Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 16-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Lladrovci: Qytetarët e Drenasit i kanë 101 arsye “Për Drenasin Kampion”
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, që po garon edhe një mandat nga radhët e “Për Drenasin Kampion”, ka mbajtur një tubim në Llapushnik të dielën.
“Tubimet tona masive, çdo ditë po i demantojnë përçarësit që fshehen prapa vlerave të heronjve tanë të luftës dhe paqes, duke tentuar ata t'i përvetësojnë, por, qytetarët e dinë se kush mund t'i përfaqësojë ato vlera e kush jo. Fitorja me 101 arsye është fakt që në të gjitha takimet tona zgjedhore po rikonfirmohet. Qytetarët e komunës së Drenasit i kanë 101 arsye "Për Drenasin Kampion", qytetarët kampionë në këto zgjedhje kanë qëllim fitoren e madhe dhe përfaqësimin e denjë dhe të drejtë. Llapushniku i fitoreve foli, kështu do të jetë edhe më 12 Tetor. Vazhdojmë edhe katër!” – ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
Kastrati premton ta zgjidhë problemin me ujin për banorët e lagjes “Malësia”
Kandidati nga radhët e PSD-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka premtuar se do ta zgjidhë çështjen e ujit të pijshëm për banorët e lagjes “Malësia”.
“Uji i pijshëm dhe problemet thelbësore për banorët e lagjes Malësia nuk do të jenë më pengesë. Me asamblistët e lagjes, që i dinë nevojat dhe prioritetet e lagjes, po punojmë për zgjidhje të prekshme. Progresi është mirëqenie për çdo lagje dhe për çdo banor”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
AAK-ja premton ta ngjallë jetën kulturore në Pejë
Kandidati për kryetar të Komunës së Pejës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha, ka premtuar se nëse u kthehet përgjegjësive qeverisëse në nivel lokal, do t’i kthejë në funksion teatrin “Istref Begolli” dhe kinemanë “Jusuf Gërvalla”.
Gjatë një tubimi me qytetarët e Pejës, të dielën, Berisha ka theksuar rëndësinë jetike që ka kultura në jetën qytetare dhe në formësimin e shëndoshë të brezave të rinj. Ai ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë në të cilën, sipas tij, ndodhen dy nga institucionet më të rëndësishme kulturore të qytetit - teatri dhe kinemaja.
“Ku është kultura sot, ku është teatri ‘Istref Begolli’? Në një kohë edhe 6 premiera në një ditë u shfaqeshin e sot ku është – i mbyllur. S’di sa herë rinovohet, disa herë tenderohet, prapë kurrkah. Nuk guxojmë ashtu. Ku e kemi kinoteatrin? Ku i kemi të rinjtë që kanë nevojë për kinoteatër? Shumë normal që të rriturit kanë nevojë me këqyrë shfaqje, me këqyrë filma. Ma mirë është me qenë teatër e kinoteatër se sa diku tjetër, po çka me ba kur nuk funksionon. Kush e menaxhon sot këtë teatër? A din kush me tregu kush e menaxhon e çka ndodh aty? Realitete të hidhura por të vërteta, këto duhen me ndërrua. Duhet me ndërru edhe teatri edhe kinoteatri, duhet t’u kthehen qytetarëve, duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, duhet të jenë në shërbim të kulturës”, ka thënë Berisha.
Berisha ishte kryetar i Pejës, para se udhëheqjen e qytetit ta merrte Gazmend Muhaxheri 12 vjet më parë.
Në Rahovec kryetari aktual që synon edhe një mandat tjetër, Smajl Latifi, është zotuar se prioritet kryesor i tij është sistemi shëndetësor. Për këtë ka premtuar investime në këtë sektor.
“Shëndetësia është një prioritet i madh në komunën tonë, prandaj kemi planifikuar investime të shumta që shërbimet shëndetësore t’u përgjigjen maksimalisht nevojave të qytetarëve. Që nga modernizimi i shërbimeve stomatologjike, shërbime të diagnostikës, trajnimi i stafit mjekësor deri te zgjerimi shtëpiak, janë vetëm disa prej masave konkrete e serioze që do t’i ndërmarrim. Do ta pajisim çdo qendër të mjekësisë familjare me aparate EHO, do të krijojmë databazë për ruajtjen e analizave, do ta digjitalizojmë menaxhimin e radhës dhe do t’i digjitalizojmë autoambulancat. Përmes digjitalizimit do ta rrisim edhe inkasimin e rrjeteve financiare”, ka thënë Latifi.
