Zgjedhjet lokale

Plani i zhvillimit ekonomik të Prishtinës, sipas Çekut

Hajrulla Çeku

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka shpalosur planin për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit, duke thënë se Prishtina duhet të ketë një perspektivë të qartë dhe të jetë aktore aktive në promovimin e ekonomisë.

Ai ka thënë se, përveç punës për ta bërë qytetin funksional dhe të jetueshëm, prioritet do të jetë fuqizimi i ekonomive familjare dhe sektorëve kyç të Prishtinës.

“E kuptoj që ekonomia e madhe është detyrë e Qeverisë, por edhe Prishtina, si kryeqytet, duhet të ketë rol aktiv në promovimin dhe zhvillimin ekonomik. Po i vizitoj bizneset për të kërkuar bashkëpunim në mënyrë që Prishtina e vitit 2035 të na gjejë me ekonomi më të rritur dhe të konsoliduar”, ka thënë Çeku në emisionin “038” të KTV-së.

Sipas tij, sektori digjital, turizmi dhe prodhimtaria vendore janë fushat më të rëndësishme që do të marrin mbështetje nga një politikë e qartë zhvillimore. Ai ka përmendur edhe investimet në trashëgimi kulturore dhe rritjen e fondit për skenën e pavarur kulturore, duke theksuar nevojën për restaurimin e monumenteve historike.

Çeku e ka vënë theksin edhe te gastronomia dhe jeta e natës, të cilat, sipas tij, përbëjnë sektorë të rëndësishëm ekonomikë për kryeqytetin. Ai ka thënë se do të punojë për gjetjen e zgjidhjeve të reja, si izolimi akustik i lokaleve, për të balancuar nevojën e banorëve për qetësi me mundësinë që lokalet të operojnë edhe gjatë natës.

“Prishtina duhet të bëhet qytet që nuk fle. Jeta e natës jo vetëm që e shquan kryeqytetin tonë, por është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.

Lexo përditësimet tjera
LIVE: Nëpër Prishtinë me Hajrulla Çekun - Zgjedhjet në KOHË

Nëpër Prishtinë me Hajrulla Çekun - Zgjedhjet në KOHË