Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar prioritetet e tij për zhvillimin e arsimit në kryeqytet.
Ai të martën ka thënë se gjatë qeverisjes së tij do të ketë investime rrënjësore në infrastrukturën e shkollave, në zbatimin e mësimit tërëditor dhe në ndërlidhjen e aftësimit profesional me tregun e punës. Ka premtuar edhe angazhim që çdo shkollë të jetë e pajisur me mensa, psikologë dhe logopedë.
“Për neve janë dy pika kryesore, ku duhet të orientojmë tash e tutje angazhimin në arsim. E para ka të bëjë me një sistem arsimor që i aftëson të rinjtë për tregun e punës. Një ndërlidhje më e madhe mes shkollës dhe tregut të punës. Shkollat profesionale, aftësimi profesional për nevojat që i ka sot tregu. Dhe e dyta ka të bëjë me temën e madhe të arsimit tërëditor në të cilin ne besojmë”, ka premtuar Çeku.
Në Prizren, kandidati për kryetar komune, Artan Abrashi, ka premtuar ridizajnim të transportit publik, biçikleta publike me GPS, mbjellje të 30 mijë drunjve çdo vit si dhe parqe të reja për qytetin. Ndërkaq në një tubim në Zhur, Abrashi ka bërë disa zotime për përmirësimin e infrastrukturës.
“Në mandatin tonë, kanalizimi, kubëzat, ndriçimi publik, trajtimi i qenve endacakë, çështjet që kanë të bëjnë me punësimin e të rinjve, do të jenë prioriteti i ynë sepse kështu na obligon edhe vota juaj, na obligojnë edhe zgjedhjet lokale”, ka premtuar ai.
E kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili e synon edhe një mandat katërvjeçar në këtë pozitë, ka premtuar që gjatë katër vjetëve të ardhshëm ta finalizojë projektin e zonës ekonomike, të cilin nuk e ka bërë në mandatin e parë.
“Ajo që e synojmë për mandatin tonë të dytë është vazhdimi i projekteve transformuese, finalizimi i një projekti që e kemi nisur qysh në mars të vitit 2023, por që, për shkak të mungesës së mbështetjes në Kuvendin Komunal, nuk mund të fillojë dot, është zona ekonomike ose parku industrial i Gjilanit që në afërsi me korridorin 10 si rrugë komunikimi e transportit të mallrave, është garancia për zhvillim”, është shprehur Hyseni.
Ndërkaq në Pejë kandidatit të LVV-së, Taulant Kelmendi, i ka ofruar mbështetje kryetari i partisë, Albin Kurti. Me këtë rast Kelmendi ka shprehur bindjen se në Pejë e para del Vetëvendosja.
“Nga ajo që po shohim dorë më dorë, e derë më derë, e lagje më lagje, e fshat më fshat edhe në Pejë po fitojmë.. Duke u bashkuar, fitojmë në Pejë, fiton qeverisja e mirëqenies, fiton qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje”, është shprehur ai.
E Kurti u ka treguar banorëve të Pejës se çfarë rezultati i pret më 12 tetor.
“Edhe në këtë muajin e 10-të të këtij viti, Vetëvendosja duhet të dalë e para përsëri, edhe për zgjedhje komunale, ashtu siç ka dalë për zgjedhje parlamentare”, ka thënë ai.
Në Ferizaj kandidati Enver Haliti ka thënë se në programin e tij qeverisës e ka paraparë ndërtimin e parkut të madh të qytetit, e për cilin ka theksuar se është një ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme për mjedisin dhe komunitetin.
“Me shtigje të rregulluara për ecje dhe vrapim, të rrethuara me drunj të dendur e të gjatë, dhe hapësirat rekreative për fëmijë e të moshuar, janë një vend ideal për qetësim, pushim dhe meditim, që i mungon shumë zonës së dendur urbane të Ferizajt”, ka thënë ai.
Kandidati për Gjakovën, Ardian Gola, gjatë takimit me pronarë të bizneseve të vogla, ka premtuar se subvencionet për ta do të ndahen në bazë të meritokracisë.
“Keqpërdorimet dhe favorizimet do të marrin fund. Qeverisja e Vetëvendosjes në Komunën e Gjakovës do t’i trajtojë të gjithë me barazi, pa dallime e pa privilegje. Është koha që kjo mendësi e vjetër qeverisëse të ndryshojë rrënjësisht - me drejtësi, përgjegjësi dhe barazi për secilin qytetar”, është shprehur Gola.
E kandidati i LVV-së për kryetar në Mitrovicë, Faton Peci, ka vizituar fshatra të kësaj komune, me ç’rast është zotuar për investim në shkolla dhe arsim cilësor, në sigurim të transportit publik, në mirëmbajtje të rrugëve si dhe për investime në bujqësi.