Premtime në fushën e shëndetësisë ka dhënë edhe kandidati i Aleancës për Istogun, Ukë Blakaj. Ai ka theksuar domosdoshmërinë e ngritjes së kapaciteteve shëndetësore, duke premtuar se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të shkojnë nëpër komuna të tjera për trajtime elementare.
“Stafi të jetë i kompletuar që të mos dërgohen pacientët tanë prej Istogu në Pejë për çdo gjë. Do të kujdesemi që të trajtohen si duhet aty, e jo ‘nuk kemi mundësi, shko në Pejë, shko në Prishtinë’, sepse mundësitë i dimë që mundemi me i ba edhe me i pasë”, ka thënë Blakaj.
E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi në Podujevë të dielën, e ka cilësuar kandidatin e partisë për kryetar të komunës, Baki Feta, si një figurë të respektuar, me histori të dëshmuar në shërbim të vendit.
“Baki Feta është luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, afarist dhe biznesmen i suksesshëm. Ai njihet si njeri i fjalës dhe i ndershëm, gjithmonë i përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë. Me punën dhe qëndrueshmërinë e tij, përfaqëson më së miri vlerat e llapjanëve. Më 12 tetor, llapjanët kanë mundësinë të zgjedhin njerëz të dëshmuar në udhëheqje”, ka thënë Haradinaj.
E në Mitrovicë, kandidati i AAK-së për kryetar, Qazim Namani, ka vizituar banorët e lagjes Bair, ku i ka dhënë përkrahje kandidatit për asamble Liridon Hasani, duke e cilësuar si një zë të fuqishëm të qytetarëve në vendimmarrje.
Në Suharekë kryetari aktual, Bali Muharremaj, që synon edhe një mandat me logon e AAK-së, të dielën ka përkujtuar dëshmorët: Xhemshir Xhemshiri, Murat Kokollari, Hafir Elshani, Burim Elshani dhe Zymer Buzhala, duke i quajtur udhërrëfyes për lirinë e vendit.
Selmanaj premton ujë për Prizrenin e Rama vazhdim të ndërtimit me plan
Në Prizren, kandidati i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj, gjatë tubimit qendror të partisë, të dielën, ka premtuar furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për qytetarët, duke thënë se janë identifikuar burimet që do ta bëjnë të mundur këtë. Ai ka shtuar se do të nisë projektin e Unazës së Madhe të qytetit, investim prej 210 milionë eurosh, por nuk është zotuar se do ta përfundojë brenda katër viteve.
“Lagjja e Nënkalasë dhe Lagjja e Korillës të jenë unike për nga unikaliteti i vet arkitektonik dhe historik që kanë. Me rrugë të njëjta, dyer të njëjta, dritare të njëjta, pullaze të njëjta, fasada të njëjta dhe jemi të bindur që më pas këto dy lagje do të jenë qendra të absorbimit të turistëve të huaj”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka përmendur edhe ndërtimin e pesë parkingjeve nëntokësore me gjithsej 2390 vende, si dhe projektin e pendës në Vërmicë. Në fushën e arsimit, ka thënë se do të nisë mësimin gjithëditor nëpër shkolla.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga Prizreni ka kritikuar qeverisjen aktuale lokale, duke e cilësuar qytetin të lënë pas dore.
“Prizreni sot nuk ka asnjë projekt madhor me të cilin identifikohet, qyteti është lënë në duar të propagandës dhe jo të punës, rinia është lënë pa perspektivë, bizneset pa mbështetje, kultura pa investime e familjet pa asnjë shtytje dhe kjo është padrejtësi e madhe ndaj një qyteti të madh sikurse Prizreni”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në Prishtinë kryetari aktual Përparim Rama, që kandidon për mandatin e dytë, ka thënë se zhvillimi i lagjeve është bërë sipas planeve strategjike urbane, duke rikthyer sipas tij, rregullin dhe jetën moderne në kryeqytet.
