Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së katërt të fushatës zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 9 nëntor. 18 komuna janë në balotazh.
Haliti: Do t’i finalizojmë 200 projekte, sepse nuk do të jetë më kjo qeveri që na ka bllokuar
Kandidatët e Lidhjes Demokratike (LDK) e kanë vazhduar të enjten fushatën elektorale në nëntë komuna, në të cilat janë në balotazh, duke prezantuar projekte dhe duke kërkuar mbështetje me votë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e synon edhe mandatin e radhës në krye të komunës, ka premtuar se do ta bëjë transformimin e plotë të lagjes “Kodra e Diellit”.
“Këtu në ‘Bregun e Diellit 2’, tash do të instalojmë edhe ngrohjen qendrore. E dini që kemi pasur buxhetin prej milionëve, të cilin tash do e shtyjmë përpara instalimin e ngrohjes qendrore. Përveç asaj, edhe hapësirat publike të gjelbra edhe më të pastra e më të mira, po edhe në atë pjesën andej kemi për ta vazhduar transformimin, pra me i bo të gjitha shkollat e reja dhe këto pjesët, hapësirat publike të reja”, ka theksuar Rama.
Në Fushë-Kosovë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar komune, Besnik Osmani, ka premtuar ndërtimin e tri parkingjeve nëntokësore po qe se e fiton mandatin.
Ai ka thënë se ka projekte të cilat do ta përfshijnë lagjen “Dardania”, “Kompleksin 300” dhe tregun aktual në Bresje.
“Në planin tonë qeverisës për periudhën 2026-2029, do të realizohen tri parkingje nëntokësore, përmes partneritetit publiko-privat në lagjen ‘Dardania’, ‘Kompleksin 300’ dhe te tregu aktual në Bresje”, është zotuar Osmani.
E, në Gjilan, kandidati i LDK-së për kryetar, Arbër Ismajli, ka zhvilluar takim me veteranë të luftës, para të cilëve ka premtuar punësim dhe zhvillim ekonomik.
“Kjo përkrahje ka peshë të madhe për mua, sepse vjen nga njerëz që sakrifikuan gjithçka për këtë vend. Ju premtoj me sinqeritet se do të jemi bashkë, gjithmonë në punë, në zhvillim, e në çdo hap për një Gjilan të ri më të drejtë, më të bashkuar dhe shumë zhvillimor. Luftëtarët e lirisë do të kenë gjithmonë vend nderi në zemrën tonë dhe në bashkëqeverisjen tonë të ardhshme me ta”, ka theksuar Ismajli.
Në komunën fqinje të Gjilanit, atë të Vitisë, kryetari aktual Sokol Haliti, i cili pret që ta sigurojë mandatin e radhës nëpërmjet balotazhit, ka thënë se mbi 200 projekte të buxhetuara presin ekzekutim, nëse e fiton garën e 9 nëntorit.
“Prandaj, krejt këto projekte, këtë vizion të lidhjes sonë, të magjistrales sonë e cila do të kthehet në përparësi me kyçje në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Arbër Xhaferi’ do ta finalizojmë për shkak se qeveria e ardhshme nuk do të jetë kjo e cila na ka bllokuar katër vjet. Ne jemi të vetmit që kemi program qeverisës dhe përtej kësaj, ne jemi të vetmit që 200 projekte i kemi në vazhdimësi të planifikuara, të buxhetuara që pritet të ekzekutohen në tërë territorin e Komunës së Vitisë”, ka deklaruar Haliti.
Ndërkaq në Junik, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ruzhdi Shehu, ka promovuar asfaltimin e disa rrugëve në lagjet “Berishë”, “Krasniq” dhe “7 Shtatori”, duke premtuar se asnjë rrugë në këtë komunë nuk do të mbetet e paasfaltuar.
“Disa i kemi nisur dhe së shpejti do t’i asfaltojmë. Disa të tjera ende nuk iu ka ardhur radha. Mirëpo LDK do të asfaltojë të gjitha rrugët e Junikut pa dallim. Infrastruktura është parakusht për jetën dhe mirëqenien e junikasve. Fatkeqësisht kjo çështje ka qenë dashur të zgjidhet para 12 vjetësh nga pushteti i kaluar”, ka thënë Shehu.
Në Suharekë, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ardian Shala, gjatë një takimi me banorë në fshatin Neperbisht, u ka premtuar qytetarëve “epokë të re” për zhvillimin e komunës.
