Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Le Kosovo risque de perdre ses exportations de poisson vers le Monténégro.

POISSON

Kosova rrezikon ta humb mundësinë e eksportit të produkteve të peshkut drejt Malit të Zi, për shkak të mosplotësimit të standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Derisa vendet e rajonit po përafrojnë legjislacionin me atë të BE-së, në Kosovë vazhdojnë të evidentohen raste të përsëritura të problemeve me sigurinë ushqimore.

Kosova rrezikon të humbë mundësinë e eksportit të produkteve të peshkut drejt Malit të Zi nga 1 korriku 2027.

Shqetësimi është ngritur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, sipas së cilës, Mali i Zi do të zbatojë kërkesa të reja për importin e produkteve të peshkut, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se një situatë e ngjashme pritet të ndodhë edhe me Shqipërinë.

“Është konfirmuar edhe nga Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi se nga qershori i vitit të ardhshëm, hyn në fuqi vendimi që pamundëson importin e produkteve të peshkut nga Kosova, pasi vendi nuk ka arritur të marrë dritën e gjelbër dhe të përmbushë kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Fatkeqësisht, e njëjta situatë pritet të ndodhë edhe me Shqipërinë, sapo të ratifikohen ndryshimet ligjore në kuadër të harmonizimit me legjislacionin e BE-së dhe ato të hyjnë në fuqi. Në këtë rast, edhe eksporti i produkteve të peshkut drejt Shqipërisë do të bëhet i pamundur”, ka thënë Ahmeti. 

Për shkak të kësaj rrezikohet mundësia e eksportit për produktet e peshkut në gjendje të freskët, të ftohtë dhe të ngrirë.

Ndërkaq, profesori i bujqësisë, Salih Salihu, ka vlerësuar se institucionet e vendit duhet të punojnë më shumë drejt harmonizimit të legjislacionit dhe standardeve me ato të Bashkimit Evropian.

“Kosova eksporton shumë pak produkte bujqësore, pasi një pjesë e madhe e prodhimit vendor nuk arrin t’i përmbushë nevojat e tregut të brendshëm. Rreth 800 milionë euro produkte bujqësore importohen, ndërsa prodhimi vendor kap vlerën e rreth 400 milionë eurove. Rasti i eksportit të produkteve të peshkut drejt Malit të Zi e dëshmon se, pavarësisht sa larg është Kosova nga anëtarësimi në BE, institucionet duhet të punojnë në harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian”, u shpreh Salihu.

Sipas rregullave të BE-së, eksporti i produkteve të peshkimit lejohet vetëm nëse plotësohen disa kushte siç janë: Shteti eksportues duhet të jetë i autorizuar, objektet ku përpunohen dhe ruhen produktet duhet të jenë të miratuara dhe çdo dërgesë duhet të shoqërohet me certifikatë zyrtare shëndetësore

KOHA ka dërguar pyetje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka marrë përgjigje.