“Për herë të parë në kryeqytet, lagjet që deri dje u ndërtuan pa asnjë plan, tash po marrin formë. Densiteti, funksionet, programi, vizioni, rrugët, kanalizimi, ndriçimi e shenjëzimi krejt sipas planeve strategjike urbane. Me projektin e rigjenerimit urban po u kthejmë integritetin qytetarëve, e rregullin edhe jetën moderne në dy prej lagjeve më të mëdha të Prishtinës, në Kolovicë dhe në Kodrën e Trimave”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se është restauruar edhe Sahat Kulla, që pas dekadash ka filluar sërish të punojë.
“Pas dekadash heshtjeje, mekanizmi i Sahat Kullës u restaurua dhe ora e qytetit filloi të rrahë sërish, duke rikthyer një pjesë të shpirtit të Prishtinës. Me ndriçimin e saj modern, Kulla nuk është më vetëm monument i historisë, por është bërë një nga pikat më të bukura dhe më të dukshme të qytetit natën”, ka theksuar ai.
Në Junik kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë, Ruzhdi Shehu, është shprehur krenar me investimin në rrugën Junik-Gjeravicë, që sipas tij ka nxitur ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të komunës.
“Një nga projektet që ka ndërruar kahen zhvillimore të Junikut përgjithmonë, asfaltimi i rrugës së bjeshkës Junik-Gjeravicë që ka shumën totale afër 5 milionë euro dhe është investimi më i madh kapital në komunën tonë. Bjeshkët e Junikut, të njohura për bukuritë e tyre natyrore dhe mundësitë për ecje dhe aventurë, sot janë më të qasshme dhe më të vizituara se kurrë më parë. Rritja e numrit të turistëve dhe zhvillimi ekonomik janë shenjat e para të këtij investimi që ajo zonë veçse ka filluar t’i vërejë”, ka deklaruar Shehu.
Në Suharekë, Ardian Shala ka prezantuar planin e tij për turizmin rural, duke theksuar se projekti “Bjeshka dhe Qyteti” do të krijojnë mundësi për zhvillimin e bujtinave dhe promovimin e produkteve vendore.
“Një pjesë tjetër të zhvillimit e kemi paraparë në kuadër të projektit ‘Bjeshka dhe Qyteti’, që nënkupton se e gjithë kjo zonë me produktet e veta që do t’i prodhojnë do e kenë mundësinë t’i plasojnë në treg ato. Kanë mundësi njerëzit të krijojnë bujtina, ku njerëzit shkojnë, pushojnë, paguajnë dhe përfitimet ndalen direkt te familjet tona. Çdo qytetar i Suharekës do ta shijojë dorën e komunës, dorën e shtetit që është duke i ndihmuar”, ka thënë Shala.
Ismaili premton investime në Barilevë, në Prizren e Mitrovicë “priten shiritat”
Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar se do t’i dalë zot “edhe shehrit, edhe Barilevës”.
Ai të dielën ka shpalosur investimet që ka plan t’i bëjë në këtë fshat, në rast se zgjidhet kryetar i Prishtinës, përfshirë ndërtimin e sheshit të Barilevës, rregullimin e shtratit të lumit dhe stadiumit.
“Këto janë zotimet e mia për Barilevën: Ndërtimi i sheshit të Barilevës; Rregullimi i shtratit të lumit me shtigje të vrapimit; Rregullimi i stadiumit të Barilevës; Dyfishimi i subvencioneve për bujqësi dhe fond për mbrojtjen e bujqve në rast të fatkeqësive natyrore; Ndriçimi publik në të gjitha rrugët dhe hapësirat publike. Fshatrat e Prishtinës si Barileva janë pjesë e kryeqytetit dhe ato meritojnë kujdes e investime njësoj si qendra”, ka thënë Ismaili.
Ai ka marrë pjesë edhe në maratonën “Prishtina 2025”. Ismaili ka thënë se energjia me të cilën e nisi maratonën do ta përcjellë edhe si kryetar pas zgjedhjeve të 12 tetorit.
