Policia i ka raportuar shtatë raste të dhunës në familje, që kanë ndodhur në 24 orët e fundit. E, nga janari deri në shtator, janë regjistruar mbi 2 mijë raste të këtilla, me gjithsej 2 mijë e 138 viktima, prej të cilave 76 për qind janë gra. E sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor mbi 1 mijë e 200 raste vazhdojnë të jenë në procedurë gjyqësore, ndërsa 909 janë zgjidhur në nëntë muajt e parë të këtij viti
Për më pak se dy javë, në periudhën 21 tetor - 2 nëntor, janë regjistruar mbi 60 raste të dhunës në familje, sipas raportimeve ditore të Policisë së Kosovës.
E, gjatë periudhës janar-shtator 2026 janë raportuar 2.052 raste të dhunës në familje, me gjithsej 2.138 viktima. Nga ky numër, 1.626 janë femra, kurse 512 meshkuj.
Rajoni me më së shumti viktima është Prishtina me 695, prej tyre 550 femra.
E në nivel vendi, plot 176 raste të dhunës në familje janë të përsëritura.
Sociologu Genc Zërxa ka dhënë disa arsye për këtë fenomen.
“Gratë janë më të atakuara nga kjo dhunë edhe brenda familjes, por kemi një mungesë të autoritetit të prindërve, apo kemi pasur edhe raste kur edhe fëmijët kanë ngritur dorë, apo kanë kanë ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të familjes apo prindërve. Por kemi edhe brenda familjes ku cenohet autoriteti i prindërve. Pastaj pos kësaj kemi edhe problematika të ndryshme ku është ndërritja, abuzimi i substancave narkotike apo i drogave të ndryshme, të cilat një farë forme e rëndojnë shëndetin mendor, rrjetet sociale, të cilat në një farë forme shfaqet dhunë, qofshin në anën vizuelet e ndryshme, qofshin në anën e këngëve, apo të ndryshme”, ka thënë Zërxa.
Nga të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për nëntë muajt e parë të vitit, mbi 74 për qind e rasteve të dhunës të shqyrtuara kanë përfunduar me vendim fajësues.
Në gjykata figurojnë 899 raste të pranuara më 2026 dhe 1 mijë e 216 raste të trashëguara. Deri tash janë zgjidhur 909 raste, kurse 1 mijë e 206 të tjera janë në procedurë.
Brenda pak ditësh, në Kosovë kanë ndodhur dy raste tragjike. Njëri në Pejë, më 25 tetor, ku u vra Arlinda Zekaj nga i dyshuari – ish-kunati i saj dhe tjetri në Gjilan, më 1 nëntor, ku u gjetën dy trupa të pajetë në fshatin Demiraj, babë e vajzë. Për këtë rast është arrestuar B.D., familjar i viktimave.
Në rastin e parë janë theksuar dështimet zinxhirore të disa institucioneve, pasi tashmë e ndjera Zekaj i kishte paralajmëruar në disa raste policinë, prokurorinë e gjykatën për rrezikun që i kanosej.
Në rastin e Gjilanit, viktima e moshës madhore ka qenë edhe i dënuar për kanosje, e më pas gjykata ia ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri. Viktima e dytë është foshnjë disamuajshe.
Sipas njohësve të shëndetit mendor, kjo çështje nuk po trajtohet në mënyrë serioze nga institucionet.“Kurrizi i sistemit janë Qendrat e Shëndetit Mendor, të cilat e kanë për qëllim rehabilitimin e pacientit. Megjithatë, këto qendra janë shumë shpesh të anashkaluara dhe pa mbështetje adekuate financiare. Tutje, shteti nuk ka plan apo dialog ndërmjet dikastereve për të vendosur një standard uniform të trajtimit dinjitoz të shëndetit mendor dhe risocializimit në komunitet. Kjo rezulton me shumë persona në rrugë, të cilët mbesin pa trajtim, persona që janë të mbyllur në institucione me vite të tëra dhe, në raste ekstreme, me fatalitet”, ka thënë Bind Skeja – njohës i politikave të shëndetit mendor.
Për dhunë në familje pas Prishtinës, pason Peja e më pas renditen Gjakova e Gjilani.