Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ahmeti: 12 mijë nxënës nuk e kanë blerë librin e Edukatës Qytetare për klasën e nëntë

agon ahmeti

Mbi 12 mijë nxënës të klasave të nënta në Kosovë nuk e kanë blerë librin e Edukatës Qytetare. Kështu ka bërë të ditur themeluesi i organizatës “Etea”, Agon Ahmeti, i cili ka ngritur shqetësimin për mosblerjen e një pjese të konsiderueshme të teksteve shkollore, ndonëse ato janë shtypur sipas kërkesave të mësimdhënësve.

Ahmeti ka thënë se inspektorati nuk ka nevojë të vizitojë shkollat për të verifikuar këtë çështje, pasi të dhënat mund të sigurohen drejtpërdrejt nga shtëpitë botuese.

“Por mendoj që inspektorati përgjigjen e ka në shtëpitë botuese. Nuk ka nevojë t’i vizitojë fare shkollat, sepse, me një komunikim të thjeshtë, kam informata se sidomos në klasën e nëntë, rreth 50 për qind e tirazhit të kërkuar nga shtëpitë botuese nuk është blerë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka theksuar se bëhet fjalë konkretisht për librin e Edukatës Qytetare të klasës së nëntë, për të cilin, sipas tij, kërkesa e mësimdhënësve ka qenë për 22 mijë kopje.

“Nëse kërkohen 22 mijë kopje, sepse ashtu ka ardhur kërkesa prej mësimdhënësve, atëherë shtëpitë botuese e prodhojnë atë tirazh, sepse ajo është kërkesa për shitjen e tekstit në fjalë”, ka thënë ai.

Sipas Ahmetit, në depot e shtëpive botuese kanë mbetur rreth 12 mijë kopje të pashitura.

“Informatat që kam janë se në stoqet e shtëpive botuese kemi 12 mijë kopje. Nuk janë blerë. Jemi në muajin e tretë të vitit të ri shkollor dhe kjo nënkupton se ato libra nuk do të shiten”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndryshe, Ministria ka paralajmëruar vizita të inspektoratit në shkolla për të verifikuar nëse nxënësit janë pajisur me tekste shkollore dhe nëse subvencionimi për blerjen e tyre është realizuar sipas qëllimit të përcaktuar.