“Maratona është simbol i bashkimit. Është provë që bashkë mundemi me ba gjithçka. Unë jam këtu me ju jo vetëm si kryetar që doni, por si qytetar i Prishtinës. E nisëm këtë maratonë bashkë me dashni dhe energji për qytetin tonë dhe kështu do ta vazhdojmë edhe 4 vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Në Rahovec, Edon Cana ka kritikuar kryetarin aktual të Komunës, Smajl Latifi për, siç ka thënë, “punët që po i kryen pak para zgjedhjeve”.
“Kinse me para tona po ua kryen një favor, që ai t’i marrë votat. Kështu ka mbetur në pushtet për më shumë se një dekadë. Ju për atë jeni veç numra, se si ai të qëndrojë në pushtet. Nuk i intereson a zhvillohet fshati, a ka perspektivë fshati, apo s’ka. Por sapo të afrohen zgjedhjet, tash nëse e thirrni për ta rregulluar një rrugë, nesër në mëngjes bagerat i keni”, ka thënë Cana, që është kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit.
Në Prizren kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ka njoftuar për përurimin e asfaltimit të rrugës Medvec – Smaq dhe një aksi lidhës Medvec – Mamushë. Ai ka thënë se komuna ka investuar me 300 mijë euro në projektin e ujësjellësit të KRU “Radoniqi – Dukagjini”, i cili kalon përmes fshatrave Piranë, Zojz, Medvec dhe shkon deri në Mamushë, duke furnizuar kështu me ujë të pijshëm banorët e këtyre zonave.
Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, ka prezantuar projektin për rehabilitimin e shtratit dhe brigjeve të lumit Trepça.
“Ky projekt përfshin rehabilitimin e shtratit dhe brigjeve të tij, duke e transformuar hapësirën deri te ‘Tuneli i Parë’ në një zonë tërheqëse për qytetarët, me shtigje, hapësira rekreative dhe zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit. Lumi ‘Trepça’ do të marrë pamje krejtësisht të re”, ka thënë ai.
Në Ferizaj, të dielën është përkujtuar “Epopeja e Jezercit” në 27-vjetorin e saj. Po ashtu, janë bërë homazhe te varri i Imri Ilazit, ish-komandant në këtë betejë, i cili vdiq vitin e kaluar. Në nderime morën pjesë kryetari i Ferizajt dhe kandidati për një mandat tjetër, Agim Aliu, si dhe kandidati për kryetar të Shtimes, Përparim Ramusa.
“Në 28 shtatorin e lavdisë e krenarisë kombëtare, përvjetori i 27-të i betejës heroike e të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - Epopesë së Jezercit si dhe në 1- vjetorin e kalimit në amshim të gjeneralit të vetëm e lavdiplotë të Ferizajt, Gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të papërsëritshmit dalzotës të atdheut, mikut tonë të çmuar, Gjeneral Imri Ilazi - Komandant Ferri, me homazhe e akademi përkujtimore nderuam kujtimin, sakrificën, veprën sublime për atdhe të Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Ferizajt si dhe Gjeneralit Imri Ilazi – vepra e të cilit flet zëshëm në historinë tonë të lirisë duke frymëzuar sot e sa të jetë jeta ndër breza, për guximin e sakrificën, heroizmin e lavdinë, shtigjeve tona drejt lirisë”, ka shkruar Aliu në Facebook.
E veçmas, nderime për Epopenë e Jezercit ka bërë kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, njëherësh ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes.
Çeku premton përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, kritikon Ramën
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka thënë se në qendër të programit të tij ka përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në hartimin dhe orientimin e buxhetit.
Ai ka thënë të dielën se ky model synon që qytetarët të bëhen vetë administrues të lagjeve të tyre, duke identifikuar prioritetet për investime dhe duke u bërë pjesë e menaxhimit të hapësirës ku jetojnë.
“Duke e bërë banorin hisedar të drejtpërdrejtë të hartimit të buxhetit pra të orientimit të investimeve, ne po duam ta krijojmë një model ku banorët bëhen vetë administrues të lagjes së tyre: një i identifikojnë dhe i orientojnë investimet përmes kartelës, dy bëhen pjesë e menaxhimit të lagjes në kuptimin e mirëmbajtjes dhe e treta, një qëllim shumë i rëndësishëm, e zhvillojmë dhe e rrisim jetën komunitare në lagje, e cila për hir të së vërtetës në Prishtinë tashmë pothuajse nuk ekziston”, ka thënë Çeku.
