Shtatë vendpunime janë mbyllur të premten në Pejë, Istog, Klinë dhe Deçan gjatë aksionit të ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Pejë, Policia dhe Inspektorati i Punës për inspektim në 20 lokacione ndërtimi nën dyshimet për rrezikim të sigurisë në vendin e punës. Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë 9 prokurorë, 8 inspektorë dhe rreth 60 zyrtarë policorë, ndërsa janë shoqëruar në polici persona përgjegjës të kompanive kontraktuese
Në katet më të larta të objekteve ndërtimore e nën temperatura deri në 28 gradë Celsius, punëtorë të disa kompanive ndërtimore kanë punuar të premten pa helmeta, pa rripa sigurie dhe pa asnjë pajisje tjetër mbrojtëse.
Për moszbatimin e masave të duhura të sigurisë në vend të punës, të premten janë mbyllur shtatë vendpunime në katër komuna të Kosovës gjatë një aksioni të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Pejë, të Policisë dhe të Inspektoratit të Punës. Aksioni është ndërmarrë në 20 lokacione ndërsa në inspektim kanë marrë pjesë 9 prokurorë, 6 inspektorë dhe rreth 60 zyrtarë të Policisë.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka thënë se gjatë inspektimeve në terren janë evidentuar parregullsi të shumta dhe mungesë e masave të sigurisë për punëtorët.
“Kemi gjetur shkelje të jashtëzakonshme, përveç se shkeljeve që bien në domenin penal. Vendpunimet kanë qenë të parrethuara, të paekspozuara me leje ndërtimore të cilat janë obligative. Kemi gjetur që nuk janë duke u kryer punimet si duhet, kemi gjetur që skelet janë jashtëzakonisht keq. Kemi gjetur që të gjithë punëtorët kanë qenë pa veshje adekuate, pa helmeta, pa asnjë siguri absolute”, ka theksuar ajo, teksa ka shtuar se qëllimi i aksionit ka qenë që të përçohet mesazhi se askush nuk është mbi ligjin dhe se personat përgjegjës të kompanive kontraktuese nuk mund të veprojnë duke e vënë në rrezik jetën e punëtorëve.
Në Prokurorinë Themelore në Pejë kanë bërë të ditur se si pasojë e shkeljeve, janë shoqëruar në polici persona përgjegjës të kompanive kontraktuese.
“Nga ky aksion gjithëpërfshirës, me autorizimet e prokurorit të shtetit janë shoqëruar në stacionet policore personat përgjegjës të kompanive kontraktuese dhe si rrjedhojë janë mbyllur shtatë vend punime, dy (2) në qytetin e Pejës, tri (3) në Istog, një (1) në Klinë dhe një (1) në Deçan. Gjithashtu, në raste ku ka pasur elemente të veprave penale janë iniciuar raste për veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës’”, është bërë e ditur në njoftimin e kësaj prokurorie.
Shefi i hetimeve rajonale, Nul Nikolla, i cili ka qenë koordinator i operacionit gjatë aksionit të së premtes, ka theksuar se inspektimi është zhvilluar pa asnjë incident të shënuar.
“Kanë qenë të përfshirë rreth 60 zyrtarë policorë. Çka na gëzon është fakti që në 20 lokacione, në të cilat është inspektuar bashkë me prokurorët e shtetit dhe inspektorët përkatës, nuk është regjistruar asnjë incident. Që do të thotë se qytetarët janë të gatshëm dhe i mirëpresin këto aksione, sepse në fund të fundit këto kanë për qëllim për të krijuar kushte dhe siguri në punë”, është shprehur ai.
E udhëheqësja e divizionit të inspektimit në rajonin e Pejës, Monika Curri, ka thënë se Inspektorati i punës ka ndërmarrë masa të menjëhershme në disa prej vendpunishteve.
“Në dy vend punishte janë ndaluar punimet deri në ndërmarrjen e masave. Kuptohet që kompetencë e inspektoratit të punës është që në momentin që has në shkelje, në momentin që has në rrezikim të jetës së punëtorëve për shkak të mos ndërmarrjes së masave në këtë rast vendosjen e skeleve, mos pajisjen me pajisje personale mbrojtëse përfshirë helmetën, këpucët etj, ose shkallët kur nuk janë të rrethuara, liftat nuk janë të mbyllur dhe të gjitha këto kemi kompetencë për ndalim të punimeve. Andaj inspektorët e punës në rajonin e Pejës kanë ndaluar punimet”, ka thënë ajo.
Nga janari e deri në qershor të këtij viti, sipas Inspektoratit të Punës, janë regjistruar 268 aksidente në vende të punës, prej të cilave 7 kanë përfunduar me fatalitete.
Vetëm më 21 korrik, tre punëtorë kanë vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në vendpunime, dy prej të cilëve janë shënuar në rajonin e Gjakovës dhe një në atë të Istogut.