Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dehari: Seanca e radhës thirret kur të merren vesh partitë mes vete

Avni Dehari

Avni Dehari

Foto: Driton Paçarada

Kryesuesi Avni Dehari, ka folur për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se seanca e radhës do të ftohet kur të ketë marrëveshje mes partive politike.

I pyetur se a konsiderohet shkelje e Kushtetutës moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar prej 30-ditësh, Dehari deklaroi se nuk mund të konsiderohet shkelje përderisa nuk ka sanksione.

“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet. Nuk ka sanksione dhe derisa nuk ka sanksione, nuk mund të thuhet se ka shkelje”, ka thënë Dehari.

Të premten ka përfunduar afati 30-ditor për konstituim. Megjithatë, vazhdimi i seancës së nisur të enjten u mbajt të shtunën. Por edhe në këtë seancë, kryetari i subjektit më të madh politik, Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për çështjen e presidentit. 

Pas kësaj, ai u bë cak i hedhjeve me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.

Seancë tjetër ende nuk është ftuar.