Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka dhënë mbështetje kryetarit aktual dhe kandidatit për Gjilanin, Alban Hyseni, duke thënë se ai e ka futur komunën në binarët e drejtimit të duhur me punët e mira. E kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, është zotuar që në gjashtëmujorin e parë do të vërehen ndryshimet në kryeqytet sa i përket pastërtisë e trafikut
Zotime për përmirësimin e gjendjes së ambientit, për avancimin e turizmit dhe të kulturës kanë dhënë kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetarë komunash në ditën e katërt të fushatës për balotazh.
Hajrulla Çeku, i cili në Prishtinë kandidon kundër kryetarit aktual, Përparim Rama, ka premtuar që në rast se del fitues më 9 nëntor, që në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes do ta bëjë ndryshimin me nivelin e pastërtisë në kryeqytet. Ai ka thënë po ashtu se në këtë periudhë do të bëhen intervenime për ta përmirësuar gjendjen e rëndë me trafikun.
“Çka duhet të vërej qytetari si efekt së pari të dorës së qeverisjes lokale është mirëmbajtja e qytetit. Duhet të përmirësohet niveli i pastërtisë së qytetit, menaxhimit të mbeturinave dhe mundësisht i një zbutjeje të trafikut sepse i kemi paraparë disa ndërhyrje të shpejta, të cilat janë të domosdoshme për trafikun”, ka thënë Çeku në një postim në Facebook.
Në një tubim në Gjilan, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka theksuar se kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat, Alban Hyseni, e ka kthyer komunën në binarët e drejtimit të duhur.
“Punët e mira do të vazhdojnë. Investimet do të rriten. Arsimi dhe shëndetësia kanë qenë fusha me prioritet në mandatin e parë. Sa i përket arsimit: 6 çerdhe, tri tashmë janë ndërtuar dhe janë funksionale, njëra në ndërtim e sipër dhe dy nisin këtë vit. Sa i përket shëndetësisë, 2 milionë euro investime në infrastrukturë dhe pajisje moderne për shërbime të reja dhe me orar të zgjatur, e në mandatin e dytë do t’i shtohen edhe projektet infrastrukturore dhe politikat sociale qeverisjes së Alban Hysenit”, është zotuar Kurti.
E Hyseni, i cili në balotazh përballet me Arbër Ismailin e LDK-së, u lavdërua për qeverisje me duar të pastra.
“Nuk jemi krenarë për përqindjen e votave që i kemi arritur, shumë më shumë krenarë se kjo, jemi krenarë e ballëhapur për dy arsye të tjera. Jemi një qeverisje që për 4 vite Gjilanit nuk i ka dhënë asnjë lajm, nuk i ka prodhuar asnjë skandal të vetëm korruptiv, aferë, keqpërdorim të detyrës zyrtare, apo diçka të ngjashme dhe besojeni që nuk ka qenë e lehtë me një opozitë politike në Gjilan që vazhdimisht na ka penguar, që vazhdimisht ka sabotuar dhe ka provuar që të dështojë secilën nismë, secilin projekt të mirë që e kemi bërë për komunën tonë”, ka theksuar ai.
E në Pejë kandidati Taulant Kelmendi, i cili është në garë me kryetarin aktual Gazmend Muhaxhiri, ka premtuar zhvillim të turizmit e përkrahje për studentë dhe sportistë.
“E kemi marrë edhe zotimin e Qeverisë që bashkë do ta jetësojmë ëndrrën e qytetit të Pejës, e premtimin e pambajtur për 13 vjet, do ta ndërtojmë bashkë projektin e qendrës turistike ‘Borea’. Do të ndajmë 500 bursa nga 1.000 euro për studentët tanë, do të japim 1.000 euro bursa për secilin talent sportiv, do të japim 250 euro për secilën lindje të re në qytetin e Pejës e po ashtu do të mbulojmë edhe shpenzimet mortore për çdo qytetar e do t’i ndihmojmë familjet në rastet e tyre më të rënda”, u zotua Kelmendi.
Ndërsa në Gjakovë kandidati Ardian Gola ka premtuar ta ngjallë jetën kulturore, nëpërmjet teatrove dhe ndërtimit të muzeut të fotografisë dhe atij të luftës.
“Do ta kthejmë në funksion parkun ‘Ali Podrimja’ dhe aty do të themelojmë festivalin ndërkombëtar të poezisë ‘Ali Podrimja’ për t’i dhënë qytetit tonë zërin që meriton. Teatri i qytetit, krenaria e Gjakovës, do ta marrë formën që i takon. Do ta ndërtojmë teatrin e ri modern dhe profesional posaçërisht për artistët dhe shfaqjet teatrore”, ka thënë ai.
Gola në Gjakovë është në garë të balotazhit me kryetarin aktual dhe kandidatin e AAK-së, Ardian Gjini. LVV-ja ka shkuar në balotazh në 12 komuna. Në Gjilan me LDK-në, në Gjakovë me AAK-në, në Kaçanik me PDK-në, në Fushë-Kosovë me LDK-në, në Mitrovicë me PDK-në, në Obiliq me LDK-në, në Rahovec me AAK-në, në Pejë me LDK-në, në Prishtinë me LDK-në, në Prizren me PDK-në, në Viti me LDK-në dhe në Vushtrri me PDK-në.