Në zgjedhjet e balotazhit, LDK-ja në Prishtinë hyn në garë si partia e parë e dalë nga raundi i parë i mbajtur më 12 tetor. Në Fushë-Kosovë, Osmani ka dalë i dyti dhe tash është në koalicion me të tretin, Rrahim Tërnavën e PDK-së. Në Obiliq, Gashi ka dalë i pari. Të tri këto komuna udhëhiqen nga LDK-ja dhe kandidatët e saj garojnë kundër atyre të Lëvizjes Vetëvendosje. E në Suharekë, Shala e sfidon kryetarin aktual, Bali Muharremaj, të AAK-së.
Lidhja Demokratike është në balotazh edhe në komunat e Gjilanit, të Vitisë, të Pejës, të Junikut dhe të Dragashit.
Totaj: Koalicioni PDK-LDK në Prizren trason rrugën për partneritet edhe në nivel qendror
Standard të ri të qeverisjes lokale ka premtuar kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili synon që nëpërmjet balotazhit ta sigurojë mandatin e dytë.
Ky kandidat i Partisë Demokratike (PDK) ka thënë se këtë do ta bëjë në bashkëpunim me Lidhjen Demokratike (LDK), parti për të cilën ka theksuar se duhet lidhur koalicion edhe në nivel qendror, krahas atij lokal.
“Fokusi ynë është kontributi për riafirmimin dhe ngritjen e nivelit të kualitetit të jetës së pari në qytetin e Prizrenit, tërë komunën, por sipas të gjitha gjasave me një partneritet strategjik do të trasojmë rrugën edhe do të bëjmë një përgatitje edhe për kthim të dy partive shtetformuese dhe shtetndërtuese edhe në nivel nacional”, ka thënë Totaj.
Ai ka publikuar edhe video, me të cilat ka promovuar projekte në një numër lagjesh e fshatrash të komunës. Krahas kësaj, ka falënderuar bashkatdhetarëve për mesazhe mbështetëse për të votuar të dielën “në mënyrë të organizuar”.
E bashkëpartiaku i Totajt, Sokol Bashota, i cili synon të rikthehet si kryetar i Klinës, ka premtuar shërbime funksionale për qytetarët pa dallime politike.
“Qytetarët duan shërbime që funksionojnë, rrugë të përfunduara, ujë të pijshëm dhe vendimmarrje të qartë. Është momenti që të mos shohim dallimet politike dhe të bashkojmë votat për ndryshim. Qeverisja duhet të punojë çdo ditë në krah të qytetarëve, jo vetëm në fushatë. Kjo është ajo që presin dhe meritojnë qytetarët tanë”, ka thënë Bashota, i cili të enjten ka organizuar takimin përmbyllës për fushatën e balotazhit.
Mesazh të këtillë ka dhënë edhe Shaban Shabani, i cili është kandidat i PDK-së për kryetar të Dragashit.
“Njerëzit këtu nuk kërkojnë shumë, duan rrugë që mirëmbahen, ujë të pijshëm, kujdes shëndetësor që funksionon dhe një komunë që reagon pa dallim se kush e thërret. Çdo fshat, çdo lagje dhe çdo komunitet duhet të respektohet dhe të ketë qasje të barabartë”, ka thënë Shabani.
Aktivitetin para balotazhit e kanë zhvilluar edhe kandidatë të tjerë të PDK-së.
Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka takuar banorë të Zhabarit, të cilëve u ka premtuar se do t’u japë zgjidhje shqetësimeve që ia kanë shprehur. Ai ka takuar edhe përfaqësues të komuniteteve, me të cilët ka thënë se ka ndarë besimin se vetëm respekti dhe puna e përbashkët janë rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë.
“Mitrovica është familja jonë e madhe dhe unë do të jem kryetar i secilit qytetar, pa dallime”, ka thënë Tahiri.
E, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që është në garë për mandatin e dytë, ka takuar banorë të fshatrave Nedakoc, Pestovë dhe Sfaraçak, si dhe ka promovuar projektet e zhvilluara gjatë mandatit. Ai ka zhvilluar aktivitet edhe në qendër.
“Në treg, në rrugë, te bizneset, ndihet sot më shumë se kurrë, forca jonë më e madhe – besimi i qytetarëve në vizionin tonë. Dorë më dorë, po e ndërtojmë të ardhmen që e meriton Vushtrria”, ka thënë Idrizi.
PDK-ja është në garë edhe për kryetar të Komunës së Kaçanikut. Kandidati Sabedin Vishi ka takuar gratë në këtë komunë, të cilave u ka premtuar fuqizim të rolit të tyre në shoqëri.
