi se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ajo të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak.

Masat e vendosura nga Prokuroria e Posaçme lidhen me një hetim për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Rama, që gjendet në Shtetet e Bashkuara ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se është njoftuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për Hysenin dhe tha se pret që çdo dyshim i organit ndjekës të hetohet dhe të zbardhet.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë”, shkroi Rama në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se sapo të kthehet nga SHBA-ja, në konsultim me presidentin Bajram Begaj, do të emërohet kreu i ri i SHISH-it.

Më herët gjatë ditës u njoftua se me urdhrin e SPAK-ut, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Hysenit nën dyshime për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. 

Hyseni e kishte marrë detyrën e shefes së SHISH-it në prill të vitit 2023, dy vjet pasi kishte punuar si këshilltare për çështje të sigurisë te kryeministri Edi Rama.

Para këtyre emërimeve, ka pasur karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.

Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga shkurti i vitit 2019. Ndërkaq, në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës është vënë që nga dhjetori i vitit 2020 kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prillin e vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajet. Ajo ishte shkarkuar nga posti i zëvendësdrejtoreshës në qershorin e vitit 2021 nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët asnjëherë nuk kanë dhanë sqarime për arsyet e këtij vendimi. 

Lexo përditësimet tjera
Vlora Hyseni

Arrest shtëpiak për drejtoreshën e SHISH-it në Shqipëri, në Kosovë qe shkarkuar nga AKI-ja

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Shërbimit...