Arbëri

Krasniqi: Kushtetuesja dha mesazhin se nëse s’je pjesë e Listës Serbe e ke të pamundur të zgjidhesh

Elbert Krasniqi

Elbert Krasniqi (arkiv)

Foto: Driton Paçarada

Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, në emër të grupit parlamentar multietnik – përfshin partitë KDTP, VAKAT, NDS, IRDK, PSA, SPO, LPRK - ka shprehur shqetësimin lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Listës Serbe në zgjedhjen e nënkryetarit serb. 

Krasniqi ka thënë se në rastin e zgjedhjes së Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në tetor 2025 janë përmbushur dy kushtet sipas Kushtetutës, “kandidimi ka ardhur nga radhët e komunitetit serb dhe zgjedhja është bërë me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit”. 

Sipas tij, ky ka qenë votim legjitim, ligjor dhe proceduralisht i rregullt, që shpreh vullnetin politik të 71 deputetëve, vullnet që Krasniqi ka theksuar se është anashkaluar nga Gjykata.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë në konsideratë një fakt thelbësor: diskriminimin e drejtpërdrejtë që do t’i shkaktohej një deputeti të komunitetit serb nëse do t’i mohohej e drejta për të kandiduar vetëm pse nuk i përket një subjekti të caktuar politik. Mohimi i kësaj të drejte do të krijonte një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit përkatësia partiake do të mbizotëronte mbi përkatësinë komunitare, një standard që nuk buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai në një reagim në Facebook.

Krasniqi është shprehur tutje se vendimi lë gjithashtu përshtypjen se ekzistenca politike e Nenad Rashiqit është injoruar. 

“Në leximin praktik të aktgjykimit, mesazhi që mund të perceptohet është i thjeshtë dhe shqetësues: nëse nuk jeni pjesë e Listës Serbe, jo vetëm që e keni pothuajse të pamundur të zgjidheni, por rrezikoni të mos trajtoheni as si përfaqësues legjitim i komunitetit tuaj”, ka shtuar ai.

Krasniqi, duke përfshirë edhe anëtarët e tjerë të komuniteteve joserbe, ka theksuar se mbrojtja e komuniteteve nuk arrihet duke kufizuar pluralizmin e tyre politik, por duke garantuar barazi reale ndërmjet përfaqësuesve. 

“Prandaj, bëjmë thirrje që ky aktgjykim të lexohet me kujdes në dritën e pasojave që mund të prodhojë për përfaqësimin demokratik. Sepse Republika e Kosovës nuk është ndërtuar mbi monopole politike, por mbi lirinë e përfaqësimit dhe barazinë kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e saj të mërkurën, me të cilin e ka qartësuar se nënkryetari i serb i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dhjetë duhet të jetë njëri nga nëntë deputetët e Listës Serbe, si shumicë brenda këtij komuniteti. Në aktgjykim thuhet se e drejta e propozimit i takon vetëm shumicës së deputetëve dhe përderisa kjo shumicë nuk refuzon të propozojë kandidat për nënkryetar, procedura e shortit nuk vjen në shprehje.