Ai ka kritikuar edhe qeverisjen e katër vjetëve të fundit, duke thënë se “në asnjë sektor nuk ka pasur përmirësim, përkundrazi, çdo fushë ka përjetuar degradim”.
“Kanë kaluar katër vjet dhe rezultatet janë këto që janë. E janë jo vetëm minimale në raport me premtimet që kanë qenë para 4 vjetëve, por ajo çfarë e marr unë si ‘feedback’ nga takimet me qytetarët, ndonëse edhe vetë jam banor i Prishtinës dhe i shoh edhe vetë problemet, është se pothuajse asgjë nuk funksion si duhet, nuk kemi përmirësime, përkundrazi në disa prej tyre kemi degradim”, ka thënë ai.
E në Drenas kandidatja e VV-së për kryetare, Egzona Tërdevci, ka vënë theksin në çështjen e arsimit dhe zhvillimit të turizmit lokal. Ajo ka thënë se ndërtimi i çerdhes publike në Nekoc ka mbetur pezull për shkak të mungesës së lejes ndërtimore dhe ka premtuar se një nga hapat e parë të qeverisjes së saj do të jetë përshpejtimi i këtyre procedurave.
“Është e vërtetë, një çerdhe në Nekoc është planifikuar nga Ministria e Arsimit, ne në Kuvend Komunal e kemi ndarë një parcelë në janar të 2024-s afër shkollës, fatkeqësisht Komuna ende nuk i ka kryer procedurat për lejen ndërtimore, posa ta marrim qeverisjen në Drenas do të përkujdesemi që këto procedura të kryhen sa më shpejt në mënyrë që Nekovci të bëhet sa më parë me një çerdhe publike”, ka thënë ajo.
Në Ferizaj, kandidati Enver Haliti e ka shënuar Ditën e Dëshmorëve të Komunës duke përkujtuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë. Ai tha se kujtimi i Epopesë së Jezercit është obligim për të gjithë dhe se qeverisja duhet të ndërtohet mbi vlera të përkushtimit dhe punës së ndershme.
Në Gjakovë kandidati Ardian Gola të dielën ka zhvilluar vizita në disa prej bizneseve lokale, ku ka shpalosur vizionin për t’u dhënë mbështetje prodhuesve dhe tregtarëve. Ai ka theksuar se këto biznese janë pjesë e pandashme e programit të tij qeverisës dhe se do të trajtohen me prioritet.
“Vizitat në bizneset e qytetit të Gjakovës na japin bindjen se me qeverisjen tonë prodhuesit dhe bizneset e ndryshme do të jenë jo vetëm pjesë e programit tonë, por edhe prioritet i veçantë. Bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kandidatët për asamble nga lista e Vetëvendosjes në Gjakovë, vizituam fabrikën ‘Proing Group’, e cila merret me përpunimin e aluminit dhe xhamit, duke prodhuar dyer, dritare, fasada dhe produkte të tjera cilësore”, ka thënë Gola.
E në Malishevë, kandidati Valon Hoti ka zhvilluar një takim me gratë e kësaj komune, ku ka theksuar rëndësinë e rolit të tyre në shoqëri dhe në qeverisje. Ai ka thënë se në mandatin e tij gratë do të kenë 50% të pozitave drejtuese në komunë.
Takim me gratë ka zhvilluar edhe kandidati i VV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi. Ai ka takuar gratë e fshatit Smirë.
Ndërkohë në Gjilan kandidati i VV-së, Alban Hyseni, që është edhe kryetar aktual, ka zhvilluar takime me banorët dhe mësimdhënësit, duke vënë në pah rezultatet e mandatit të tij të parë.
Ai ka thënë se investimet në arsim dhe përkrahja për mësimdhënësit do të jenë prioritet edhe në mandatin e dytë në rast se fiton zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor.
Abdixhiku nga Prizreni: Qyteti i historisë na dhuroi pritje madhështore
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbrëmjen e së dielës ishte në Prizren, në mbështetje të kandidatit për kryetar të kësaj komuna, Driton Selmanajt.
Abdixhiku shkroi në Facebook se Prizreni iu dhuroi pritje madhështore.
