Të paktën 10 persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku, ku janë përfshirë dhjetëra automjete në të dyja anët e një segmenti autostrade të mbuluar nga mjegulla, në juglindje të Bullgarisë, të martën, ka raportuar agjencia e lajmeve BTA, duke cituar një guvernator rajonal.
Policia, zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancave kanë nxituar në vendngjarje. Pamjet e publikuara nga mediat lokale treguan vetura dhe kamionë të grumbulluar në të dyja anët e rrugës, shumë prej tyre të përmbysur ose të dalë jashtë rrugës.
Guvernatori i rajonit të Jambollit, Georgi Chalakov, i ka thënë agjencisë BTA se të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe se në aksident ishin përfshirë rreth 50 automjete.
Kryeinspektori Todor Mishinev, nga Drejtoria Rajonale e ministrisë së Punëve të Brendshme në Jamboll, i ka thënë televizionit Nova se disa persona kishin mbetur të bllokuar brenda automjeteve të tyre.
“Për momentin, përparësi kanë operacionet e shpëtimit. Pasi ato të përfundojnë, do të vijojnë veprimet procedurale dhe hetimore”, ka thënë ai.
Sipas agjencisë BTA, 27 persona të lënduar janë dërguar në spitalet e rajonit.