Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka thënë se në qendër të programit të tij ka përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në hartimin dhe orientimin e buxhetit.
Ai ka thënë të dielën se ky model synon që qytetarët të bëhen vetë administrues të lagjeve të tyre, duke identifikuar prioritetet për investime dhe duke u bërë pjesë e menaxhimit të hapësirës ku jetojnë.
“Duke e bërë banorin hisedar të drejtpërdrejtë të hartimit të buxhetit pra të orientimit të investimeve, ne po duam ta krijojmë një model ku banorët bëhen vetë administrues të lagjes së tyre: një i identifikojnë dhe i orientojnë investimet përmes kartelës, dy bëhen pjesë e menaxhimit të lagjes në kuptimin e mirëmbajtjes dhe e treta, një qëllim shumë i rëndësishëm, e zhvillojmë dhe e rrisim jetën komunitare në lagje, e cila për hir të së vërtetës në Prishtinë tashmë pothuajse nuk ekziston”, ka thënë Çeku.
Ai ka kritikuar edhe qeverisjen e katër vjetëve të fundit, duke thënë se “në asnjë sektor nuk ka pasur përmirësim, përkundrazi, çdo fushë ka përjetuar degradim”.
“Kanë kaluar katër vjet dhe rezultatet janë këto që janë. E janë jo vetëm minimale në raport me premtimet që kanë qenë para 4 vjetëve, por ajo çfarë e marr unë si ‘feedback’ nga takimet me qytetarët, ndonëse edhe vetë jam banor i Prishtinës dhe i shoh edhe vetë problemet, është se pothuajse asgjë nuk funksion si duhet, nuk kemi përmirësime, përkundrazi në disa prej tyre kemi degradim”, ka thënë ai.
E në Drenas kandidatja e VV-së për kryetare, Egzona Tërdevci, ka vënë theksin në çështjen e arsimit dhe zhvillimit të turizmit lokal. Ajo ka thënë se ndërtimi i çerdhes publike në Nekoc ka mbetur pezull për shkak të mungesës së lejes ndërtimore dhe ka premtuar se një nga hapat e parë të qeverisjes së saj do të jetë përshpejtimi i këtyre procedurave.
“Është e vërtetë, një çerdhe në Nekoc është planifikuar nga Ministria e Arsimit, ne në Kuvend Komunal e kemi ndarë një parcelë në janar të 2024-s afër shkollës, fatkeqësisht Komuna ende nuk i ka kryer procedurat për lejen ndërtimore, posa ta marrim qeverisjen në Drenas do të përkujdesemi që këto procedura të kryhen sa më shpejt në mënyrë që Nekovci të bëhet sa më parë me një çerdhe publike”, ka thënë ajo.
Në Ferizaj, kandidati Enver Haliti e ka shënuar Ditën e Dëshmorëve të Komunës duke përkujtuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë. Ai tha se kujtimi i Epopesë së Jezercit është obligim për të gjithë dhe se qeverisja duhet të ndërtohet mbi vlera të përkushtimit dhe punës së ndershme.
Në Gjakovë kandidati Ardian Gola të dielën ka zhvilluar vizita në disa prej bizneseve lokale, ku ka shpalosur vizionin për t’u dhënë mbështetje prodhuesve dhe tregtarëve. Ai ka theksuar se këto biznese janë pjesë e pandashme e programit të tij qeverisës dhe se do të trajtohen me prioritet.
“Vizitat në bizneset e qytetit të Gjakovës na japin bindjen se me qeverisjen tonë prodhuesit dhe bizneset e ndryshme do të jenë jo vetëm pjesë e programit tonë, por edhe prioritet i veçantë. Bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kandidatët për asamble nga lista e Vetëvendosjes në Gjakovë, vizituam fabrikën ‘Proing Group’, e cila merret me përpunimin e aluminit dhe xhamit, duke prodhuar dyer, dritare, fasada dhe produkte të tjera cilësore”, ka thënë Gola.
E në Malishevë, kandidati Valon Hoti ka zhvilluar një takim me gratë e kësaj komune, ku ka theksuar rëndësinë e rolit të tyre në shoqëri dhe në qeverisje. Ai ka thënë se në mandatin e tij gratë do të kenë 50% të pozitave drejtuese në komunë.
Takim me gratë ka zhvilluar edhe kandidati i VV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi. Ai ka takuar gratë e fshatit Smirë.
Ndërkohë në Gjilan kandidati i VV-së, Alban Hyseni, që është edhe kryetar aktual, ka zhvilluar takime me banorët dhe mësimdhënësit, duke vënë në pah rezultatet e mandatit të tij të parë.
Ai ka thënë se investimet në arsim dhe përkrahja për mësimdhënësit do të jenë prioritet edhe në mandatin e dytë në rast se fiton zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor.
