Arbëri

Fetahu: Vetëvendosje është e fundit që mund të flasë për Kushtetutën

Faton Fetahu

Avokati Faton Fetahu, që e përfaqëson PDK-në në rastet në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë shkelësja më e madhe e Kushtetutës në 6 vjetët e fundit. 

Ai është pyetur lidhur me reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje për aktgjykimin e Kushtetueses në lidhje me rastin e zgjedhjes së nënkryetarit serb në legjislaturën e fundit.

“Vetëvendosja është e fundit në listën e organizatave që mund të flasin për çështje kushtetuese, interpretime kushtetuese apo zbatim të Kushtetutës. Është subjekti politik, i cili pas vetes e ka përgjegjësinë më të madhe për shkeljet kushtetuese të ndodhura tash e 6 vjet. Më së paku Lëvizja Vetëvendosje ka kredibilitet për të folur për Kushtetutën, interpretimet kushtetuese apo aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Fetahu në “Konfront” të KTV-së. 

Sa i përket zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë, Fetahu vlerëson se është shkruar gabimisht në Kushtetutë norma që të detyrohen të gjithë deputetët për të votuar një kandidaturë të një komuniteti të caktuar. 

“Përderisa e ka të drejtën vetëm një subjekt politik ta propozojë një kandidat, cila është logjika që të detyrohen 120 deputetë për ta votuar kandidatin. Prandaj Kushtetuta në këtë pikëpamje do të ishte mirë të rishikohej, nga detyrimi për t’u zgjedhur në të drejtën për propozim për emërim”, tha Fetahu. 

Ai tha se përderisa ekziston ajo normë në Kushtetutë, atëherë nuk ka të drejtë të komentojë as Vetëvendosje e as ndokush tjetër. 

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Listës Serbe, lidhur me nënkryetarin e Kuvendit, dëshmon mungesë serioze konsistence të gjykatës. 

Përmes një reagimi, kjo parti ka shprehur se Kushtetuesja e ka ndryshuar qëndrimin e vet brenda katër muajve për të njëjtën çështje kushtetuese. 

Sipas këtij subjekti, Gjykata po krijon në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret, Listën Serbe.

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e saj, me të cilin e ka qartësuar se nënkryetari serb i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dhjetë duhet të jetë njëri nga nëntë deputetët e Listës Serbe, si shumicë brenda këtij komuniteti.

Në aktgjykim thuhet se e drejta e propozimit i takon vetëm shumicës së deputetëve serbë dhe përderisa kjo shumicë nuk refuzon të propozojë kandidat për nënkryetar, procedura e shortit nuk vjen në shprehje.

Gjykata ka theksuar se edhe në rastet kur ezaurohen nga tri herë në votim të gjithë emrat e kandidatëve të propozuar nga shumica e komuniteti serb, kjo shumicë, që në këtë rast është Lista Serbe, ka të drejtë të fillojë me propozimet e njëjta pa kufizim, për sa kohë është brenda afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit.


Fetahu: Kalkulimi i Kushtetueses çoi vendin në zgjedhje e në dekrete jokushtetuese

Avokati Faton Fetahu, që e përfaqëson Partinë Demokratike të Kosovës në rastet në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se me moscaktimin e masës së sigurisë nga Gjykata Kushtetuese mbi kërkesën e Listës Serbe për çështjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, kjo gjykatë bëri kalkulim politik, që e çoi shtetin në zgjedhje e në dekrete jokushtetuese.

Ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi që shumica e komunitetit serb e ka të drejtën e pakufizuar që ta propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e këtij komuniteti. E herën e shkuar, asnjë deputet i Listës Serbe nuk mori mbështetjen dhe më pas u votua i vetmi deputet serb nga parti të tjera – Nenad Rashiq. Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese pati kërkuar edhe masë të sigurisë ndaj këtij vendimi, por se ajo nuk ishte miratuar nga Kushtetuesja.

Në “Konfront” të KTV-së, Fetahu ka thënë se ky qëndrim i Gjykatës ka qenë kalkulim politik dhe se ka çuar në dekrete jokushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese nuk e ka kryer punën dhe funksionin e plotë në të gjitha aktgjykimet e verës që shkoi sepse asaj iu imponua të interpretojë edhe situata politike edhe pse nuk ishte në praktikën e saj. Në të shumtën e rasteve nxori edhe aktgjykime pa efekt juridik e kushtetues. I tillë ishte edhe ky aktgjykim, i cili u kërkua si kërkesë nga Lista Serbe, por nuk u vendos masa e sigurisë. Pra kur më 10 tetor u konstituua Kuvendi, deputetët e Listës Serbe të pakënaqur me mënyrën e vendosjes së shumicës për ta zgjedhur Nenad Rashiqin e dërguan një kërkesë në Gjykatë Kushtetuese dhe krahas të njëjtës sikur me kërkesën e javës së parë të shtatorit, edhe tani kërkuan vendosjen e masës së sigurisë. Pse nuk u vendos kjo masë e sigurisë? Mosvendosja e kësaj mase të sigurisë ka pasur për efekt zgjedhjen e dekretit jokushtetues për nominimin e Albin Kurtit kryeministër, dekretit jokushtetues për nominimin e Glauk Konjufcës për kryeministër, dekretin jokushtetues të presidentes për dërgimin e vendit në zgjedhje. Dhe kjo është kalkulim politik i Gjykatës Kushtetuese, gjë që nuk i lejohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, po që se atë kohë do të caktohej kjo masë, atëherë Kuvendi do të kishte mundësinë ta përmirësonte veten.


Fetahu: Dimal Basha është shkelësi më i madh i Kushtetutës

Avokati Faton Fetahu vlerëson se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë gabim të madh me rreshtimin e tij kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Fetahu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Basha ka qenë shkelësi më i madh i Kushtetutës në rastin e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb më 10 tetor. 

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, pasi Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komuniteti serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për ta konstituuar Kuvendin.

“Të pozicionohemi kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese siç bëri kryetari i Kuvendit, është gabim fatal. Ai është shkelësi më i madh i Kushtetutës në rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit. Jo vetëm që nuk e administroi si duhet procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve, në këtë rast nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, por  e mori të drejtën që t’ia propozojë komunitetit serb vet kandidatin për nënkryetar”, ka thënë Fetahu. 

Ai ka thënë se Basha e propozoi vet Nenad Rashiqin, pasi u konsumuan të nëntë propozimet nga Lista Serbe.