Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arrest shtëpiak gjashtë zyrtarëve të urbanizmit në tri komuna

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për shumicën prej zyrtarëve të urbanizmit të arrestuar në katër komuna të Kosovës të enjten. Zyrtarë të Pejës, Deçanit, Klinës e Istogut u arrestuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit nga Gjykata Themelore, masa e arrestit shtëpiak është caktuar për gjashtë prej të arrestuarve, ndërsa një zyrtareje i është mundësuar mbrojtja në liri. Vendimi është bërë publik vetëm për zyrtarët e Komunës së Deçanit, Istogut e të Klinës, por jo edhe për ata të Pejës.

Në arsyetimin e caktimit të masës së arrestit shtëpiak prej një muaji, Gjykata ka thënë se ka vlerësuar se kjo masë është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Deçanit, R.M, dyshohet se ka lëshuar leje për ndërtim objektesh në Bjeshkët e Nemuna ku nuk mund të lëshohet leja në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për parkun.

Edhe tre zyrtarë të Komunës së Istogut, përfshirë drejtorin e Planifikimit Urban dhe Mjedisit, J.B. dhe dy zyrtarë të kësaj drejtorie, Rr.G. dhe R.B. kanë tejkaluar kompetencat duke lëshuar leje ndërtimore pasi “kanë konstatuar kinse ngastrat kadastrale ku është bërë kërkesa për ndërtim ndodhet në bllok tjetër ku lejohet ndërtimi me etazhitet të lartë, edhe pse në fakt ato ishin në zona ku s’lejohej një gjë e tillë”.

Në Komunën e Klinës drejtori për Urbanizëm, L.M., dhe zyrtari i kësaj drejtorie, A.G., kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim duke lëshuar leje e më pas edhe leje për mbindërtim edhe pse ende s’është aprovuar plani i ri zhvillimor komunal. L.M. dyshohet edhe se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat duke nxjerrë vendim me të cilin i ishte lejuar investitorit afrimi i objektit në distancë prej 20 metrash largësi nga vija hekurudhore, e më pas në 17 metra, edhe pse ligji e përcakton që distanca të jetë 25 metra.

Edhe Sot seanca ndaj zyrtarëve të dyshuar për ndërtimet pa leje Arbëri Sot seanca ndaj zyrtarëve të dyshuar për ndërtimet pa leje

Ndërkaq, e pandehura E.B., zyrtare e drejtorisë së Urbanizmit në Istog, dyshohet për veprën e “konfliktit të interesit” pasi ka marrë pjesë në një çështje zyrtare për të cilën e ka ditur se ka interes financiar kunati i saj. Për të është marrë vendim për mbrojtje në liri.

Ditë më parë në katër komuna u zhvillua aksion ndaj zyrtarëve të urbanizmit. Prokuroria pati njoftuar për 10 të arrestuar, teksa paralajmëroi vazhdim të aksionit për ndërtimet pa leje.