Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dehari: Vazhdimi i seancës pa marrëveshje mund të çojë në konflikt fizik brenda Kuvendit

Avni Dehari

Avni Dehari

Foto: Driton Paçarada

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit. 

“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari në Facebook. 

Ai ka mirëpritur ftesat për takime të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, si dhe të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar partive politike për konsultime. Ftesa deri tash është refuzuar nga PDK-ja dhe Aleanca. 

Sipas Deharit, Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike dhe dialog për të arritur një marrëveshje që do ta zhbllokonte situatën institucionale dhe do të garantonte funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.

“Si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual”, ka thënë ai.

Dehari ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin do të çonte në zgjedhje të parakohshme, skenar të cilin ai tha se duhet ta shmangin.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka deklaruar Dehari.

Ai ka rikujtuar se qytetarët e Kosovës janë thirrur tri herë në zgjedhje gjatë dy vjetëve të fundit, duke u bërë thirrje përfaqësuesve politikë që tani të gjejnë një marrëveshje.

“Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar Dehari.

Të premten e shkuar ka qenë afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese, brenda të cilit duhej të konstituohej legjislatura e njëmbëdhjetë. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

Deliu e quan skandaloz arsyetimin e Deharit për mosthirrje të seancës konstituive

1 muaj më parë / 15 gus 2026 21:52
Blerta Kodra-Deliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, e ka cilësuar skandaloz arsyetimin që e ka përmendur kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, për mosthirrjen e seancës.

Më herët gjatë ditës, Dehari tha se seanca po që se thirret pa marrëveshje politike “vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”.

“Ky arsyetim është skandaloz. Seanca nuk thirret sepse “mund të ketë konflikt fizik”?! Nëse frika nga tensioni mes deputetëve do të ishte arsye për të mos mbajtur seanca, atëherë Kuvendi i Kosovës s’do të duhej të ishte mbledhur asnjëherë në historinë e tij. Kuvendi nuk funksionon vetëm kur partitë pajtohen. Përkundrazi, ekziston pikërisht sepse partitë nuk pajtohen: debatojnë, propozojnë dhe votojnë. Kush e drejton seancën nuk ka mandat ta zëvendësojë votën me kushtin: “Merruni vesh njëherë, pastaj ejani në Kuvend.” Thirre seancën. Respekto rregulloren. Lëri deputetët të votojnë. Kaq është puna”, ka shkruar ajo në Facebook.

Deklarata për konflikt fizik, Ramadani: Dehari duhet të përgjigjet në Prokurori

1 muaj më parë / 15 gus 2026 17:21
Burim Ramadani ka deklaruar se fitorja e Kurtit me 7 qershor do të jetë e fundit dhe nuk do të përsëritet më

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar që Prokuroria ta marrë në pyetje kryesuesin e seancës konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, pas deklaratës së tij për rrezikun e përplasjeve dhe konfliktit fizik në Kuvend.

Gjatë ditës së sotme, përmes një statusi në Facebook, Dehari theksoi se vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshjes mes partive mund të tensionojë më tej situatën dhe të çojë në konflikte fizike brenda sallës së Kuvendit. 

Ramadani ka ngritur pyetje se për cilin skenar po paralajmëron Dehari, duke i cilësuar formulimet e tij si “ogurzeza”.

“Për çfarë skenari po paralajmëron Avni Dehari? Formulimet e tilla të VV-së janë paralajmërime ogurzeza për diçka që veç ata e dinë”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka pyetur gjithashtu pse, sipas tij, Vetëvendosje po e bllokon procesin dhe po paralajmëron mundësinë e konflikteve fizike brenda Kuvendit.

“Pse po bllokojnë dhe paralajmërojnë konflikte fizike?”, ka deklaruar Ramadani.

Deputeti i Aleancës ka kërkuar që deklarata e Deharit të trajtohet nga organet e drejtësisë, duke thënë se ai duhet të japë sqarime para Prokurorisë.

“Secili mund të kemi mendime pse po e bëjnë, por Avni Dehari DUHET të përgjigjet në prokurori për këtë deklaratë”, ka përfunduar Ramadani.