“Duke fuqizuar pozitën e gruas në shoqëri, hedhim një hap të rëndësishëm drejt fitores sonë të përbashkët”, ka thënë ai. “Këto biseda na japin forcë dhe frymëzim, sepse aty dëgjojmë nga afër mendimet, sfidat dhe nevojat e tyre, ndërsa ndajmë bashkë dëshirën për një të ardhme më të mirë për të gjithë”.
Një ditë më parë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në mbledhjen e kryesisë së partisë, ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të PDK-së që, sipas tij, kanë mundësuar rikthimin e këtij subjekti në vendin e parë pas 12 vjetëve sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale. Ai ka kërkua nga kryesia që të vazhdojë angazhimin dhe mobilizimin edhe në ditët e mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit, për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, e në të cilat PDK-ja është në garë.
Çeku premton qytet të pastër dhe zbutje të trafikut në 6-mujorin e parë të qeverisjes
Zotime për përmirësimin e gjendjes së ambientit, për avancimin e turizmit dhe të kulturës kanë dhënë kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetarë komunash në ditën e katërt të fushatës për balotazh.
Hajrulla Çeku, i cili në Prishtinë kandidon kundër kryetarit aktual, Përparim Rama, ka premtuar që në rast se del fitues më 9 nëntor, që në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes do ta bëjë ndryshimin me nivelin e pastërtisë në kryeqytet. Ai ka thënë po ashtu se në këtë periudhë do të bëhen intervenime për ta përmirësuar gjendjen e rëndë me trafikun.
“Çka duhet të vërej qytetari si efekt së pari të dorës së qeverisjes lokale është mirëmbajtja e qytetit. Duhet të përmirësohet niveli i pastërtisë së qytetit, menaxhimit të mbeturinave dhe mundësisht i një zbutjeje të trafikut sepse i kemi paraparë disa ndërhyrje të shpejta, të cilat janë të domosdoshme për trafikun”, ka thënë Çeku në një postim në Facebook.
Në një tubim në Gjilan, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka theksuar se kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat, Alban Hyseni, e ka kthyer komunën në binarët e drejtimit të duhur.
“Punët e mira do të vazhdojnë. Investimet do të rriten. Arsimi dhe shëndetësia kanë qenë fusha me prioritet në mandatin e parë. Sa i përket arsimit: 6 çerdhe, tri tashmë janë ndërtuar dhe janë funksionale, njëra në ndërtim e sipër dhe dy nisin këtë vit. Sa i përket shëndetësisë, 2 milionë euro investime në infrastrukturë dhe pajisje moderne për shërbime të reja dhe me orar të zgjatur, e në mandatin e dytë do t’i shtohen edhe projektet infrastrukturore dhe politikat sociale qeverisjes së Alban Hysenit”, është zotuar Kurti.
E Hyseni, i cili në balotazh përballet me Arbër Ismailin e LDK-së, u lavdërua për qeverisje me duar të pastra.
“Nuk jemi krenarë për përqindjen e votave që i kemi arritur, shumë më shumë krenarë se kjo, jemi krenarë e ballëhapur për dy arsye të tjera. Jemi një qeverisje që për 4 vite Gjilanit nuk i ka dhënë asnjë lajm, nuk i ka prodhuar asnjë skandal të vetëm korruptiv, aferë, keqpërdorim të detyrës zyrtare, apo diçka të ngjashme dhe besojeni që nuk ka qenë e lehtë me një opozitë politike në Gjilan që vazhdimisht na ka penguar, që vazhdimisht ka sabotuar dhe ka provuar që të dështojë secilën nismë, secilin projekt të mirë që e kemi bërë për komunën tonë”, ka theksuar ai.
E në Pejë kandidati Taulant Kelmendi, i cili është në garë me kryetarin aktual Gazmend Muhaxhiri, ka premtuar zhvillim të turizmit e përkrahje për studentë dhe sportistë.
“E kemi marrë edhe zotimin e Qeverisë që bashkë do ta jetësojmë ëndrrën e qytetit të Pejës, e premtimin e pambajtur për 13 vjet, do ta ndërtojmë bashkë projektin e qendrës turistike ‘Borea’. Do të ndajmë 500 bursa nga 1.000 euro për studentët tanë, do të japim 1.000 euro bursa për secilin talent sportiv, do të japim 250 euro për secilën lindje të re në qytetin e Pejës e po ashtu do të mbulojmë edhe shpenzimet mortore për çdo qytetar e do t’i ndihmojmë familjet në rastet e tyre më të rënda”, u zotua Kelmendi.
