Arbëri

Fetahu: Nëse VV-ja s’e shfrytëzon të drejtën për kryeparlamentar, përse të mos i lejohet opozitës

Avokati Faton Fetahu, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive, i hap rrugë zgjidhjes së krizës së shkaktuar. Sipas tij, aktvendimi ka ofruar afat të caktuar që partia më e madhe të zgjedhë kryeparlamentarin. E ai ka thënë se nëse kjo parti nuk e shfrytëzon këtë të drejtë, atëherë nuk ka arsye që kjo të mos u jepet partive tjera.

“Në bazë të praktikave dhe sistemeve kushtetuese evropiane, të vendeve me standarde të larta demokratike, askush s’ka të drejtë të pakufizuar në kohë, asnjë të drejtë absolute për të shfrytëzuar një të drejtë e cila mund të shndërrohet në mekanizëm bllokimi”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të premten. Ai ka thënë se VV-ja, që po e kritikon vendimin, e ka detyrim zbatimin. E sipas tij, kjo e drejtë s’është e përjetshme dhe absolute për të parin. 

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që PDK-ja të kërkojë nga Kushtetuesja sqarime shtesë nëse VV-ja nuk e shfrytëzon të drejtën për zgjedhjen e kryeparlamentarit për 30 ditët e caktuara.

“Ia dha çdo mundësi partisë së parë. Nëse VV-ja nuk e zgjedh kur ka mundësinë të kandidojë së paku pesë kandidatë nëse mbahen seancat çdo 48 orë, ose nëse më shpesh edhe të gjithë deputetët. Ky s’është problem i opozitës, por i grupit më të madh parlamentar sepse qysh e tha Kushtetuesja i takon vetëm partisë së parë të bëjë kompromis. Çështja tani është politike dhe marrëveshjet politike s’i detyron gjykata. Ajo ju tha kjo është fusha, lojtarët jeni ju, rregullat janë këto. Nëse kjo e drejtë nuk do të shfrytëzohet nga grupi më i madh parlamentar, mbroj pikëpamjen që derisa po lejuaka që i dyti apo i treti të nominohet për kandidat për kryeministër, përse nuk u lejuaka që opozita ta zgjedhë kryeparlamentarin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se aktgjykimi për zgjedhjen e qeverisë duhet të harmonizohet me atë për kryeparlamentarin.

Po ashtu, Fetahu e ka cilësuar të pabazë, kërkesën e presidentes Vjosa Osmani që i kërkoi gjykatës t’i listojë pasojat kushtetuese që prodhohen nëse pas 30 ditëve prej kur nis seanca konstituive, nuk zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Ajo tërhoqi kërkesën, duke thënë se rasti është në duart e gjyqtari Radomir Laban, për të cilin tha se është person i rrezikshëm për rendin kushtetues. Sipas Fetahut, presioni publik ka mundur të çonte në dorëheqjen e Labanit dhe në bllokim të punës së Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, me këtë veprim Osmani ka rrezikuar të shkaktojë “krizë të pafundme kushtetuese”. Sipas tij, ky veprim ishte i nivelit të barabartë me aktin e tradhtisë kombëtare.