“Prizreni ynë, qyteti i historisë, i kulturës dhe i bashkëjetesës, sonte na dhuroi një pritje madhështore. Në këtë qytet, në këtë zemër të Kosovës, u bashkuam me qytetarët që besojnë te shpresa, zhvillimi dhe orientimi euro-atlantik i vendit tonë. Kandidati ynë për kryetar, Driton Selmanaj dhe ekipi i LDK-së për Prizrenin, janë gati ta shndërrojnë këtë besim në punë të përditshme, në projekte konkrete dhe në qeverisje me dinjitet.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Sipas tij, Prizreni tregoi se besimi është i pathyeshëm në LDK.
Haradinaj në Podujevë: Llapjanët kanë mundësinë të zgjedhin njerëz të dëshmuar në udhëheqje
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qëndruar në Podujevë të dielën për t’i ofruar përkrahje kandidatit për kryetar Baki Feta.
Ai ka thënë se më 12 tetor llapjanët kanë mundësi të zgjedhin njerëz të dëshmuar në udhëheqje.
“Baki Feta është luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, afarist dhe biznesmen i suksesshëm. Ai njihet si njeri i fjalës dhe i ndershëm, gjithmonë i përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë. Me punën dhe qëndrueshmërinë e tij, përfaqëson më së miri vlerat e llapjanëve. Më 12 tetor, llapjanët kanë mundësinë të zgjedhin njerëz të dëshmuar në udhëheqje. Aleanca gjithmonë ka treguar se është shembull për të gjithë, sepse për ne flet puna, jo premtimet. Vota për 174 – Dritë për Podujevën!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Peci: Premtojmë një Mitrovicë ku gruaja nuk është thjeshtë pjesë e shoqërisë, por forca që e mban atë
Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka mbajtur një tubim me gratë e Mitrovicës të dielën.
Peci, në një postim në Facebook, ka thënë se premton një Mitrovicë “ku gruaja nuk është thjeshtë pjesë e shoqërisë, por është forca që e mban atë”.
“Vajzat dhe gratë e Mitrovicës janë të përcaktuara për ndryshim. Kjo është koha juaj. Ky është premtimi ynë: një Mitrovicë ku gruaja nuk është thjesht pjesë e shoqërisë, por është forca që e mban atë. BASHKË me ju, ne do ta ndërtojmë një qytet të barabartë të fuqizuar dhe të lidhur ngushtë me të ardhmen. Mitrovica e re nis me ju! Bashkë e të barabartë!” – ka shkruar Peci në Facebook.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
Krasniqi në veri: Aty ku është PDK-ja, ka gjithmonë shpresë, besim e forcë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka qëndruar të dielën në pjesën veriore të Kosovës, me katër kandidatët e kësaj partie për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Izmir Zeqiri është kandidat për Zubin-Potok, Ilir Peci për Zveçan, Flutura Hamza për Mitrovicë të Veriut e Shaqir Hetemi për Leposaviq.
“Kudo ku ka shqiptarë, aty është edhe PDK. Dhe aty ku është PDK, ka gjithmonë shpresë, besim e forcë. Sonte, në zemër të pjesës veriore, me katër kandidatët tanë, Izmir Zeqirin (Zubin Potok) , Iliri Pecin (Zveçan), Flutura Hamzën (Mitrovicë e Veriut) dhe Shaqir Hetemin (Leposaviq), po e forcojmë përfaqësimin dhe po i japim kësaj ane zë e dinjitet. Më 12 tetor, çdo votë për PDK 191 është një gur i fortë në themelin e Kosovës sonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Latifi rendit premtimet në shëndetësi: Do ta punësojmë çdo mjek të diplomuar të Komunës së Rahovecit
Kryetari i Komunës së Rahovecit dhe njëherit kandidat për një mandat tjetër nga AAK-ja, Smajl Latifi, përmes disa videove të publikuar në rrjetin e tij social Facebook, ka prezantuar planifikimet për sektorin e shëndetësisë në këtë komunë në rast se vije sërish në krye të Rahovecit.