Ndërsa në Gjakovë kandidati Ardian Gola ka premtuar ta ngjallë jetën kulturore, nëpërmjet teatrove dhe ndërtimit të muzeut të fotografisë dhe atij të luftës.
“Do ta kthejmë në funksion parkun ‘Ali Podrimja’ dhe aty do të themelojmë festivalin ndërkombëtar të poezisë ‘Ali Podrimja’ për t’i dhënë qytetit tonë zërin që meriton. Teatri i qytetit, krenaria e Gjakovës, do ta marrë formën që i takon. Do ta ndërtojmë teatrin e ri modern dhe profesional posaçërisht për artistët dhe shfaqjet teatrore”, ka thënë ai.
Gola në Gjakovë është në garë të balotazhit me kryetarin aktual dhe kandidatin e AAK-së, Ardian Gjini. LVV-ja ka shkuar në balotazh në 12 komuna. Në Gjilan me LDK-në, në Gjakovë me AAK-në, në Kaçanik me PDK-në, në Fushë-Kosovë me LDK-në, në Mitrovicë me PDK-në, në Obiliq me LDK-në, në Rahovec me AAK-në, në Pejë me LDK-në, në Prishtinë me LDK-në, në Prizren me PDK-në, në Viti me LDK-në dhe në Vushtrri me PDK-në.
Ramush Haradinaj e quan kandidatin Ardian Gjini garanci për Gjakovën
Kryetari i Gjakovës dhe kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe për një mandat në udhëheqje të kësaj komune, Ardian Gjini, të enjten ka marrë pjesë në inaugurimin e objektit të ri të një kishe protestante.
Ai ka falënderuar organizatën “New Day Impact” nga Holanda për donacionin që ka mundësuar ndërtimin e objektit në fshatin Firzë.
Gjini ka bërë fushatë edhe në Shishman. Aty ka qenë bashkë me liderin e partisë – AAK, Ramush Haradinaj.
“Gjakova ka ndryshuar nën drejtimin e kryetarit Ardian Gjini. Investimet e shumta, infrastruktura moderne dhe shërbimet cilësore për qytetarët janë dëshmi e qartë e vizionit dhe vendosmërisë së tij. Sot ishim në Shishman të Gjakovës, ku u mirëpritëm ngrohtësisht nga banorët. Energjia dhe përkrahja e tyre për Ardian Gjinin është tregues i punës së mirë dhe besimit të fituar me rezultate konkrete. Ardiani është garanci e vazhdimësisë së transformimit të Gjakovës, me projekte të prekshme dhe qeverisje të përgjegjshme për çdo qytetar”, ka shkruar Haradinaj.
Gjatë ditës Gjini, që në balotazh do të përballet me Ardian Golën e Vetëvendosjes, ka postuar edhe një video të xhiruar me dron, ku janë pasqyruar punët e kryera gjatë mandatit që po e përfundon.
E Smajl Latifi gjatë të enjtes ka marrë pjesë në një organizim në Opterushë, ku është shënuar 27-vjetori i rënies së pesë dëshmorëve nga kjo komunë.
“Mbetemi të përkushtuar të punojmë pa u lodhur dhe pa u mërzitur për jetësimin e aspiratave të luftëtarëve të lirisë dhe të të rënëve në fushë të nderit. Punën, djersën dhe mundin ua kemi borxh brezave që vijnë pas nesh por, mbi të gjitha, e kemi peshë në ndërgjegje përmbushjen e synimeve madhore të dëshmorëve e heronjve, që ta ndërtojmë lirinë dhe të ecim krah popujve të civilizuar”, ka thënë Latifi.
Ai ka mbajtur një takim edhe me veteranët e luftës nga Rahoveci.
“Veteranët janë kategori e nderuar, ish-ushtarë të UÇK-së që i shërbyen kombit duke vënë veten në front përballë armikut, atëherë kur ishte koha e vendi. Qeverisje ime asnjëherë nuk do ta harrojë këtë kategori të shoqërisë sonë, duke i përkrahur brenda mundësive ligjore e kapaciteteve institucionale.
Faleminderit bashkëluftëtarë të mi, që sonte u bashkuat me mua në këtë tubim të veçantë!”, ka shkruar Latifi.
Latifi është kryetar aktual dhe kandidat i AAK-së edhe për një mandat në krye të Rahovecit. Ai përballë, më 9 nëntor, do ta ketë Ali Dulën e VV-së.
