Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj ndaj katër zyrtarëve komunalë, përfshirë ish-drejtorin e Urbanizmit, A.B., dhe tre të tjerë: E.B., A.L. dhe A.K., për shkak të dyshimit për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë viteve 2018–2019 të pandehurit kanë lejuar parcelime të paligjshme të pronave publike në favor të disa palëve të treta, duke dëmtuar pasurinë e Komunës së Gjakovës dhe të KBI-së.
Ish-drejtori i Urbanizmit, A.B. dhe udhëheqësja e Sektorit Urbanistik, E.B. dyshohet se kanë lëshuar pëlqime të paligjshme për parcelim, ndërsa ish-drejtoresha e Kadastrës, A.L. dhe juristi A.K. dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat ligjore duke regjistruar prona në emër të personave të tretë në kundërshtim me ligjin për kadastër dhe të drejtat pronësore.
Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të dyshuarit, por gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, vlerësoi se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për këtë fazë të hetimeve.
Të pandehurit do të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 23 gusht.