Pas raportimit të KOHËS se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk e ka respektuar Udhëzimin Administrativ, kur ka blerë pajisje ndihmëse për personat me paralizë, shkelja është konfirmuar edhe nga Auditori i Brendshëm i këtij institucioni. Raporti që konstaton dallimet në çmim është prezantuar të martën para Bordit Drejtues të SHSKUK-së
Auditori i Brendshëm i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) ka konfirmuar gjetjet në hulumtimin e KOHËS për mosrespektim të udhëzimit administrativ që e kufizon çmimin për blerjen e pajisjeve për personat me paralizë.
Nëpërmjet tenderit për pajisje ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, një bastun të thjeshtë, që në tregun online kushton nga 3 deri në 6 euro, SHSKUK-ja e ka blerë për 98 euro. Ndërkaq Udhëzimi lejon që për të të shpenzohen nga 10 deri në 50 euro.
Katër muaj pas kërkesës për auditim, raporti që konstaton dallimet në çmim është prezantuar të martën para Bordit Drejtues të SHSKUK-së, nga zëvendësdrejtori i njësisë së auditimit të brendshëm, Besnik Zejnullahu.
“Gjatë auditimit janë vërejtur dallime midis kostove të përafërta për njësi të ofertuara dhe atyre të përcaktuara në udhëzim. Këto dallime mund të kenë ndodhur pasi pajisjet ishin planifikuar të bliheshin në tërësi, ndërsa procedura e prokurimit është zhvilluar me kriterin e vlerësimit ‘çmimi më i lirë’, ku vlerësimi i ofertave bëhet mbi shumën totale të ofertës dhe jo mbi çmimet individuale për njësi. Gjithsesi, një praktikë alternative do të ishte ndarja e pajisjeve në lote të veçanta”, ka thënë Zejnullahu.
As për këtë e as për gjetjen tjetër të auditorit që nuk janë zbatuar masat ndëshkuese për vonesën në dorëzimin e pajisjeve, nuk është kërkuar llogari nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi.
Auditori Zejnullahu ka përmendur se në një nga faturat e urdhër-blerjeve në kuadër të kontratës për furnizim me pajisje ndihmëse ka vërejtur vonesë në dorëzim të mallit.
“Nga testimi është vërejtur se për faturën me nr.802-24, të datës 23.12.2024, në vlerë 334.000.00 €, operatori ekonomik nuk i është përmbajtur afatit të përcaktuar në kontratë për dorëzimin e mallit, i cili ishte 90 ditë nga data e lëshimit të urdhër blerjes nga autoriteti kontraktues. Megjithëse kontrata parashihte aplikimin e penaliteteve në rast të vonesave, nuk është shqiptuar gjobë ndaj operatorit ekonomik për tejkalimin e afatit. Kjo për arsye të raportit të menaxherit të kontratës ku kishte vështirësitë në sistemimin e mallit në depo deri në sigurimin e hapësirës adekuate”, ka thënë Zejnullahu.
E, për çështjen e kostimit të pajisjeve, pyetje ka ngritur anëtari i Bordit, Dren Boshnjaku.
“Si ka vazhduar prokurimi pa caktimin e pragut të çmimeve të pajisjeve, edhe penalltitë e furnizuesve, pse nuk janë caktuar në qoftë se nuk e kanë bërë furnizimin e pajisjeve me kohë. Edhe çështja tjetër është që pasi gama e pajisjeve është shumë e madhe, pse nuk janë ndarë në lote?”, ka thënë Boshnjaku.
Zejnullahu ka thënë se kjo është përcaktuar nga komisioni vlerësues i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë, prej anëtarëve të të cilit komision nuk ka pasur kompetencë që të kërkojë llogari.
“Kjo punë ligjërisht përcaktohet nga njësitë kërkuese se qysh po vlerësojnë ata për një produkt të caktuar, a dëshirojnë me e ble ndaras, a po duan ta blejnë si një... Në këtë rast ka ardhur si një lot total. Domethënë, ka qenë një procedurë për t’u zhvilluar komplet. Njësia kërkuese është komisioni vlerësues i përcaktuar nga udhëzimi 11/2022. U emërua nga MSH e aty ka pasur akterë të ndryshëm. Mbetet të vlerësohet prej atyre akterëve të tjerë që nuk kam mundur ta bëja zyrtarisht pyetje tek ata persona, të dërgojë pyetje zyrtare, aty mbetet të vlerësohet”, ka thënë Zejnullahu.
Një tjetër gjetje në raport ka qenë se SHSKUK-ja e ka iniciuar tenderin pa planifikim buxhetor.
“Aktiviteti është iniciuar pa qenë i planifikuar në PVP-në të SHSKUK-së për vitin 2024, për shkak të natyrës specifike dhe të papritur të kërkesës që buron nga zbatimi i UA nr. 11/2022”, thuhet në raport.
Udhëzimi Administrativ që tregon çmimet me të cilat duhet kontraktuar pajisjet ndihmëse për personat me paralizë, previzon që zbatues i këtij dokumenti është SHSKUK-ja.
Kontrata në vlerë gati 6.5 milionë euro është nënshkruar më 28 qershor 2024. Ndonëse ka kaluar një vit prej kur janë kontraktuar, pajisjet ende nuk janë shpërndarë tek personat e paralizuar, pavarësisht premtimeve të dhëna javë më parë.
Për procesin e shpërndarjes së tyre të martën në mbledhjen e Bordit drejtues të SHSKUK-së ka ngritur pyetje kryesuesja Tetore Olloni.
Ndonëse Udhëzimi e parasheh SHSKUK-në si institucionin kompetent për vlerësimin dhe sigurimin e pajisjeve dhe ia lejon asaj kontraktimin e shoqatave profesionale që ofrojnë pajisje ndihmëse për lëvizje, parandalim dhe asistim me qëllim të sigurimit dhe mirëmbajtjen e tyre, drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, ka thënë se shpërndarja nuk është kompetencë e SHSKUK-së.
“Udhëzimi nuk e ka paraparë qartë se qysh ka për të shkuar kjo punë dhe realisht nuk është në mandatin e SHSKUK-së, sepse faktikisht nuk ka kompetenca SHSKUK-ja të merret me një proces të tillë, sepse ai është proces më i ndërlikuar. Do të thotë, aty duhet për person të personalizuar pajisja, ka pajise që duhet të montohet te shpija, ka lifta dhe kërkesa ka qenë prej komisionit ministror që të ketë vetëm personel të certifikuar që mundet të merret me këtë punë. Kështu që kemi gjetur për momentin në baza vullnetare ekspertë të certifikuar të cilët kanë filluar procesin e shpërndarjes dhe të montimit. Ndërkohë duhet me këqyrë, komisioni ka bë kërkesë që ndoshta në angazhimin e një organizate profesionale sa i përket kësaj, kështu që SHSKUK-ja është duke këqyrë në angazhimin e ndonjë organizate profesionale”, ka thënë Azizi.
Për vonesat në shpërndarje javë më parë ka reaguar edhe shoqata “Handikos”, e cila i ka hartuar specifikat e tenderit për pajisje.