“Shëndetësia është një prioritet i lartë në komunën tonë prandaj kemi planifikuar investime të shumanshme që shërbimet shëndetësore në komunën tonë, t’iu përgjigjen maksimalisht nevojave të qytetarëve tanë. Që nga modernizimi i shërbimeve stomatologjike, trajnimi i stafit shëndetësor deri te zgjerimi i shërbimit shtëpiak, janë vetëm disa prej masave konkrete e serioze që do t’i ndërmarrim.”, u zotua Latifi.
Latifi gjithashtu premtoi edhe zgjerimin e listës esenciale të barnave, subvecionimin e mjekëve të rinj dhe punësimin e çdo mjeku të diplomuar të Komunës së Rahovecit.
Një tjetër zotim e tubim, kandidati Latifi pati edhe me gratë e kësaj komune.
“Gruaja shqiptare ka rol thelbësor si në përpjekjet historike për liri ashtu edhe në procesin e shtetndërtimit e zhvillimit. Gratë do të jenë pjesë e barabartë e punës, vendimmarrjes dhe angazhimeve në Komunën e Rahovecit. Me gratë dhe për gratë, Puna Nuk Ndalet.”, ka shkruar Latifi në videon e publikuar nga tubimi me gratë ku mori pjesë edhe deputetja nga partia e tyre AAK, Time Kadrijaj.
Krasniqi: Kush merr vota prej Drenicës dhe i dërgon diku tjetër përveç PDK-së, i bën argat Kurtit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar të shtunën në mbrëmje në Llapushnik të Drenasit, ku ka kërkuar mbështetje për kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Petrit Hajdari.
Krasniqi u ka bërë thirrje të pranishmëve që ta përkrahin në mënyrë masive Hajdarin për fitore pa balotazh.
“Llapushniku dhe krejt kjo zonë e ky rajon, PDK-në e kanë pasë gjithmonë të parën, prej kur janë mbajtë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2000 e deri tash. Jam sot këtu edhe njëherë me ju falënderu për këtë besim, për këtë mbështetje, për këtë fuqi që na e keni dhënë. Ka kandidatë të ndryshëm. Vetëm një është i PDK-së, veç Petrit Hajdari, veç numri 191. Ju ftoj nga zemra më 12 tetor sikur njëherë e një kohë me e kry me të parën, me fitu pa balotazh”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka deklaruar se “PDK-ja është ma e madhe se secili individ, kushdo që mendon të marrë vota prej PDK-së në bastionin e saj, në Drenicë, për t’i dërguar diku tjetër, po dërgon ujë në mulli të Albin Kurtit”.
“I vetmi njeri në politikë që e ka mision jetësor me e thy PDK-në në Drenicë, aty ku buron fuqia e PDK-së, aty ku është themeli i themelimit tonë është Albin Kurti dhe kushdo që i bën argat Albinit është me të”, ka thënë ai.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari ka thënë se nuk ka forcë, as fuqi që e përçan Drenasin.
“Unë besoj në ju. Dhe ju ftoj që ju të besoni në ne, në mënyrë që problemet, të cilat janë tuajat, nga sonte e tutje nuk janë veç tuajat, por janë edhe probleme të miat, që do t’i zgjidhim bashkërisht në afat. Ju ftoj të bashkohemi në këtë drejtim, ju ftoj ta festojmë fitoren e madhe të PDK-së më 12 tetor”, ka thënë ai.
Ismaili në Maratonën e Prishtinës: E nisëm me energji, do ta vazhdojmë edhe gjatë katër vjetëve
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka marrë pjesë në Maratonën “Prishtina 2025”.
“Maratona është simbol i bashkimit. Është provë që bashkë mundemi me bë gjithçka. Unë jam këtu me ju jo vetëm si kryetar që doni, por si qytetar i Prishtinës. E nisëm këtë maratonë bashkë me dashni dhe energji për qytetin tonë, dhe kështu do ta vazhdojmë edhe 4 vitet e ardhshme,” tha Ismaili.
Tërhiqet nga gara kandidati i VV-së për KK të Ferizajt, akuzon për sjellje “jokorrekte”
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Visar Pajaziti, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se me keqardhje ka vendosur të tërhiqet nga gara për zgjedhjet e 12 tetorit.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Pajaziti thotë se ky vendim vjen pas një sërë sjelljesh jo korrekte dhe veprimeve të papranueshme nga disa individë brenda lëvizjes.
Sipas tij, ata kanë cenuar integritetin dhe etikën e garës demokratike, duke krijuar një ambient të pafavorshëm për një proces të ndershëm e të drejtë.
“Për të mos kontribuar në një situatë jo transparente, kam vendosur të tërhiqem nga gara,” shkruan ai.
Tutje ai ka falënderuar të gjithë mbështetësit duke shpresuar që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë profesionale.
Pajaziti ka bërë të ditur se, pavarësisht tërheqjes nga kandidimi, aktiviteti i tij në Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojë, duke mbetur anëtar dhe aktivist i përkushtuar i organizatës./EO
Rama: Pas dekadash heshtjeje, Sahat Kulla u restaurua dhe ora e qytetit filloi të rrahë sërish
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka paraqitur ndryshimet që ai tha se janë bërë në Sahat Kullën e Prishtinës, një prej monumenteve më të rëndësishme në kryeqytet.
Rama ka publikuar fotografitë para dhe pas restaurimit.
I pari i kryeqytetit ka theksuar se pas restaurimit, ora e Sahat Kullës ka filluar të rrahë sërish.
Rama ka shkruar se me ndriçimin modern, Sahat Kulla sot është një nga pikat më të bukura në Prishtinës natën.
“Sahat Kulla – Përtej kohës! Pas dekadash heshtjeje, mekanizmi i Sahat Kullës u restaurua dhe ora e qytetit filloi të rrahë sërish, duke rikthyer një pjesë të shpirtit të Prishtinës.Me ndriçimin e saj modern, Kulla nuk është më vetëm monument i historisë, por është bërë një nga pikat më të bukura dhe më të dukshme të qytetit natën”, ka shkruar Rama.
Rama: Prishtina përtej kaosit urban, tash veç me plan
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njëherit kandidat i LDK-së për një mandat të dytë, ka folur për siç tha, kaosin urban.
Ai theksoi se me planin e rigjenerimit urban në Kolovicë e Kodër të Trimave, do të kthehet integriteti i qytetarëve.
“Për herë të parë në kryeqytet, lagjet që deri dje u ndërtuan pa asnjë plan, tash po marrin formë. Densitetet, funksionet, programet, vizioni, rrugët, kanalizimi, ndriçimi e shenjëzimi, krejt sipas planeve strategjike urbane. Me projektin e rigjenerimit urban, po kthejmë integritetin e qytetarëve, e rregullin dhe jetën moderne në dy prej lagjeve më të mëdha të Prishtinës, në Kolovicë dhe në Kodrën e Trimave. Prishtina, përtej kaosit urban, tash veç me plan.”, shkroi Rama në postimin e tij në Facebook.
Agjenda e partive politike në ditën e 16-të të fushatës
Partitë politike po vazhdojnë fushatën për zgjedhjet lokale edhe sot në ditën e 16-të, duke mbajtur tubime dhe takime me qytetarë për të shpalosur planprogramet për qeverisjen katërvjeçare në komuna.
E agjendën për aktivitetet e sotme, deri tash e kanë dërguar PDK, LDK dhe LVV.
Lidhja Demokratike e Kosovës mban tubim elektorale në Prizren, me prezencë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. (Vendi Nafron Restaurant, Hyrja Prizren Veri, ora 18:00)
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e komunave në veri. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Shkolla Fillore “Osman Rama”, ora 15:30.
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Mitrovicës. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Shipol, ora 17:00.
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me veteranët e UÇK-së në Drenas. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Hotel “Nobel”, ora 17:30.
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Prizrenit në Zhur. Shtëpia e kulturës, ora 18: 00.
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Prishtinës - fshati Barilevë. Shkolla Fillore “Ali Kelmendi”, ora 19:00.
Agjenda e aktiviteteve të Lëvizjes Vetëvendosje
17:00 - Tubim në shkollë në Uglar, Gjilan.
19:00 - Tubim në Hashant-Plemetini, Shkolla e Hashanëve, Obiliq.
13:00 - Tubim me vajza dhe gra, Shtëpia e Kulturës, Mitrovicë.
14:00 - Tubim me gra, te "Goni", Malishevë.
16:00 - Takim me Veteranë të UÇK-së, Restaurant Green Garden ne Reqan, Suharekë.