Bali Muharremaj është një tjetër kandidat i Aleancës që po kërkon mandatin e radhës. Ai gjatë ditës ka postuar një video nga pastrimi i lumit Toplluha në Suharekë.
E në orët e mbrëmjes ka mbajtur një takim në Budakovë, ku ka çmuar banorët e këtij fshati.
“Në kohët më të vështira qytetarët e Budakovës na kanë ndihmuar, na kanë ushqyer. Budakova na ka ndihmuar jo vetëm gjatë luftës, por edhe para luftës. Budakova ka pasur gjithnjë burra”, ka thënë Muharremaj.
Ai në rundin e dytë do të ballafaqohet me Ardian Shalën e LDK-së.
Zenun Elezaj po ashtu po bën fushatë për të mbetur në krye të komunës që udhëheq – Klinës. Ai të enjten ka postuar një video të fshatit Shtupel, ku shihen rrugët e saposhtruara me asfalt.
Në një shënim të shkurtër ai ka shkruar: “Fitojmë, sepse punojmë”.
E një natë më parë, të mërkurën mbrëma, në Klinë është mbajtur tubimi qendror i AAK-së, ku ka marrë pjesë edhe lideri i partisë, Ramush Haradinaj.
“AAK-ja është partia fituese në Klinë. Kjo është fitore e besimit tuaj, e punës sonë të ndershme, e përkushtimit për çdo fshat, çdo lagje dhe çdo qytetar. Por, gara nuk ka mbaruar. Tani jemi në rundin vendimtar, në një betejë që do ta vulosë fitoren e plotë të Aleancës dhe do ta përcaktojë rrugën e zhvillimit të Klinës për katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë Elezaj.
Elezaj përballë në balotazh do ta ketë Sokol Bashotën e PDK-së, që po e synon kthimin në pushtetin komunal.
Një kthim të tillë po e synon edhe kandidati i AAK-së në Junik, Agron Kuçi.
Ai në një postim të gjatë ka kritikuar kryetarin aktual dhe kandidatin e LDK-së edhe për një mandat, Ruzhdi Shehu, për përvetësim të meritave lidhur me punët që, sipas tij, i ka kryer dikush tjetër.
Shehu e Kuçi do të përballen më 9 nëntor në balotazh.
Hyseni: I kemi nisur 11 projekte kapitale në vlerë mbi 1 milion euro, i përfundojmë në mandat të dytë
Kandidati për kryetar të Gjilanit nga LVV-ja, Alban Hyseni, ka renditur 11 projekte kapitale në vlerë 1 milion euro të cilat thotë se kanë nisur në mandatin e parë dhe sipas tij do të përfundojnë në mandatin e dytë.
“11 projekte kapitale mbi 1 milion euro - të gjitha të nisura në mandatin e parë dhe që do të përfundojnë në mandatin e dytë. Nga Stacioni i Autobusëve, KultQendra, Rruga Hamdi Kurteshi, Qendrimi ditor për të moshuarit, renovimi i sallës së sportit, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, Banimi i përballueshëm dhe social, Impianti i ujërave të zeza, Projekti Floës, e deri te Stadiumi i Qytetit – një ndër projektet më të rëndësishme për identitetin e Gjilanit tonë”, ka shkruar në Facebook, kryetari aktual Alban Hyseni.
Kandidati Hyseni, në balotazh në kuadër të zgjedhjeve lokale, garon kundër Arbër Ismajlit kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit.
Alban Hyseni në rundin e parë mori 49.80% dhe ishte shumë afër që të fitonte pa balotazh, ndërsa Arbër Ismajli 34.29%.
Rama: Heqja e taksës për tokat bujqësore – lehtësim për qytetarët dhe nxitje për ekonominë lokale
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës dhe kryetari aktual i komunës, Përparim Rama, ka njoftuar se vendimi për të hequr taksën për tokat bujqësore në territorin e kryeqytetit përbën lehtësim për qytetarët, një mbështetje për pronarët e tokave dhe një nxitje për zhvillimin e ekonomisë lokale.
“Kemi hequr taksën për tokat bujqësore – një barrë më pak për qytetarët, një mbështetje më shumë për pronarët e tokave dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës gjithashtu ka postuar video nga investimet që ka bërë në lagjen “Bregu i Diellit”, duke premtuar se nëse fiton edhe mandatin e dytë, investimet do të zgjerohen.
VIDEO: