Pesë mesazhe të dala nga punëtoria për mendim dhe shkrim kritik, e organizuar në kuadër të programit “Brick”, u janë shpërndarë banorëve të Kaçanikut.
Përmes një aksioni rrugor, këto slogane janë shpërndarë edhe te nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Feriz Guri dhe vëllezërit Çaka”.
“E di kiminë e fizikën si vjershë”; “Aktivist bëhesh edhe pa të dalë mjekra”; “Mungesë n’kafe apo n’shkollë? Kjo është çështja”; “Teoria pa praktikë si kuzhina pa thikë” dhe “Aktivizimin duhet me provu në kafe”, janë sloganet që me kureshtje i lexonin të rinjtë kaçanikas, raporton “Express” i KTV-së.
Rina Abrashi, asistente e projektit, thotë se këto mesazhe janë produkt i punëtorisë për mendim dhe shkrim kritik, që ka për qëllim të nxisë mendimin ndryshe te të rinjtë e Kaçanikut.
Këto pesë slogane janë shpërndarë edhe në stacionin e autobusëve dhe në qendrën e Kaçanikut.
Gjatë javëve në vazhdim, në Kaçanik do të organizohen edhe dy punëtori tjera, prej të cilave do të nxirren edhe mesazhe tjera kreative. Punëtoritë janë pjesë e programit “Brick”, që implementohet nga organizata CDF, në bashkëpunim me “Integra”-n.