Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxhaj: Kuvendi që sot filluam ta konstituojmë nuk është legjitim

Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se Kuvendi që sot ka nisur të konstituohet është jolegjitim. 

Ai ka thënë se janë shkelur të gjitha afatet kushtetuese, pasi sipas tij, Kushtetuta ka dhënë një afat të qartë 30-ditësh që Kuvendi të konstituohet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. 

Hoxhak ka thënë gjithashtu se edhe Gjykata Kushtetuese e ka përkujtuar një gjë të tillë dhe se këto afate janë shkelur.  

“Kjo se çfarë po ndodh në këtë vend është e paprecedent, meqë së pari e kemi një situatë politike që Kuvendi të cilin sot filluam ta konstituojmë është një kuvend i cili është jolegjitim”, është shprehur Hoxhaj në emisionin “Konfront”, në KTV, duke thënë se si PDK kanë marrë pjesë në seancën konstituive “për ta rikthyer rendin kushtetues”.   

Ai ka vlerësuar se për bllokim të formimit të institucioneve fajtor është kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. 

Hoxhaj ka thënë se Kurti sa ka qenë në opozitë ka qenë bllokadë kryesore që të tjetër të qeverisin dhe ta lëvizin vendin përpara dhe se tani pasi ka ardhur në pushtet bllokon që të konstituohet Kuvendi, që të formohen institucionet e reja. 

Në vazhdimin e seancës konstituive që është mbajtur të mërkurën, kryetarja e re e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka përdorur dy arsyetime për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit të mërkurën. 

Por, të dyja janë kundërthënëse. 

E para lidhet me, siç ka thënë ajo, propozimin jokushtetues për nënkryetar të Kuvendit nga Lista Serbe, për shkak të përdorimit të termit “populli serb”.

“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92% janë shqiptarë, 4% serbë dhe 4% nga komunitetet e tjera”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë nominimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar, ka thënë se ai propozohet “në emër të popullit serb”.

I vetmi institucion në Kosovë që mund të japë interpretim për kushtetutshmërinë e një çështjeje është Gjykata Kushtetuese.

Gjithashtu term i njëjtë ishte përdorur nga Lista Serbe edhe në konstituimin e Legjislaturës VIII, më 22 mars 2021. Atë kohë Vetëvendosja e pati votuar propozimin.

Arsyetimi i dytë i kryeparlamentares ishte se nuk ka vota për kandidatët për nënkryetarë të propozuar nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike.

Megjithatë, emrat e nominuar nuk u hodhën në votim, përmes të cilit do të mund të verifikohej nëse kishin apo jo mbështetjen e deputetëve.

Hoxhaj: Kurti do të mbetet një fusnotë në histori, kurdo që të mbahen zgjedhjet

1 muaj më parë / 9 sht 2026 21:32
Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti, kurdo që të mbahen zgjedhjet, do të mbetet një fusnotë në histori.  

Ai e ka akuzuar Kurtin duke thënë se në zgjedhjet e kaluar buxheti është përdorur për të blerë vota dhe për të mbajtur pushtet.

Por sipas tij do të vije një kohë kur njerëzit e kuptojnë që kjo që po ndodh është e shëmtuar. 

“Qytetari i Kosovës i cili ka dëshmuar gjithmonë një vetëdije të lartë për vullnet politik dhe për përfaqësim politik nuk e tregton vullnetin e tij politik për votë”, ka theksuar Hoxhaj, në emisionin “Konfront” në KTV. “Përdorimi i parasë publike në fushatat zgjedhore për të blerë votë, nuk është asgjë tjetër veçse nj sistem autoritar, i cili herët a vonë do të kolapsojë, sepse sistemet e padrejta, herët a vonë bien dhe unë jam i bindur që kurdo që të mbahen zgjedhjet Kurti do të mbetet vetëm një fusnotë në histori”, ka shtuar Hoxhaj. 

Hoxhaj për presidentin: Ne s’duam të kemi sërish një notere të Kurtit

1 muaj më parë / 9 sht 2026 21:15
Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se opozita është duke u shantazhuar që ose të pranojnë një kandidat për president, ose të shkojnë në zgjedhje. 

Duke iu referuar ish-presidenten Vjosa Osmani, ai ka thënë se si PDK nuk duan sërish një notere të kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti. 

Hoxhaj e ka akuzuar Kurtin se duke bllokuar formimin e institucioneve, po do të ndërtojë një regjim autoritar, i cili siç ka thënë Hoxhaj, “po do ta superkapë shtetin, t’i ketë të gjitha pushtetet një njeri”. 

“Ne kemi bërë përpjekje që edhe në vitin 2021 ta ndalojmë të keqen dhe unë zonjës Osmani i kam thënë edhe në atë kohë notere e Albin Kurtit dhe i kam numëruar 15 arsye se pse ajo nuk ka integritet të jetë presidente e vendit dhe ajo e ka dëshmuar në ditët e fundit të saj në mandat, me fjalë të saja, se ka qenë në shërbim të Albin Kurtit dhe ne nuk duam që ta kemi një notere edhe një herë”, ka theksuar Hoxhaj në emisionin “Konfront” në KTV.

Ai ka thënë se nuk kanë propozuar emër për president pasi nuk duan të jenë fare pjesë e modelit të bashkëpunimit me Kurtin.

Hoxhaj ka theksuar se kanë dallime të mëdha më Kurtin dhe se janë alternativë e opozitë

“Nuk kemi problem me Kurtin se kë e bën president, ne kemi problem me Kurtin se çfarë bën me politike të brendshme, çfarë bën me politikë të jashtme, si dalin rezultatet e testit PISA, çfarë ndodh në sektorin e shëndetësisë, çfarë ndodh në sektorin e arsimit”, është shprehur Hoxhaj.  

Hoxhaj: Do t’i drejtohemi Kushtetueses, po ndodh puç kushtetues

1 muaj më parë / 9 sht 2026 20:47
Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se do të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese si konstituimin e Kuvendit, ashtu edhe zgjedhjen e qeverisë dhe të presidentit, në rast se ndodhin këto. 

Hoxhaj ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur në 5-6 javët e fundit në Kosovë ka qenë një puç kushtetues nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.  

“Do ta çojmë seancën e konstituimit të Kuvendit, nisjen e konstituimit të Kuvendit, në Gjykatë Kushtetuese. Po ashtu edhe qeverinë e re dhe presidentin. Nuk mund të ketë situatë politike ku 5-6 javë ke anarki totale, përmbysje të rendit kushtetues, shkelje të çdo rregulli e papritmas ta rikthesh demokracinë në mënyrë normale. Nuk është një krizë e zakonshme politike si vitin e kaluar. Për atë se si përmbyllet konstituimi i Kuvendit fjalën duhet ta japë Gjykata Kushtetuese. Se në bindjen tonë të plotë, kjo çfarë ndodhi është puç kushtetues. Puçet sot nuk ndodhin vetëm me armë, e kur e nxjerr dikush ushtrinë në rrugë. Puç është edhe kur nuk e respekton procedurën, Kushtetutën”, tha Hoxhaj në “Konfront” të KTV-së.