Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Dehari thotë se pa marrëveshje s’thirret seanca, opozita paralajmëron veprime

Avni Dehari

Katër ditë janë bërë prej kur kreu i VV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë për marrëveshje politike para se të konstituohet legjislatura e njëmbëdhjetë. Por kryesuesi Avni Dehari ka thënë se seanca do të vazhdojë vetëm pas të arrihet një marrëveshjeje politike. E opozita e cilëson situatën si shkelje kushtetuese dhe paralajmëron veprime siç thonë “mbrojtje të rendit kushtetues me çdo mjet”

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka deklaruar se nuk do të ketë seancë pa një marrëveshje politike për tejkalimin e krizës institucionale. 

I pyetur se a konsiderohet shkelje e Kushtetutës moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh, Dehari deklaroi se nuk mund të konsiderohet shkelje përderisa nuk ka sanksione. 

Sipas tij, mbajtja e seancave vetëm për formalitet nuk do të sillte rezultat.  

“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet. Se po ndodhin ato parashikime, por nuk ka sanksione, e derisa nuk ka sanksione nuk mund të quhet shkelje. Edhe kjo s’po bëhet, për të mos respektuar rregulloren ose Kushtetutën, por për ta gjetur një zgjidhje”, ka thënë Dehari. 

Por Partia Demokratike e Kosovës është zotuar për “mbrojtje të rendit kushtetues me çdo mjet”. Në këtë parti vlerësojnë se ajo që po ndodh është goditje direkte ndaj rendit kushtetues.

Edhe Kurti: Do të përpiqemi çdo ditë për marrëveshje politike, qytetarët duan zgjidhje e jo zgjedhje LAJMET E MBRËMJES Kurti: Do të përpiqemi çdo ditë për marrëveshje politike, qytetarët duan zgjidhje e jo zgjedhje

“Ne derisa shohim një arrogancë dhe shohim shkeljen e çdo… çdo themeli të shtetit tonë, të demokracisë sonë, që prek edhe bujkun, që prek edhe nxënësin, që prek edhe familjen, që prek edhe studentin, që prek edhe mjekun, që prek edhe ushtarin, e edhe që prek edhe policin, por çdo qytetar, sigurisht që ne nuk duam të rrijmë duarkryq dhe sigurisht që do të kemi masa të nevojshme karshi gjendjes”, ka theksuar Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së. 

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albulena Bytyqi, ka njoftuar se partitë opozitare janë duke diskutuar për hapat që do të ndërmarrin, pasi nuk po ftohet seanca konsituive.

“Çdo veprim që merret tutje është antikushtetues. Ne gjithashtu e kemi, pak e kemi përmendur që patjetër rruga e vetme ka mbetur vetëm rruga me dalë dhe kjo është e padiskutueshme. Jemi duke diskutuar si parti, por edhe parti të tjera, kështu që po e shohim tutje se si do të veprojmë. Ne si Aleancë nuk e di sa do të kemi mundësi, mirëpo partitë e tjera janë duke shqyrtuar, por në bashkëpunim me partitë e tjera, pse jo”, është shprehur Bytyqi. 

Në Institutin Demokratik të Kosovës vlerësojnë se mosthirrja e seancës konstituive të Kuvendit është vazhdimësi e shkeljeve të afateve kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit. 

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli ka thënë se çështja e moskonstituimit të Kuvendit mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga të paktën 10 deputetë, ndërsa ka përmendur afatin për një veprim të tillë. 

“Pas shkeljes së aftit 30-ditor ne kemi kërkuar që çështja të referohet menjëherë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të evitohen situatat paradoksale kushtetuese kur Kuvendi mund të marrë një vendim, i cili mund mos jetë në përputhje me Kushtetutën. Por meqenëse edhe pas tejkalimit të afatit kushtetues u mbajt një seancë, unë besoj që ajo ka qenë pika përmes së cilës është tentuar që të normalizohet shkelja si e tillë. Dhe për të qenë i sinqertë kur nuk është fare problem që qëllimisht të shkelet afati kushtetues 30-ditor, është deri diku edhe pa kuptim që pastaj të kritikohet më shumë për shkeljen e një afati 48 orësh”, ka thënë Cakolli. 

Edhe Shoqëria civile kritikoi PDK-në që nuk iu përmbajt qëndrimit të saj LAJMET E MBRËMJES Shoqëria civile kritikoi PDK-në që nuk iu përmbajt qëndrimit të saj

Legjislatura e njëmbëdhjetë nuk është konstituuar as në vazhdimin e dytë të seancës, që u mbajt 12 orë pas skadimit të afatit për përmbyllje të saj, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Seanca eskaloi në përplasje fizike pasi deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, veprim që u pasua edhe me shtyrje mes ligjvënësve