Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetim ndaj katër personave në Gjakovë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas njoftimit, gjatë vitit 2018 i pandehuri A.B., në cilësinë e personit zyrtar Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjakovë, si dhe e pandehura E. B., në cilësinë e personit zyrtar Udhëheqëse e Sektorit Urbanistik në këtë drejtori, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare e me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellin dobi pasurore, kanë lëshuar dhe nënshkruar pëlqimin në interes të palës A.L., për parcelimin e pjesshëm fizik të disa parcelave në pronësi shoqërore në rrugë publike dhe në pronësi të K. të B. I. në e Gjakovë (V.)
Të njëjtit kanë lëshuar dhe nënshkruar pëlqimin në interes të palëve M.Ll., dhe Sh.B., për parcelimin e pjesshëm fizik të parcelave në pronësi të K. të B. I., në e Gjakovë edhe pse të pandehurit kanë qenë në dijeni lidhur me pronarin juridik të kësaj palujtshmerie. Nga ky veprim palët M.Ll., dhe Sh.B., i kanë bartur pronat në pronësi të tyre në sipërfaqe prej 599 m2 dhe objektin me sipërfaqe prej 115 m2, me ç’rast me veprimet e tyre kanë cenuar dhe dëmtuar pasurin e K. të B. I. në Gjakovë.
Poashtu ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2019 e pandehura A.L., ne cilësinë e personit zyrtar Drejtoreshë në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, si dhe i pandehuri A.K., në cilësinë e juristit, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare kanë nxjerrë dhe nënshkruar vendimin për aprovimin e regjistrimit të parcelave të reja kadastrale të formuara pas matjes duke dëmtuar persona të tjerë.
Të njëjtit kanë aprovuar regjistrimin e pronësisë te palët e treta Sh.B., dhe M.Ll., ashtu që parcelën në sipërfaqe prej 599 m2 dhe objektin në sipërfaqe prej 115 m2 pronë e K. të B. I. në e Gjakovë, fillimisht e kanë bartur në emër dhe pronësi të M. L., e më pas në emër të Sh.B., dhe familjarëve të tij në 1/4, me ç’rast me veprimet e tyre kanë cenuar dhe dëmtuar pasurin e K. të B. I., në e Gjakovë.
Kryetari Ardian Gjini gjatë së mërkurës, arrestimin e këtyre zyrtarëve e ka quajtur të panevojshëm.
“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik. Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi. Prandaj, besoj se është e domosdoshme që Prokuroria të sqarojë qartë dhe publikisht për çfarë konkretisht po akuzohen ata – jo me terma të përgjithshëm si “shpërdorim detyre”, por me fakte konkrete. Qytetarët kanë të drejtë të informohen drejt, sidomos në një periudhë kaq të ndjeshme si kjo para zgjedhjeve. Gjithmonë kam besuar dhe besoj në drejtësi. Por është detyrë edhe e organeve të drejtësisë që ta mbrojnë sistemin nga çfarëdo ndërhyrje që e cenon besimin e qytetarëve në vet atë sistem. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen sundimit të ligjit, e ligji duhet të jetë i drejtë”, ka shkruar ai.