Pse Çeku nuk është bartës i listës?

41 min. më parë / 27 sht 2025 21:01
Hajrulla Ceku

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka thënë se synimi i tij është të jetë kryetar komune prandaj nuk e ka menduar të jetë bartës i listës për Asamblenë Komunale.

Çeku u shpreh se nuk ka dashur as të krijojë ndonjë efekt artificial për maksimizim të votave.

“Kandidoj për kryetar komune, jo për asamble. Nuk e kam menduar asnjëherë këtë mundësi që të jem edhe bartës i listës. Nuk dua të krijoj efekt artificial për ta maksimizuar votën. Jam i qartë në synimin tim. Kjo është kandidatur për kryetar komune”, ka thënë ai në emisionin “038” të KTV-së.

Plani i zhvillimit ekonomik të Prishtinës, sipas Çekut

1 o. më parë / 27 sht 2025 20:37
Hajrulla Çeku

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka shpalosur planin për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit, duke thënë se Prishtina duhet të ketë një perspektivë të qartë dhe të jetë aktore aktive në promovimin e ekonomisë.

Ai ka thënë se, përveç punës për ta bërë qytetin funksional dhe të jetueshëm, prioritet do të jetë fuqizimi i ekonomive familjare dhe sektorëve kyç të Prishtinës.

“E kuptoj që ekonomia e madhe është detyrë e Qeverisë, por edhe Prishtina, si kryeqytet, duhet të ketë rol aktiv në promovimin dhe zhvillimin ekonomik. Po i vizitoj bizneset për të kërkuar bashkëpunim në mënyrë që Prishtina e vitit 2035 të na gjejë me ekonomi më të rritur dhe të konsoliduar”, ka thënë Çeku në emisionin “038” të KTV-së.

Sipas tij, sektori digjital, turizmi dhe prodhimtaria vendore janë fushat më të rëndësishme që do të marrin mbështetje nga një politikë e qartë zhvillimore. Ai ka përmendur edhe investimet në trashëgimi kulturore dhe rritjen e fondit për skenën e pavarur kulturore, duke theksuar nevojën për restaurimin e monumenteve historike.

Çeku e ka vënë theksin edhe te gastronomia dhe jeta e natës, të cilat, sipas tij, përbëjnë sektorë të rëndësishëm ekonomikë për kryeqytetin. Ai ka thënë se do të punojë për gjetjen e zgjidhjeve të reja, si izolimi akustik i lokaleve, për të balancuar nevojën e banorëve për qetësi me mundësinë që lokalet të operojnë edhe gjatë natës.

“Prishtina duhet të bëhet qytet që nuk fle. Jeta e natës jo vetëm që e shquan kryeqytetin tonë, por është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.

Çeku: Projekti i Ramës për “Xhorxh Bush” s’ishte shesh, por qendër tregtare

1 o. më parë / 27 sht 2025 20:29
Hajrulla Çeku

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit, ka thënë se sheshi i planifikuar dhe i nisur nga kryetari aktual, Përparim Rama, nuk ka qenë “me qëllim për zgjerim të hapësirave publike, por qendër tregtare”.

Sipas tij, qëllimi ka qenë që dikush të përfitojë nga ky zhvillim.

“Ka disa probleme te ‘Xhorxh Bushi’. Leje që s’janë marrë nga autoritetet e ndryshme, çështjet pronësore, ka probleme procedurale në mënyrë qysh është bërë prokurimi për ta lidhë atë kontratë, ka probleme financiare me atë kontratë dhe ajo mbi të gjitha nuk është shesh, por një qendër e re tregtare. Në projektin e prezantuar si render disi kamuflohet pjesa e lokaleve midis sheshit. Qëllimi këtu nuk ka qenë t’i shtohet shesh Prishtinës, por që të nënshkruhet kontratë në vlerë të madhe dhe të krijohen lokale të reja në mënyrë që dikush të përfitojë prej asaj pune”, ka thënë Çeku në “038” në KTV.

Punimet në shesh janë ndërprerë qe disa muaj për shkak të mungesës së lejes nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve. E Komuna ka akuzuar Ministrinë e Kulturës, që udhëhiqet nga Çeku, për bllokadë.

Por sipas Çekut, problemi i këtij sheshi është krijuar artificialisht nga Rama. Ai ka thënë se zgjidhjen për këtë çështje e sheh në disa faza – duke nisur nga hapja e përkohshme gjatë ditës dhe mbyllje natës e një pjese të sheshit deri në analizimin e plotë për të vepruar në vendime më afatgjata.

Sa i përket akuzave për bllokadë, Çeku ka thënë se po të mos ishte kjo “temë e krijuar nga Rama”, atëherë “ai nuk do të kishte për çka të fliste dhe të kërkonte një mandat tjetër”.

Ai e ka akuzuar Ramën edhe për përvetësim të ideve e punëve të të tjerëve.

Çeku: Veprimet e fundit të Ramës, ofendim për qytetarët e Prishtinës

1 o. më parë / 27 sht 2025 20:17
hajrulla ceku

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit, ka thënë se vendimet e fundit të kryetarit Përparim Rama janë “ofendim për qytetarët e Prishtinës”.

Sipas tij, Rama po merr vendime me mendimin sa për të fituar edhe një mandat.

“Marrëveshja ‘Park and Ride’ me një qendër tregtare, ndriçimi publik ditëve të fundit, shtimi i disa linjave të autobusëve, në linjat private, janë improvizime e fatkeqësisht s’janë zgjidhje të qëndrueshme dhe po bëhen në katër javët e fundit të mandatit katërvjeçar. Janë veprime tipike elektorale  që i kanë dy probleme: Një që s’janë zgjidhje të qëndrueshme sepse bëhen për fushatë dhe; dy, që për mua është problemi më i madh, është se me këtë qasje ofendohet qytetari i Prishtinës. Kjo qasje shumë arrogante dhe mendësi se kështu mund të mashtrohet qytetari... Para katër vjetësh e kemi kuptuar që një model që premton mrekulli brenda një mandati dhe gjithçka vetëm sa për të fituar zgjedhjet e meriton ndëshkimin dhe kjo do të ndodhë në Prishtinë”, ka thënë ai për emisionin “038” në KTV.