Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Ajo është pezulluar nga detyra.
Hyseni, që në të kaluarën ka qenë edhe kryespiune e Kosovës, sipas mediave në Shqipëri, dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje sekreti shtetëror.
Autoritetet janë duke kontrolluar edhe banesën e saj.
Ajo pati marrë zyrtarisht detyrën në prill të vitit 2023, duke u bërë e para grua që udhëheq shërbimin inteligjent shqiptar. Përpara këtij emërimi, ka pasur karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.
Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga shkurti i vitit 2019. Ndërkaq, në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës është vënë që nga dhjetori i vitit 2020 kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prillin e vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajet. Ajo ishte shkarkuar nga posti i zëvendësdrejtoreshës në qershorin e vitit 2021 nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët asnjëherë nuk kanë dhanë sqarime për arsyet e këtij vendimi.
Vetëm dy muaj pasi ishte shkarkuar në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e pati emëruar këshilltare për çështje të sigurisë. Aty qëndroi për dy vjet, deri kur në mars të vitit 2023, Rama e propozoi si drejtuese të SHISH. Ajo u dekretua zyrtarisht nga presidenti Bajram Begaj më 3 prill 2023 dhe u prezantua në krye të institucionit të nesërmen.
Kontroll është zhvilluar këtë të martë edhe në banesën e Ilir Prodes, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë në Shqipëri.
Vlora Hyseni u dorëzohet autoriteteve shqiptare në Vërmicë
Shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare në pikën kufitare Vërmicë-Morinë, pasi gjatë ditës së sotme ishte në territorin e Kosovës. SPAK-u po heton Hysenin për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”. Për të, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të shoqëruar me pezullimin nga detyra.
Sipas TopChannel, Hyseni është paraqitur në pikën kufitare dhe më pas u është dorëzuar autoriteteve shqiptare.
Masa e sigurisë nuk kishte mundur të ekzekutohej më herët sot, pasi Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku po merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjithashtu ka njoftuar se e ka shkarkuar nga detyra Hysenin.
Rama e liron nga detyra shefen e SHISH-it, Vlora Hyseni
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se e ka liruar nga detyra shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, disa orë pasi u bë publik lajmi se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ajo të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak.
Masat e vendosura nga Prokuroria e Posaçme lidhen me një hetim për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Rama, që gjendet në Shtetet e Bashkuara ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se është njoftuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për Hysenin dhe tha se pret që çdo dyshim i organit ndjekës të hetohet dhe të zbardhet.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë”, shkroi Rama në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se sapo të kthehet nga SHBA-ja, në konsultim me presidentin Bajram Begaj, do të emërohet kreu i ri i SHISH-it.
Më herët gjatë ditës u njoftua se me urdhrin e SPAK-ut, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Hysenit nën dyshime për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Hyseni e kishte marrë detyrën e shefes së SHISH-it në prill të vitit 2023, dy vjet pasi kishte punuar si këshilltare për çështje të sigurisë te kryeministri Edi Rama.
Para këtyre emërimeve, ka pasur karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.
Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga shkurti i vitit 2019. Ndërkaq, në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës është vënë që nga dhjetori i vitit 2020 kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prillin e vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajet. Ajo ishte shkarkuar nga posti i zëvendësdrejtoreshës në qershorin e vitit 2021 nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët asnjëherë nuk kanë dhanë sqarime për arsyet e këtij vendimi.