Arbëri

Basha: Vendimi i Kushtetueses në kundërshtim me Kushtetutën

Dimal Basha

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese, është në shpërputhje me Kushtetutën. Në një status të gjatë në rrjetin Social Facebook, Basha i ka quajtur konstatimet e Kushtetueses të pabaza dhe ka thënë se procedura për zgjedhjen e Rashiqit është në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën. Sipas tij Rashiqi është zgjedhur nënkryetar vetëm pas refuzimit të Listës Serbe për të propozuar një kandidat.  

“Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njëjti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”, ka shkruar Basha në Facebook.

Sipas tij Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit.

“Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili ‘bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare’. Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, ka shkruar Basha.

Sipas tij zgjedhja e Rashiqit ka ndodhur vetëm pas mospropozimit nga propozuesi i komunitetit joshumicë serb.

“Me fjalë të tjera, pas dështimit si pasojë e moszbatimit të nenit 12, paragrafi 6, Rregullorja më ka obliguar drejt aktivizimit të nenit 12, paragrafi 7 për propozim përmes shortit”, ka shkruar Basha. 

Ai konstatimet e Gjykatës Kushtetuese i ka quajtur të pabaza dhe ka thënë se Rashiqi është zgjedhur në pajtim të plotë më Kushtetutën. 

“Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiq në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Basha. 

Ai ka thënë se në rastin e zgjedhjes së Rashiqit ka pasur refuzim për të propozuar nga Lista Serbe.

“Gjykata, në Njoftimin e saj thekson se ‘z.Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb’. Fillimisht, duhet theksuar se është e vërtetë që z. Rashiq nuk ka ardhur në pozitën e tij si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, dhe kjo në vetvete e vërteton se nuk ka pasur propozim nga shumica e këtyre deputetëve. Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar z. Rashiq, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”, ka shkruar Basha.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, pasi Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komuniteti serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për ta konstituuar Kuvendin.

Statusi i plotë i Bashës:

Lajmi në përditësim…