Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët garojnë në 12 nga 18 komunat sa janë në balotazh, premtuan projekte infrastrukturore, zhvillim turistik e mbështetje për të mbijetuarat e dhunës në familje. Në Prishtinë, Hajrulla Çeku prezantoi projektin “10 fshatrat”, kurse në Gjilan, Alban Hyseni premtoi ndërtimin e një strehimoreje. E në Vushtrri, lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri në raundin e parë i kanë dhënë mbështetje Sylejman Mehollit
Me tubime e takime me qytetarë, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje nisën fushatën për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 12 nga 18 komunat ku janë në balotazh.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, vizitoi disa fshatra, në kërkim të votës për të udhëhequr me kryeqytetin.
Gjatë vizitës në Mramor, ai prezantoi projektin “10 fshatrat” që synon zhvillim përmes investimeve në infrastrukturë, shtigje turistike, ngjarje kulturore dhe mbështetje të aktiviteteve ekonomike.
“Unë mendoj që kemi nevojë me kriju një organizatë turistike të Gollakut, që merret me Gollakun. Është organizatë turistike që i bën bujqit edhe fermerët dhe organizatat tjera dhe ata bashkarisht vendosin se si të ngrenë vlerën turistike kësaj zone”, është shprehur Çeku.
E bashkëpartiaku i tij, kandidati për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, që po garon edhe për një mandat, premtoi ndërtimin e një strehimoreje për të mbijetuarat e dhunës në familje. Hyseni i munguan “një grusht votash” që të fitojë garën që në raundin e parë. Përballë ai do ta ketë kandidatin e LDK-së, Arbër Ismajli.
“Për gratë që janë të mbijetuara të dhunës në familje do të ndërrojmë strehimorën e re ku ato do të ndjejnë ngrohtësi dhe siguri. Më pas tek fondi për ndërmarrësit dhe fondi për biznesit mbi 10 punëtorë do të subvencionojmë paga për gratë në mënyrë që të integrohen dhe të bëhen pjesë e tregut të punës”, ka thënë Hyseni.
Kandidati i LVV-së për Gjakovë, Ardian Gola, në nisjen zyrtare të fushatës për balotazh kërkoi nga qytetarët votë për ndryshim të qeverisjes.
“Kjo javë është e fundit dhe vendimtare. Është java ku vazhdojmë t’i vëmë në pah dështimet dhe problemet e thella të qeverisjes aktuale, duke paraqitur njëkohësisht vizionin tonë të qartë për Gjakovën e së nesërmes”, ka deklaruar Gola.
Halil Thaçi që synon të qeverisë me Obiliqin, bëri katër premtime për fshatin Brzenicë. Sipas tij, ky fshat u diskriminua në katër vitet e fundit. Në garën për kryetar ai do ta ketë rival Xhafer Gashin e LDK-së.
“Ne si qeverisje e ardhshme premtojmë se do të realizojmë trotuarin, do të kemi edhe një çerdhe, parkun e lodrave për fëmijë, për shkollën “Naim Frashëri” do të bëjmë ndërtimin e sallës së edukatës fizike”, ka premtuar Thaçi.
Lëvizje Vetëvendosje do të garojë për kryetar në 12 komuna nga 18 sosh sa janë në balotazh më 9 nëntor.
Në mesin e tyre është edhe komuna e Vushtrrisë, ku ky subjekt përfaqësohet nga kandidati Sylejman Meholli.
Në mbështetje të tij të hënën është angazhuar lideri i LVV-së, Albin Kurti. Në tubimin e mbajtur në Vushtrri, Kurti ka thënë se me modelin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me udhëheqjen e kryetarit të ardhshëm, Sylejman Mehollit dhe bashkëpunëtorëve të tij të koalicionit qeverisës, Vushtrria do të jetë komunë që e mbron familjen dhe dinjitetin shoqëror. Në tubim ishte edhe kandidati i LDK-së në raundin e parë, Xhafer Tahiri.
“Gratë nuk do të mbeten më të vetme me barrën e jetës familjare. Komuna do të ecë përpara me ekonomi që punon për qytetarin. Zona Ekonomike e Lumadhit do të zhvillohet dhe hapet për investim. Bizneset e vogla do të mbështeten, procedurat do të thjeshtohen, prodhimi do të rritet. Shkolla do të jetë qendër komunitare, e hapur për aktivitet, për dijen, për rininë dhe prindërit. Qyteti do të ketë parqe, shëtitore dhe hapësira publike të gjalla. Kjo është Vushtrria që jeton, zhvillohet dhe rritet bashkë. Bashkë më 9 nëntor, bashkë për Vushtrrinë, bashkë 105!”, ka thënë Kurti.
Partia më e madhe në nivelin qendror ka fituar pa balotazh në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Në rundin e dytë garon në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Pejë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Obiliq, Rahovec, Viti dhe Vushtrri.