Aktakuza e parë e Prokurorisë Speciale për spiunazh e ka kaluar filtrin e parë. Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë është konfirmuar dyshimi i bazuar se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë kryer veprën penale - spiunazh. Në aktvendim thuhet se ekziston edhe dyshimi i bazuar mirë se Sërgjan Rosiqi është agjent i BIA-s, derisa hidhen kundërshtimet e mbrojtjes së Qerimit, sipas të cilës bëhet fjalë për komunikime private dhe se nuk ka asgjë të klasifikuar si sekret shtetëror
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka dhënë dritën e gjelbër aktakuzës së parë të Prokurorisë Speciale për veprën penale - spiunazh.
Në aktvendimin e nxjerrë më 30 prill, Themelorja ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë bërë spiunazh si pjesë e Agjencisë për Inteligjencë të Sigurisë së Serbisë – BIA.
Avokati i Qerimit, Betim Shala, ka pretenduar se nuk mund të akuzohet për spiunazh i pandehuri që nuk ka dhënë informata të klasifikuara, por gjykata ka konstatuar se në këtë fazë është valid vlerësimi i prokurorisë.
Gjykata është bazuar te një nen i Kodit Penal që nuk e specifikon a duhet apo s’duhet të jenë të klasifikuara të dhënat që një person ia çon shërbimit të huaj.
“Sa i përket mbledhjes së informatave, nga provat e cekura më lart, por edhe të tjerat të bashkëngjitura aktakuzës, shihet se i njëjti ka mbledhur informacione për çështjet e rëndësisë shtetërore e po ashtu edhe për personat që mbajnë pozita publike e që pastaj ka dyshim të bazuar mirë se këto i ka bartur te zyrtarët e BIA-s. Prandaj edhe rrjedhimisht ka dyshim të bazuar mirë se veprimet e të akuzuarit Muharrem janë plotësuar me këto elemente”, thuhet në aktvendimin e Themelores.
Edhe në raport me Bedri Shabanin gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i ka dërguar informata me peshë shtetërore BIA-s serbe.
Mbrojtja e Shabanit ka pretenduar se shkresat e prokurorisë nuk e vërtetojnë se Sërgjan Rosiqi, me të cilin pretendohet se ka komunikuar Shabani, është zyrtar i BIA-s. Por, gjykata beson se ai është pjesë e BIA-s.
“... gjykata vlerëson se nga provat e cekura më lart, por edhe ato të bashkëngjitura në aktakuzë, ka dyshim të bazuar mirë se Sërgjan Rosiqi është pjesëtar i BIA-s serbe”, thuhet në aktvendim.
Pretendimet e prokurorisë janë se përveç Rosiqit, Shabani pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër të BIA-s, Bogolub Janiçeviq, që kishte rol udhëheqës në masakrën e Reçakut, si pjesëtar i forcave policore serbe.
Mbrojtësi i Shabanit, Besnik Berisha, ka thënë se klienti i tij është përgjuar kundërligjshëm, mirëpo shkalla e parë ka vlerësuar se Prokuroria Speciale i ka siguruar provat në përputhje me ligjin dhe vlerësimi i tyre i mëtejmë duhet të bëhet në shqyrtim gjyqësor.
Krahas Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, të dyshuar nga Prokuroria Speciale si spiunë të Serbisë e që janë në paraburgim janë edhe tre të dyshuar të tjerë.