Zgjedhjet lokale

Çeku për Ramën: Punët e katër vjetëve po mundohet t’i kryejë për katër javë

Hajrulla Çeku

Kandidatët e Vetëvendosjes kanë dhënë zotime për zhvillimin e komunave, me funksionalizim të shkollave, ndriçim publik e investime në infrastrukturë. Disa nga ta kanë përdorur edhe gjuhë të ashpër ndaj kundërkandidatëve, duke kritikuar menaxhimin aktual dhe duke kërkuar votën për ndryshim në zgjedhjet e 12 tetorit. Fokusi i zotimeve të disa kandidatëve qe edhe te mbështetja e grave, me premtime për vende pune, trajnime profesional e subvencione

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeqytetin, Hajrulla Çeku, ka dhënë një varg zotimesh për lagjet e Prishtinës pas një vizite në Kolovicë. Çeku ka thënë se shkolla e braktisur në këtë lagje do të funksionalizohet. Ka premtuar ndriçim publik me llamba të sistemit LED, vendosje të kamerave publike për përforcim të sigurisë, rregullim të asfaltit e trotuareve dhe vendosje të shenjave të komunikacionit. Çeku ka thënë se me programin e tij, lagjet e Prishtinës do të kenë kartela, me të cilat do të vendoset bashkë me qytetarët për investime.

“Shkolla e braktisur do të kthehet në funksion për komunitetin, sipas nevojave që ata i kanë. Ndriçimi publik do të instalohet në të gjitha rrugët e lagjes, me sistem efikas LED që kursen energji dhe rrit sigurinë. Siguria do të përforcohet me vendosjen e kamerave publike dhe bashkëpunim të rregullt me patrullat e policisë komunale. Infrastruktura rrugore do të rregullohet me asfaltim, trotuare për këmbësorë dhe vendosje të shenjave të komunikacionit”, ka thënë ai.

Çeku ka kritikuar kryetarin aktual, Përparim Rama, që është kundërkandidat i tij në garën e 12 tetorit, se në prag të zgjedhjeve ka nisur improvizimet për zgjidhjen e problemeve në Prishtinë.

“Ky punët e katër vjetëve po mundohet t’i kryejë për katër javë. Me gjasë po mendon që njerëzit janë të pamençur”, ka thënë Çeku.

Gjuhë më të ashpër për kundërshtarët politikë ka përdorur kandidati për Mitrovicën, Faton Peci. Ai ka thënë se ky qytet nuk u nënshtrohet horrave shpifës, kriminelë e faqezi. Kësisoj kërkoi votë për të në zgjedhjet e 12 tetorit, për t’i dhënë fund, siç tha, qeverisjes me dështake në histori.

“Nuk ka askush që mundet me e ndalë fitoren në Mitrovicë. Mos u dorëzoni nga propaganda e ulët deri më datën 12 tetor. Jam i Mitrovicës dhe do të vdes i Mitrovicës, po vij për shkak se e dua Mitrovicën dhe për shkak se jam i gatshëm gjithçka të jap për të”, është shprehur Peci.

Edhe në Junik, kandidati i Vetëvendosjes, Jetmir Tofaj, kërkoi besimin e qytetarëve, duke thënë se kundërkandidatët e tij e kanë dëshmuar në qeverisje se e kanë lënë prapa këtë komunë.

“Në vend se të flasim për inteligjencë artificiale, ne ende duhet të merremi me problemet e ujit të pijes. Në vend se të flasim për elektrifikim të bjeshkëve të Junikut dhe për ndërtim të resorëve atje, ne ende duhet të merremi me impiantin e ujërave të zeza që nuk funksionon dhe me kanalizimet në qytetin tonë. Juniku ua dha shansin historik dy kundërkandidatëve që t’i dëshmojnë premtimet e tyre me punë, por kjo nuk funksionoi”, ka thënë Tofaj.

Kandidati për Ferizajn, Enver Haliti, ka premtuar mbështetjen e grave, sidomos atyre në biznes përmes granteve dhe subvencionimit të kamatave për kreditë investuese.  Ndërkaq për nënat që punojnë ose synojnë punësimin ka thënë se do t’ua lehtësojë vështirësitë e kujdesit për fëmijët me ndërtimin a funksionalizimin e 10 çerdheve të reja publike në qytet dhe në fshatra.

Për gratë ka dhënë premtime edhe kandidati për Malishevën, Valon Hoti. Ai ka thënë se do të krijohen edhe vende pune për to dhe trajnime profesionale e në qeverisjen lokale u zotua se gratë do të kenë zë të barabartë dhe përfaqësim të drejtë.

“Do të themelojmë punëtorinë artizanale që të krijojë mundësi të reja dhe vende të punës për gratë  e Malishevës. Gratë do të aftësohen me profesione konkrete dhe kualifikime adekuate të përshtatura për vendin e punës. Do të sigurojmë që gratë të kenë zë të barabartë dhe përfaqësim të drejtë në të gjithë mekanizmat e pushtetit lokal, në drejtoritë komunale, në shkolla dhe në të gjitha pozitat udhëheqëse”, ka thënë Hoti.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 14-të e fushatës

Agjenda e aktiviteteve të Partisë Demokratike të Kosovës:10:40 – Në Prizren përurohen projekte infrastrukturore, bëhet zhvendosja...