Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova rrezikon humbjen e eksportit të peshkut drejt Malit të Zi

peshk

Kosova rrezikon ta humbë mundësinë e eksportit të produkteve të peshkut drejt Malit të Zi, për shkak të mosplotësimit të standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Derisa vendet e rajonit po përafrojnë legjislacionin me atë të BE-së, në Kosovë vazhdojnë të evidentohen raste të përsëritura të problemeve me sigurinë ushqimore.

Kosova rrezikon të humbë mundësinë e eksportit të produkteve të peshkut drejt Malit të Zi nga 1 korriku 2027.

Shqetësimi është ngritur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, sipas së cilës, Mali i Zi do të zbatojë kërkesa të reja për importin e produkteve të peshkut, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se një situatë e ngjashme pritet të ndodhë edhe me Shqipërinë.

“Është konfirmuar edhe nga Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi se nga qershori i vitit të ardhshëm, hyn në fuqi vendimi që pamundëson importin e produkteve të peshkut nga Kosova, pasi vendi nuk ka arritur të marrë dritën e gjelbër dhe të përmbushë kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Fatkeqësisht, e njëjta situatë pritet të ndodhë edhe me Shqipërinë, sapo të ratifikohen ndryshimet ligjore në kuadër të harmonizimit me legjislacionin e BE-së dhe ato të hyjnë në fuqi. Në këtë rast, edhe eksporti i produkteve të peshkut drejt Shqipërisë do të bëhet i pamundur”, ka thënë Ahmeti. 

Për shkak të kësaj rrezikohet mundësia e eksportit për produktet e peshkut në gjendje të freskët, të ftohtë dhe të ngrirë.

Ndërkaq, profesori i bujqësisë, Salih Salihu, ka vlerësuar se institucionet e vendit duhet të punojnë më shumë drejt harmonizimit të legjislacionit dhe standardeve me ato të Bashkimit Evropian.

Edhe Kosova pa përgjigje pas ndalimit të 103 tonëve mish të skaduar nga Brazili Arbëri Kosova pa përgjigje pas ndalimit të 103 tonëve mish të skaduar nga Brazili

“Kosova eksporton shumë pak produkte bujqësore, pasi një pjesë e madhe e prodhimit vendor nuk arrin t’i përmbushë nevojat e tregut të brendshëm. Rreth 800 milionë euro produkte bujqësore importohen, ndërsa prodhimi vendor kap vlerën e rreth 400 milionë eurove. Rasti i eksportit të produkteve të peshkut drejt Malit të Zi e dëshmon se, pavarësisht sa larg është Kosova nga anëtarësimi në BE, institucionet duhet të punojnë në harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian”, u shpreh Salihu.

Sipas rregullave të BE-së, eksporti i produkteve të peshkimit lejohet vetëm nëse plotësohen disa kushte siç janë: Shteti eksportues duhet të jetë i autorizuar, objektet ku përpunohen dhe ruhen produktet duhet të jenë të miratuara dhe çdo dërgesë duhet të shoqërohet me certifikatë zyrtare shëndetësore

KOHA ka dërguar pyetje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka marrë përgjigje.