Arbëri

Fetahu: Formimi i komisionit për votim të fshehtë është jokushtetues

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, ka deklaruar se aktgjykimi i së enjtes i Gjykatës Kushtetuese ishte i qartë dhe i prerë, që sipas tij e ka cilësuar jokushtetues vendimin që të ndryshohet rendi i ditës nga votimit i hapur në votim për formimin e komisionit për votim të fshehtë, që u mor më 1 maj gjatë seancës konstituive të Kuvendit nga kryesuesi Avni Dehari.

“Aktgjykimi është një fitore e rendit demokratik dhe një sqarim i rëndësishëm për rrugën kushtetuese përpara. Ai qartëson se seanca konstituive nuk ka përfunduar për shkak të shkeljeve të Kushtetutës”, theksoi Fetahu në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai shtroi pyetjen se kush i ka shkaktuar ato shkelje, duke vënë në pah se vendimi i Kushtetueses për herë të parë shpall përgjegjësi personale me emër dhe mbiemër për pengesat në themelimin e institucioneve, duke aluduar te partia e parë – Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, vendimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë pa konsultim me deputetët është arbitrar dhe jokushtetues. Ai shtoi se votimi i fshehtë si procedurë parlamentare nuk është i njëjtë me formimin e një komisioni për votim të fshehtë.

“Kryesuesi i seancës vendosi njëanshëm për formimin e komisionit, pa e pyetur Kuvendin për mënyrën e votimit. Praktika e votimit në seancat konstituive ka qenë gjithmonë me votim të hapur”, ka thënë ai, duke shtuar se ndryshimi i rendit të ditës është në kundërshtim me nenin 8 të Rregullores së Kuvendit.

Fetahu u shpreh se në faqen 155 të aktgjykimit Kushtetuesja thekson se e drejta e partisë më të madhe për të propozuar kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokimi, dhe se opozita, sipas tij, ka respektuar Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votimin për formimin e komisionit.

Ai kritikoi edhe qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë procesit gjyqësor, duke kujtuar se ata kishin kërkuar që rasti të shpallet i papranueshëm, me pretendimin se mungonte një vendim të Kuvendit, ndërkohë që tani po e përshëndesin vendimin e Kushtetueses.

Në fund, Fetahu ka deklaruar se vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje, por mund të lindë nevoja për një rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, ose që presidentja e vendit, në funksionin e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit, ta dërgojë çështjen në Kushtetuese për të sqaruar veprimet e mëtejme.

“Kushtetuesja nuk ka marrë kurrë përgjegjësinë ta shkruajë Kushtetutën”, përfundoi ai.